Peshkopi, maturantët sherr me thika në orën e mësimit
PESHKOPI - Një i plagosur dhe dy të ndaluar është bilanci i sherrit që ka përfshirë nxënësit e klasës IV A në shkollën e mesme Pedagogjike në qytetin e Peshkopisë. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se mbrëmjen e të mërkurës nxënësit konviktorë janë përfshirë në një sherr banal mes tyre për çështje vajzash, ndërkohë që ndërhyrja e kujdestarëve të konviktit e ka qetësuar situatën. Bashkëmoshatarë të S.K., E. K., dhe D.R., banorë të Lurës e Maqellarës tregojnë se prej ditësh tre adoleshentët ishin parë të ziheshin me fjalë, por kulmi i sherrit arriti dje paradite, kur klasa ka përjetuar një sherr të pazakontë. Zënka këtë herë është shoqëruar me përdorimin e thikave që nxënësit mbanin me vete dhe në orën e mësimit. Policia mohoi se maturantët janë përleshur për femra, por tha se shkak për plagosjen e njërit prej maturantëve është bërë stampimi i bluzave që maturantët do të përdornin për mbrëmjen e maturës. Ngjarja sipas policisë ndodhi në orën e parë të mësimit teksa maturanti S.K., ka goditur në befasi me thikë në drejtim të shokut, E.K. Ky i fundit ka arritur t’ia rrëmbejë thikën nga duart bashkëmoshatarit dhe ta qëllojë atë në qafë. Britmat e nxënësve të tjerë kanë bërë që në moment e gjithë shkolla të boshatiset, ndërkohë mësuesit kanë mbërritur shpejt në klasën ku ndodhi ngjarja. Pas plagosjes S.K., është dërguar me shpejtësi në spitalin e qytetit, ndërkohë mjekët e spitalit rajonal pas konsultave që kanë pasur kanë kërkuar ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë që i plagosuri rëndë të dërgohet në Spitalin Ushtarak për një kurim më intensive. Pas njoftimit nga drejtoria e shkollës policia mbërriti në vendngjarja dhe fillimisht shoqëroi dy të dyshuarit e ngjarjes E. K., dhe D. R., si dhe mori në pyetje shumë nga nxënësit dëshmitarë të ngjarjes. h.p