E Diel, 1 Nëntor 2026

“Piratët” bullgarë të kartave të kreditit, vjedhje në derën e policisë së Tiranës

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 06-08-2011 11:08

Tiranë- Gjykata e Tiranës ka vendosur dje të lërë në qeli pesë shtetasit bullgarë, të cilët u arrestuan pak ditë më parë për vjedhje me karta të klonuara. Gjatë seancës së djeshme për caktimin e masës së sigurisë, prokurori Armand Gurakuqi lexoi pretendimet e veta, në bazë të të cilave këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë arritur të kryejnë një sërë transaksionesh bankare, duke përdorur karta të falsifikuara në qytete të ndryshme të vendit. Nga hetimet e kryera rezulton se transaksione, duke përdorur të dhënat e vjedhura në Shqipëri janë kryer dhe në Bullgari e SHBA, ku dyshohet se të dhënat e vjedhura janë shitur nëpërmjet internetit nga këta shtetas. Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi i Prokurorisë së Tiranës bëri të ditur se në bazë të provave të grumbulluara rezulton se këta shtetas, duke përdorur paisjet “skimmer” kanë mundur të vjedhin të dhënat e përdoruesve të kartave, duke klonuar me to karta të tjera ose për t’i shitur në internet. Sipas përfaqësuesit të prokurorisë, njëra prej këtyre paisjeve ishte vendosur në bankomatin që ndodhet në krah të drejtorisë së Policisë së Tiranës, e një tjetër në rrugën “Komuna e Parisit”. E njëjta procedurë është kryer prej tyre edhe në disa bankomate në Vlorë, ku me anë të mikrokamerave, të vendosur në pjesën e sipërme të bankomatit, ata kanë filmuar dhe PIN-et e kartave, duke e pasur më të lehtë kryerjen e transaksioneve. Në bazë të vëzhgimeve të kryera rezulton se të gjitha vjedhjet e të dhënave janë kryer në periudhën 9 deri 15 qershor 2011, ku rezulton se këta shtetas kishin qenë në territorin e Shqipërisë. Prokuroria ka verifikuar edhe sistemin TIMS, prej të cilit rezulton se këta shtetas kanë hyrë 3 herë në territorin shqiptar, me qëllim vendosjen e paisjeve për të vjedhur të dhënat e përdoruesve të bankave. Kanë qenë denoncimet e bëra nga vetë bankat, ato që kanë vënë në lëvizje Policinë e Shtetit dhe Njësinë Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës për të nisur hetimet në lidhje me denoncimet e bëra nga shumë qytetarë, të cilëve u ishin zhdukur paratë nga llogaritë bankare. Pas verifikimeve të shumta dhe pas administrimit të filmimeve nga kamerat e sigurisë së bankave të dëmtuara është arritur në përfundimin se ishin këta persona, ata që me anë të paisjeve të posaçme kishin arritur të vidhnin llogaritë bankare të dhjetra personave. Përfaqësuesi i prokurorisë tha në gjyq se bullgarët kanë kryer transaksione të shumta në pika të ndryshme të Tiranës, por edhe të qyteteve të tjera, në 35 mijë dollarë. Por dëmi real, i shkaktuar nga ky grup mbetet ende për t’u verifikuar, pasi priten ende të dhëna zyrtare nga bankat në lidhje me transaksionet e kryera nga këta shtetas. Prokurori Armand Gurakuqi bëri të ditur se nga hetimet e kryera deri më tani mësohet se këta persona kanë vendosur një paisje “skimmer” në një bankomat në qytetin e Vlorës, por që më pas janë detyruar ta heqin, pasi nuk funksiononte. Por nga ana tjetër, një paisje e ngjashme ishte vendosur në një tjetër bankomat po në qytetin bregdetar, nga ku kishin arritur të vidhnin një numër të madh të dhënash. Para oficerëve të policisë gjyqësore, tre prej të arrestuarve, Dragomir Bonev, Pavel Milenov dhe Nikolay Tosonev kanë deklaruar se paisjet skimmer u janë dhënë nga Ivo Ivanov dhe Aleksandar Kolev në qytetin e Vlorës. Këta të fundit e kanë mohuar këtë fakt. Gjithashtu edhe tre të ndaluarit e tjerë kanë ngritur pretendimin përpara Gjykatës së Tiranës se në momentin kur kanë dhënë këto deklarime, kanë qenë nën presion dhe se ndaj tyre është ushtruar dhunë. Por ky pretendim është hedhur poshtë nga ana e prokurorit Gurakuqi, i cili ka deklaruar se tek asnjë prej të arrestuarve nuk ka shenja dhune dhe se ata kanë nënshkruar në çdo fletë të deklarimeve me vullnetin e tyre të plotë. Sipas Prokurorisë së Tiranës, dy shtetasit Kolev dhe Ivanov janë arrestuar në momentin kur po tentonin të largoheshin nga territori i Shqipërisë. Atyre u është bllokuar dhe kompjuteri lap-top si dhe një USB, në të cilën ruanin të dhënat e vjedhura nga qytetarë të ndryshëm. Ndërkohë, Bonev, Milenov dhe Tosonev janë kapur në flagrancë duke përgatitur pajisjet kompjuterike për klonim të kartave bankare, në një dhomë të një hoteli në qytetin e Durrësit. Gjykata e Tiranës, pasi dëgjoi pretendimet e ngritura nga organi i akuzës vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për 5 të pandehurit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›