E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, stuhitë e borës dhe erës pengojnë trafikun ajror

Disa alarme për stuhi bore janë dhënë dje në të gjithë bregun e Atlantikut nga Karolina e Veriut dhe Tenesi deri në Nju Xhersi dhe Kënektikat, njoftojnë shërbimet meteorologjike. Mijëra banorë kanë mbetur pa energji elektrike në Karolinën e Veriut dhe në Virxhinia.     Moti i keq në verilindje të Shteteve të Bashkuara e detyroi dje presidentin amerikan Barak Obama të largohet nga konferenca e Kopenhagës më parë nga sa ishte parashikuar. Pasi mbërriti në bazën Endrjus, pranë Uashingtonit, ai u nis për në kryeqytet me rrugë tokësore dhe jo me helikopterin presidencial për shkak të erës së fortë.     Përveç Uashingtonit, ku shtresa e borës mund të arrijë sot në më tepër se 60 centimetra trashësi, sipas shërbimit meteorologjik kombëtar, moti i keq ka prekur edhe metropolet e mëdha të rajonit, Baltimoren dhe Filadelfian.          "Të gjitha të dhënat tregojnë se kjo do të jetë një stuhi e fortë, ndoshta më e forta që prej shumë vitesh", paralajmëroi kryetari i Bashkisë së Uashingtonit, Adrian Fenty, i cili shpalli gjendjen e alarmit.     Stuhia pritet të prekë gjatë ditës qytetin e Nju Jorkut, ku është shpallur gjithashtu gjendja e alarmit dhe ku dëbora pritet të arrijë nivelin 30 centimetra lartësi.          Moti i keq që vjen nga jugu i vendit është transformuar në borë në afërsi të rajoneve juglindore të vendit, ku temperaturat janë zero gradë që prej disa ditësh. Sipas shërbimit meteorologjik kombëtar, reshjet e dëborës kanë vazhduar të paktën 24 orë.                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›