Nën hetim për shpërdorim detyre e korrupsion, Ahmetaj paraqitet në SPAK

Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj është paraqitur në SPAK mesditën e kësaj të enjte (22 qershor). Kjo është hera e parë që Ahmetaj paraqitet në SPAK, teksa është nën hetim për 4 akuza, shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përftimi të paligjshëm të interesave.
Bëhet fjalë për përfshirje në ndërtimin e incineratorit të Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, si dhe për pastrim parash pas kallëzimit që i është bërë për vilën në bregdetin e Hamallajt.
Kujtojmë se Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) rrëzoi pretendimet e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj lidhur me sekuestrimin e dy vilave në emër të ish-gruas dhe bashkëjetueses së tij.
Vilat janë në Hamallaj dhe në Palasë, ndërsa Byroja Kombëtare e hetimit dhe SPAK dyshojnë se ato janë përfituar nga veprimet e jashtëligjshme të ish numrit dy të qeverisë.
Gjatë kontrollit te vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh.
/rtsh.al/