E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna 53-vjeçare e një të arrestuari plagosi avokatin: Më ngacmoi seksualisht

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 06-08-2011 11:09

Tiranë- Një grua 53-vjeçare, nënë e një të arrestuari për drogë akuzohet se është autore e plagosjes së avokatit Dino Lelaj. Motivi fshihet pas një ngacmimi me sfond seksual, e për të cilin 53-vjeçarja kishte planifikuar hakmarrjen, deri në pikën që ndiqte lëvizjet e avokatit, e armatosur me një pistoletë “Minibloë”. Policia e Tiranës ka arrestuar dje autoren e këtij krimi, Fatime Fregjën, e cila ka pranuar para agjentëve të komisariatit numër 1 se ka qëlluar në drejtim të avokatit Dino Lelaj. Zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini tha dje se Fatime Fregja është autorja e plagosjes së avokatit. “Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa në cilësinë e provës materiale, u gjend dhe u sekuestrua në banesën e saj pistoleta “Miniblow”- tha Katragjini. Ndërkohë, burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se nga deklarimet e dhëna përpara specialistëve të komisariatit nr. 1, Fatime Fregja ka rrëfyer versionin e saj të historisë dhe arsyet që e shtynë drejt atentatit, fatmirësisht të dështuar ndaj avokatit Dino Lelaj. “Disa kohë më parë, djali im u arrestua nga policia me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Për këtë arsye shkova në zyrën e avokatit Dino Lelaj, që të merrte në mbrojtje tim bir”,-e ka nisur rrëfimin e saj 53-vjeçarja. Pas diskutimeve për çështjen, ajo e ka pyetur avokatin se sa para kërkonte për shërbimin. “Më kërkoi 20 mijë lekë të reja për të marrë çështjen e tim biri, por unë kisha vetëm 15 mijë lekë, të cilat ia dhashë”,-ka shtuar ajo për agjentët e policisë. Më tej, Fregja ka shtuar se i kishte thënë avokatit se më vonë do t’i sillte pjesën tjetër të parave, por ky ka qenë edhe momenti, që sipas saj avokati e ka ngacmuar seksualisht. 53-vjeçarja ka treguar se avokati i kishte thënë se nuk bëhet gjithnjë puna për para dhe ka nisur ta ngacmojë. Pas këtij momenti, e arrestuara ka treguar se është larguar nga zyra e avokatit dhe ka nisur planifikimin e “hakmarrjes”. “Gjeta një pistoletë të vogël dhe një mbrëmje u vura në vëzhgim të avokatit. E ndoqa në momentin që po ecte në drejtim të shkollës “1 Maji” dhe në një moment e qëllova”,-ka thënë në dëshminë e saj Fatime Fregja. Ajo ka shtuar se plumbi i vetëm nuk ka goditur në shenjë. Menjëherë pas të shtënës, avokati Lelaj është rrëzuar përtokë e nga përplasja është dëmtuar lehtë në ballë. Fatime Fregja është larguar më pas e trembur nga vendi i ngjarjes, ndërsa avokati i është drejtuar spitalit, ku ka marrë mjekimin e nevojshëm e më pas ka depozituar kallëzim në polici. Pas kallëzimit të tij për një atentat të dështuar, agjentët e komisariatit nr.1 kanë nisur hetimet për ngjarjen, duke rënë në gjurmët e klientes së avokatit Dino Lelaj. Ndërsa akuzat e saj në drejtim të objektivit pritet të verifikohen gjatë hetimit të mëtejshëm. Pas arrestimit të djeshëm nga policia e Tiranës, 53-vjeçarja Fatime Fregja pritet të përballet me Gjykatën e Tiranës, ku do të caktohet edhe masa e saj e arrestit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›