Nën temperatura të nxehta u mbajt gjysmëmaratona e Shkupit

- Nën temperatura të nxehta të dielën në mesditë është mbajtur gjysmëmaratona e Shkupit. Për herë të parë pas plotë nëntë viteve kryeqyteti i Maqedonisë kishte tubuar atletë dhe personalitete të njohura nga vendi dhe jashtë saj. Fitues në shtegun 21.1 kilometra doli bullgari Stanislav Lambev me kohë 1 orë 12 minuta dhe 37 sekonda, për pak sekonda më i shpejt se Jarosllav Mushinski nga Moldavia (fitues i gjysmëmaratonës së Prishtinës). Vendi i tretë i ka takuar kosovarit Abdurrahman Shkodra me 1 orë, 14 minuta dhe 55 sekonda. "Shtegu ka qenë i përshtatshëm për vrapim edhe pse temperatura pak të nxehta, por pa vështirësi e kemi kaluar këtë shteg. Jam i lumtur pasi me një konkurrencë aq të madhe arrita në vendin e tretë", tha menjëherë pas garës, Shkodra.
Gjithashtu në këtë gjysmëmaratonë u vrapua edhe në disiplinat 2 mijë dhe 5 mijë metra. Në pesë mijë metra vendin e parë e fitoi Ilir Klizi nga Shqipëria, i dyti Sasho Damevski dhe i treti Aleksander Kirinxhiev. Në shtegun e dy mijë metrave fitues ishte Nenad Ackoviq, në vendin e dytë u radhit Amer Ejup dhe i treti Ramadan Hyseini.
Në gjysmëmaratonën e së dielës morën pjesë mbi 1.400 garues, në mesin e të cilëve pati edhe personalitete politike, përfshirë këtu edhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Ervan Fuere.
"Ishte një ditë shumë e mirë. Ditë e sportit ku u tregua rëndësia e sportit në jetën e përditshme. Ishte mirë që kishte pjesëmarrës të të gjitha moshave. Nuk isha as i pari e as i fundit. Pa marrë parasysh kohën që e arrin, kryesore është të kalosh cakun me buzëqeshje dhe me dy këmbë", tha Fuere.
Reshat Ibrahimi