Nëna e kreut të PS-së padit Berishën për shpifje
Bashkë me kërkesën për gjykim, znj. Rama ka bashkangjitur edhe fjalimin e kryeministrit, mbajtur në Kuvend më datë 26 nëntor, si dhe kopjet e gazetave të përditshme ku janë botuar akuzat e Berishës ndaj familjes Rama. “Në cilësinë e personit të dëmtuar nga vepra penale e kryer, me anën e kësaj kërkese për gjykim shpreh vullnetin tim për të gjykuar shtetasin Sali Ram Berisha, me detyrë kryeministër i Republikës së Shqipërisë, pasi botërisht ka konsumuar në dëmin tim veprën penale të shpifjes, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal”, thuhet në fillim të kërkesë-padisë që do të përfaqësohet nga avokatët Arian Salati dhe Eno Bushi. Znj. Aneta Rama i quan shpifje dhe thënie të pavërteta deklaratat e Berishës, sikur djali i saj Edi Rama e ka dëbuar atë nga shtëpia duke e nxjerrë në rrugë. Sipas znj. Rama, kryeministri ka si qëllim diskreditimin publik, jo vetëm të kundërshtarit të tij politik, por edhe të njerëzve të afërt të familjes.