Nën drejtimin e kryeministrit Berisha zhvillohet mbledhja e bordit e Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA)

Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u mblodh sot për herë të parë bordi i Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA). Në mbledhjen e parë, bordi me propozim të ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës njëherësh dhe Zëvendëskryetar i bordit, zotit Ilir Meta emëroi znj. Eneida Guria, Drejtore Ekzekutive të kësaj Agjencie, e cila më parë ka ushtruar funksionin e drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Licencimeve. Gjatë mbledhjes u prezantua edhe Statuti i Agjencisë dhe Struktura.
Duke e nisur fjalën me urimin për një vit sa më të mbarë të gjithë biznesmenëve shqiptarë, ekipeve të tyres dhe punonjësve, të cilët me iniciativën e tyre të lirë janë sot gjeneratori kryesor i zhvillimit ne vend, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që me këtë mbledhje të parë institucionalizohet Agjencia Shqiptare për Investime dhe Zhvillim , e cila është ndërtuar mbi bazën e një nga modeleve më të suksesshme që është njohur në Evropë dhe në botë.
Duke përmendur zhvillimet pozitive të ekonomisë shqiptare, e cila i rezistoi me sukses të plotë krizës ekonomike botërore, kryeministri Berisha theksoi se kjo Agjenci nuk merr pushtetin e agjencive të tjera, por ajo e ka fuqinë ekzekutive të bazuar në një ligj. “AIDA”, u shpreh kryeministri, duhet të bëjë çdo gjë për të pasur, zbatuar dhe shndërruar në realitet një vizion më të qartë për zhvillimin e vendit, zhvillim i cili i ka jetike investimet në ekonominë shqiptare.
Kryeministri theksoi gjithashtu se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të shqyrtohen aspektet burokratike, në mënyrë që të përmirësohet dhe më tej kuadri ligjor si dhe të aplikohen me guxim, të gjitha praktikat që kanë bërë sukses dhe që kanë shkëlqyer nga suksesi në Europë dhe Botë.
Gjatë fjalës së mbajtur kryeministri Berisha më gjerësisht u shpreh:
“Gëzuar , në mbledhjen e parë të bordit të Agjencisë së Investimeve dhe Zhvillimit të vendit.
Le të urojmë ne bashkërisht, një vit të gëzuar dhe të mbarë, të gjithë biznesmenëve shqiptarë, ekipeve të tyre, punonjësve, të cilët me iniciativën e tyre të lirë, janë sot gjeneratori kryesor i zhvillimit të këtij vendi.
Mendoj se lajmi më i mirë, që ne mund tu japim atyre, mesazhi më i shkëlqyer që mund tu çojmë është themelimi, ndërtimi i institucionalizimit i AIDA-S, si një agjenci e investimeve dhe zhvillimit e ndërtuar mbi bazën e një modeli më të suksesshëm, që është njohur në Evropë dhe në Botë.
Për Shqipërinë, zhvillimi i shpejtë ekonomik është vendimtar në ndërtimet e së ardhmes dhe mendoj se ekonomia e këtij vendi, kaloi me sukses të madh, provën më të rëndë, me të cilën u përball ekonomia botërore dhe ajo evropiane, krizën e thelle financiare dhe ekonomike, krizë e cila u ndie sigurisht në ekonominë shqiptarë, por kjo mbeti dhe ruajti rritjen më të madhe në Europë.
Ky sukses i saj, është para së gjithash rezultat i reformave të thella, për të zgjeruar liritë e këtij sektori, është rezultat i përmirësimit të djeshëm të rregullave të tregut dhe kjo, që Shqipëria sot, është qartësisht tjetër, është një përpjekje e madhe për zhvillim të shpejtë ekonomik, por Shqipëria duhet të bëhet një vend i zhvilluar.
Objektivi më kryesor i qeverisë, i shtetit, i shoqërisë në tërësi, është Shqipëria një vend i zhvilluar. Objektiv ambicioz, i vështirë, por plotësisht i arritshëm, po të kemi parasysh potencialet e jashtëzakonshme, që ky vend ka për tu shndërruar në vlera.
Viti mbyllet me një sukses të plotë. Ne mbyllim vitin me një defiçit buxhetor prej 3.1 përqind , nga 4.5 përqind që e kishim sipas statistikave tona në fund të vitit 2009. Me një inflacion tërësisht të kontrolluar, me investime plotësisht të realizuara, me një likuiditet të plotë të sistemit bankar dhe rritje të depozitave dhe interes të madh në investime.
Një dinamizëm i shkëlqyer i turizmit në këtë vend, që njeh rekorde më të papara dhe vlerësime më të larta. Një dinamizëm i shkëlqyer në fushën e telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit, por zhvillimi kërkon të jetë shumë i fortë dhe kërkon që të gjitha degët dhe sektorët të njohin zhvillimet e veta të mëdha.
Zhvillime pozitive janë në fushën e energjisë ku janë mbi 30 hidrocentrale që ndërtohen tërësisht mbi bazën e investimeve private, detyra jonë është jashtëzakonisht e rëndësishme, që ta shndërrojmë këtë institucion që themelojmë sot mbi bazën e ligjit që miratuam në parlament në një “One Stop Shop” në kuptimin figurativ për investitorët.
Të bëjnë studime dhe të përcaktojnë të gjitha ndërhyrjet favorizuese, lehtësuese që qeveria duhet të ndërmarrë. Të gjitha stimujt dhe inkurajimet që qeveria duhet tu bëjë sektorëve në përputhje me tregun dhe kërkesat e tij.
Kjo Agjenci nuk merr pushtetin e agjencive të tjera, por kjo ka fuqinë ekzekutive të bazuar në një ligj. Duhet të bëjë çdo gjë, të kontrollojë vizionin më të qartë, por njëkohësisht dhe zbatimin, shndërrimin në realitet të këtij vizioni, për zhvillimin e vendit, zhvillim i cili i ka jetike investimet në ekonominë shqiptare.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme, që ne të marrim dhe të shqyrtojmë çdo lloj aspekti burokratik, në mënyrë që të përmirësojmë dhe më tej kuadrin ligjor të aplikojmë me guximin, të gjitha praktikat që kanë bërë sukses, që kanë shkëlqyer nga suksesi në Europë dhe Botë. Në shumë aspekte ne kemi praktika unike, por ka dhe mjaft aspekte të tjera, në të cilat ne duhet të përqendrohemi".
03/01/2011