E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nën pushtetin e xhihadistit me një sy

Amenas është një vend i vogël diku në Sahara. Qyteti më i afërt është 300 kilometra larg. Megjithatë në këtë zonë të Algjerisë këto vite ka një bum të kompanive që kërkojnë naftë.

BP, Statoil dhe të tjerë gjigandë të naftës janë dyndur aty. Mijëra punëtorë nga Algjeria dhe jashtë saj punojnë në kërkim dhe nxjerrje nafte.

Por të mërkurën terroristët islamikë kanë sulmuar këtë zonë naftëmbajtëse. Mendohet se minimumi shtatë persona të huaj janë marrë peng, dy të tjerë janë vrarë.

Vetë rrëmbyesit thonë se kanë 41 pengje. Mes tyre ka amerikanë, francezë, britanikë, japonezë, etj. Luftëtarë të armatosur kanë marrë nën kontroll fushat e naftës, lajmëron BP.

Sulmin e ka marrë përsipër një grup terrorist, që drejtohet nga Mochtar Belmochtar, si kundërpërgjigje ndaj sulmit ushtarak të Francës në Mali.

Spiegel shkruan se kjo tregon edhe njëherë sa e vështirë do jetë ndërhyrja franceze ndaj militantëve islamikë.

Belmochtar, që njihet ndryshe edhe si xhihadisti me një sy, është një nga emrat më të njohur të terrorit në gjithë Afrikën Veriore. Ai ka deklaruar se të huajt do e paguajnë me gjak ndërhyrjen në Mali.

Belmochtar është një nga emrat më të hershëm të lëvizjes xhihadiste. Ka lidhje me Al Kaedan dhe ka humbur një sy duke luftuar në Afganistan. Kur u përhapën lajmet e para për një sulm në Mali, ai kërcënoi se do kishte kundërpërgjigje me sulme terroriste.

Ka qindra luftëtarë nën kontroll dhe lëviz me makina të shpejta me katër rrota aktive. Trupa e tij është jashtëzakonisht e shpejtë dhe efikase. Me pengmarrje mendohet se ka krijuar një pasuri të madhe.

Lëviz me trupat e tij në Mali, Niger, Mauritani, Algjeri e Libi. Madje rënia e Gadafit i ka dhënë atij një mundësi të artë, pasi nga shpërthimi i depove ka siguruar një armatim gjigand./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›