E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna e vajzës së dhunuar: Shteti la të lirë autorin

 

LEZHE / ROLAND NIKOLLI

Ëndërronte të merrte pjesë në konkursin për Miss Lezha, por ka përfunduar pas hekurave. Tri ditë më parë, 17-vjeçarja Aurora Liçaj qëlloi me armë zjarri ndaj personit që ajo akuzon se e ka përdhunuar e tani qarkullon i lirë. Nëna e adoleshentes, prej asaj dite qëndron e ngujuar në shtëpi, në Shënkoll të Lezhës, me 4 fëmijët e tjerë. Liza Liçaj thotë se nga turpi e frika e ndonjë hakmarrjeje i ka lënë fëmijët pa shkollë. Gruaja thekson se nuk dinte asgjë për veprimin e së bijës, por e justifikon këtë me faktin se donte të vendoste nderin e humbur në vend ndaj personit që i shkatërroi jetën.
Vajza juaj thotë se është përdhunuar. Kur ka ndodhur kjo ngjarje?
Ka dy muaj që ka ndodhur, kur Kristian Luli, 18 vjeç nga fshati Tale i shkatërroi jetën sime bije, duke i marrë nderin. Ai ka parë që vajza ndodhej e vetme në shtëpi, se fëmijët ishin në shkollë dhe unë duke shitur te kioska dhe ka hyrë brenda.
Si e mësuat ju se çfarë kishte ngjarë?
Kur jam kthyer në shtëpi gjeta vajzën duke qarë dhe të përgjakur. Kam biseduar me të dhe menjëherë e kam marrë duke iu drejtuar organeve të policisë, e bindur që do më mbronte ligji si mua edhe vajzën time.
Cili qe reagimi i policisë?
Pasi mori njoftimin erdhën dhe pyetën vajzën dhe mua me fëmijët e më pas arrestuan personin që i mori nderin vajzës, Kristian Lulin.
Jeni thirrur më tej në prokurori?
Na kanë thirrur, kur pas një muaji pas arrestimit pamë Kristianin sërish në rrugë, i cili vazhdoi të provokonte. Kjo gjë detyroi vajzën që pas atyre shumë problemeve që kanë ndodhur të humbte durimin e të tentonte ta qëllonte me armë.
Pse mendoni se vajza juaj mori këtë iniciativë?
Këtë gjë ajo e ka kryer pasi ishte tërësisht e zhgënjyer nga organet e drejtësisë. Unë një apel do i bëja prokurorisë dhe gjykatës: Le të mendojnë si për fëmijën e tyre. Kemi jetuar me djersën e ballit pa cenuar askënd dhe ditën për diell të vinë e ta përdhunojnë fëmijën. Si do të vepronin? Unë jo se e kam përkrahur fëmijën tim, por jeta e saj është shkatërruar.
Pse mendoni se vajza juaj është përdhunuar?
Sepse e kam parë gjendjen e saj dhe kam biseduar me të. Po kështu shtëpia ishte e shkatërruar e gjitha. Për më tepër unë e njoh fëmijën tim shumë mirë.
Në çfarë klase është Aurora dhe kishte ajo ndonjë dëshirë për të ardhmen?
Është në vitin e dytë dhe ëndërronte të bëhej Miss Lezha e më pas Miss Shqipëria. Eshtë një vajzë e sjellshme dhe e rregullt, ka përjetuar shumë gjithçka i ka ndodhur dhe në shumë raste ka dashur të merrte vendime ndëshkuese ndaj vetes. Jam përpjekur t’i qëndroj pranë. Por nuk arrita si nënë që të mos e lejoja të shkonte në një situatë të tillë.
Çfarë do të bëni tani?
Nuk e di. Pres reagimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe prokurorisë, që të paktën personin që i shkatërroi jetën vajzës ta vendosë para përgjegjësisë. Ndërsa si nënë do pres deri sa të jepet vendimi i gjykatës. Çfarë duhet të bëj unë tani që iu shkatërrua jeta?! Po pres dhe bashkëshortin që të vijë në shtëpi. Thuhet se i ati i përdhunuesit ka paguar 40 milionë lekë që të nxjerrë fëmijën dhe ai i ka lekët, po unë ku nuk kam lekë as për të paguar një avokat për fëmijën tim. Imagjinojeni gjendjen në të cilën ndodhet ajo, kur unë nuk kam mundësi dhe të ardhura për t’i mbajtur me bukë e jo të përballoj burgun.
A kanë vajtur fëmijët e tjerë në shkollë?
Jo, pas ngjarjes nuk i kam dërguar, pasi bashkëshortin s’e kam në shtëpi. Kur fëmijën ma përdhunuan në shtëpi e shteti nuk më mbrojti, si mund ta mbroj unë jetën e këtyre fëmijëve nëse ata ikin në shkollë? Po kështu mos harroni se kur kam marrë iniciativën unë që të ndjek vajzën për të kryer denoncimin ndaj atij personi që ai vazhdon të jetë i lirë, si mundet që unë të rri e qetë. Kur fëmija im vetëm se mbrojti nderin e saj dhe është e mitur, vazhdon të jetë në burg.
Cili është apeli juaj?
Unë i kërkoj prokurores së përgjithshme si nënë dhe si drejtuese e këtij institucioni të dërgojë në Lezhë ekspertë të prokurorisë dhe të shikojë këtë çështje sikur të jetë fëmija i saj. Të njëjtën thirrje i bëj presidentit, ministri të Drejtësisë dhe kryeministrit. Mos na lini të shkojmë në vetëgjyqësi! Më të shtrenjtë se fëmijën nuk kam asgjë në jetë!

Gjykata e lë në burg pa afat adoleshenten

LEZHE – Paraditen e djeshme ka dalë para trupit gjykues të Lezhës adoleshentja e akuzuar për tentativë vrasjeje, Aurora Liçaj. Dhe dje, ashtu si në polici ajo ka pohuar se personin që e përdhunoi kishte si qëllim ta trembte që të mos i afrohej shtëpisë së saj. Avokati i gjetur nga shteti kërkoi masë më të lehtë sigurie për vajzën për shkak të moshës, por gjykata vendosi lënien në burg pa afat”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›