Ukraine protesta per Timoshenkon
Qindra përkrahës të ish kryeministres ukrainase, Julia Timoshenko, u mblodhën para gjykatës në Pechersky, në qendër të Kievit, mëngjesin e sotëm, ndërsa dhjetra policë rrethuan me barriera metalike sheshin para gjykatës.
Julia Timoshenko, një ndër zërat kryesorë të opozitës u ndalua një ditë më parë, një vendim i cili u pasua me përplasje të ashpra në rrugë, ndërmjet mbështetësve dhe forcave të rendit. Gjykata vendosi për arrestimin e saj nën motiviacionin se timoshenko "sistematikisht" prishte seancat gjyqësore në procesin kundër saj.Partia e Timoshenko u bëri thirrje përkrahësve për organizimin e tubimeve masive e qindra vetë iu përgjigjën kësaj thirrjeje duke kaluar natën para gjykatës në Kiev. Dhjetëra tenda u ngritën në rrugë, ndërsa opozita e sheh organizimin më të fundit, si përpjekje për të mbrojtur demokracinë, ndërsa i kërkon gjykatës lirimin e mënjehershëm të ikonës së revolucionit portokalli.
Të hënën në gjykatën e Kievit pritet të mbahet seanca e rradhës kundër Timoshenkos. Akuzat e shpërdorimit të detyrës të ngritura kundër ish kryeministres nga presidenti filorus, Viktor Janukoviç, kanë shkaktuar kritika nga Bashkimi Evropian. Edhe arrestimi i së premtes u kritikua ashpër nga shefja për politikën e jashtme e BE-së, Catherine Ashton dhe komisioneri për zgjerim, Stefan Fule.
Delina Bitraku