Besart Berisha, jo më në planet e Hamburgut

- Skuadra e Hamburgut ka filluar që të bëjë planet për sezonin e ardhshëm dhe në këto plane nuk bën më pjesë futbollisti i kombëtares shqiptare Besart Berisha, që së fundmi është bërë pjesë e skuadrës së amatorëve të Hamburger SV. Skuadra gjermane ka vendosur që të lirojë dy futbollistë, Raphael Wicky dhe Besart Berisha, njofton revista e njohur gjermane "Focus".
Futbollisti shqiptar ka humbur statusin e futbollistit të skuadrës së parë prejse ka ardhur trajneri holandez Hub Stevens që nuk e ka preferuar Berishën. Në fakt ky sezon mund të quhet se ka qenë "parajsë dhe ferr bashke" për 21-vjecarin e lindur në Prishtinë.
Është quajtur "zbulimi" i vitit 2006 pasi debutoi në Bundesliga, Ligën e Kampionëve, madje ishte bërë shqiptari i parë që ka shënuar në garën më prestigjioze evropiane, por më pas karriera e tij ka marrë tatëpjetën derisa është larguar për në skuadrën e amatorëve të HSV.
Berisha është ftuar nga trajneri i kombëtares shqiptare Otto Baric për ndeshjen miqësore kundër Anglisë që do të zhvillohet më 25 maj në Burnley dhe aty sulmuesi i ri ka shansin më të mirë për të treguar veten dhe për t'ia bërë më të lehtë vetes gjetjen e një skuadre ku do të aktivizohet në sezonin e ardhshëm.
Liridon Iberdemaj