E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje në lokalin e natës për 1 celular, dy të plagosur

Tiranë- Humbja e një telefoni celular ka rrezikuar të kthehet në një tragjedi brenda një lokali me muzikë “live” pranë kthesës së Kamzës. Dy persona janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve të marra në trup, ndërsa gjashtë të tjerë akuzohen për plagosjen e tyre. Zyrtarë të policisë së Tiranës pohuan dje se kanë arrestuar Saimir Rashën, Ervis Manjanin, Basri Kurpalin dhe Premtim Kurpalin, ndërsa shpallën në kërkim Imer Kurpalin dhe Vilson Lucën, të gjithë nga Bathorja. “Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë konfliktuar dhe kanë tentuar të vrasin me thikë, duke i plagosur disa herë në pjesë të ndyshme të trupit Arjan Imerajn, 27 vjeç dhe Eduard Sokolin, 24 vjeç, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendjë të rëndë shëndetësore” – bëri të ditur zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se ngjarja e ndodhur në orën 3.00 të mëngjesit në lokalin e natës ka nisur pasi njëri prej të dëmtuarve ka konstatuar se i kishte humbur telefoni celular dhe ka ngritur pretendimin se i është marrë nga personat e arrestuar. Menjëherë ka nisur një konfrontim mes dy grupeve, fillimisht me fjalë e më pas me grushta, derisa kanë nxjerrë një thikë dhe kanë qëlluar disa herë në trup dy të dëmtuarit, duke i shkaktuar dëmtime të shumta. Menjëherë ata janë dërguar në ambientet e Spitalit Ushtarak, ku kanë marrë ndihmë mjekësore. Sipas mjekëve të këtij spitali, gjendja e tyre paraqitet e rënduar dhe në rrezik për jetën, për shkak të plagëve të rënda të marra në pjesë të ndryshme të trupit. Nga ana tjetër, Policia e Tiranës nisi menjëherë punën për identifikimin e autorëve, 4 prej të cilëve u prangosën vetëm pak momente pas ngjarjes, ndërsa dy të tjerët u shpallën në kërkim. Mësohet se materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim. Th. S

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›