E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi thyen betimin e Berishës

Publicisti Artan Lame,
autori i rubrikës tashmë
të njohur prej gati
tre vjetësh, "Shqipni
Tavolinash", në gazetën "Shqip",
është paditur për shpifje
nga ministri i Punëve Publike,
Transportit dhe Telekomunikacionit,
Sokol Olldashi. Padia
kundër Lames është ngritur për
një artikull të botuar në rubrikën
e tij, që në fakt është një
analizë. Në një intervistë për
"Shqip", publicisti sqaron konfliktin
me ministrin Olldashi.
"Ju përgjigja me dëshirë
kërkesës suaj për këtë intervistë,
për të tërhequr vëmendjen
jo mbi veten, por mbi fenomenin
dhe mbi dëshirën e pashuar
të pushtetit që, sa herë ulet vëmendja,
aq herë është po ai që
ka qenë gjithmonë me ata që e
bezdisin: i pabesë dhe i ashpër",
thotë Lame.
Zoti Lame, përtej njohjes
publike përmes artikujve
tuaj të përjavshëm
në faqet e gazetës
sonë, ditët e fundit ju
rrezikoni të bëheni i njohur
edhe si i vetmi analist,
ndaj të cilit një ministër
ka hapur çështje
penale për një shkrim?
Për fat të keq, kjo është e
vërtetë dhe këtë lloj njohjeje nuk do t‘ia uroja
askujt, për më tepër në një vend si ky i yni. Mirëpo
u dashka kaluar edhe kjo.
Si ndodhi që ju u gjendët në pozitën e
të akuzuarit për shpifje?
Fabula është pak a shumë e tillë. Para rreth dy
muajsh, brenda rubrikës sime të përjavshme "Shqipni
tavolinash", botova një shkrim me titull "Më
pak se 1/3". Thelbi merrte shkas nga një ngjarje e
atyre ditëve, kur ministri Olldashi u kishte hequr
licencën nja dy firmave për punë të punimeve tejet
të dobëta në Unazën e Kavajës. Nga ky fakt unë
mora shkas për të parë edhe anën e pasme të
medaljes, se vërtet firmat kanë pjesën e tyre të fajit
e përgjegjësisë, por, po të shohim se ç‘bëhet me
tenderët, e se sa veta futin duart në to e kërkojnë
pjesë, natyrisht që pastaj në fund puna s‘bëhet
dot dhe do dalë me cilësi të keqe, qoftë kjo rrugë,
kanalizim, ilaçe, rroba për ushtarët apo fletore për
nxënësit. Kjo ishte e gjitha.
Dhe të nesërmen ju e patë veten të denoncuar
në Prokurori?
Jo ç‘ne, se këtë ku ma gjen. Shkrimi doli, me
ç‘pashë nga diskutimet, pati efekt, mesazhe mora
plot, madje mora edhe mesazhe që denonconin
hynere edhe më të rënda. Pastaj, meqë këtu janë
harruar luftëra e të vrarë, e jo më një artikull, çdo
gjë u kthye në shtratin e vet. Tenderët vazhduan
njësoj, e unë vazhdova me numrin tjetër të "Shqipnisë"
sime. Mirëpo, siç thosh Komandanti,
"lumi fle, e hasmi s‘fle", ndonjë muaj e ca pas këtij
artikulli, më vjen një fletë-thirrje për në Prokurori.
Kalova nëpër mënt gjithë ç‘kisha bërë që kur kisha
mbushur 18 vjeç e këtej, por s‘më vinte gjë ndër
mënt. Natyrisht që më sqaruan në Prokurori: Ministri
Olldashi të ka bërë padi për "veprën penale të
shpifjes për shkak të detyrës"(!!!). Këtu del edhe çudia,
se ndërkaq kish kaluar mbi një muaj nga dita
e publikimit të artikullit, kohë që, me ç‘dukej, i kish
shërbyer ministrit punëmadh për të kuptuar
përmbajtjen e shkrimit.
Zoti Lame, në fillim të qeverisjes "Berisha",
Kryeministri, me një deklaratë publike,
deklaroi se nuk do lejonte asnjë ministër
që të çonte në gjyq ndokënd për shkrimet
e botuara. Me ç‘duket, a e ka thyer
Olldashi betimin e Berishës?
Nuk më takon mua t‘i kërkoj llogari Olldashit
pse ka thyer urdhrin e Berishës, se ndoshta e ka
thyer me një urdhër të dytë, urdhrin e parë. Ajo që
më bëri përshtypje, është fakti që në katër faqe
akt-akuzë, gati tre prej tyre Olldashi i harxhonte
me arsyetime se unë nuk qenkam gazetar dhe, si
i tillë, nuk më përfshika urdhri i Berishës.
Po ju vetë si e konsideroni veten?
As për këtë mos më pyet mua, por gazetën, me
të cilën unë kam një kontratë të firmosur për
mbajtjen e rubrikës "Shqipni Tavolinash", e cila
vazhdon që gati prej tre vjetësh. Megjithatë, më
tepër se gazetar, unë do të dëshiroja ta fusja veten
tek analistët. Shkrimet e mia nuk janë ndjekje
apo pasqyrim i ngjarjeve të terrenit, as zbulim
aferash që do të më bënin gazetar investigativ, gjë
që sidoqoftë më pëlqen pa masë, por janë herë
analiza fenomenesh, herë përgjithësime mbi bazën
e dendësisë së ndodhjes së ngjarjeve të caktuara,
e kështu me radhë. Mos më bëj këtu të tjerr
për teorinë e gazetarisë, se s‘është as vendi e nuk
i duhet kujt, ndaj po ia lë secilit mes lexuesve të mi
dhe të gazetës ta gjykojë vetë këtë.
Të kthehemi te padia...
Unë nuk do doja t‘i kthehesha asaj, por edhe
po s‘deshëm ne, s‘na lë Olldashi. Nga ato tri faqe
që ai kishte mbushur, tjerr fjali e arsyetime, se nuk
u dashkam quajtur as gazetar e as analist, thelbi
ishte: "Ministri po bën padi, se z. Lame nuk është
analist, por anëtar i Partisë Socialiste dhe ish-zv/
ministër, ndaj po i bëj padi". Mos u çudisni, kjo
është pak a shumë ajo që është shkruar atje.
Atëherë, mendimi i parë që më erdhi ndër mënt,
ishte se po ta kish bërë shkrimin dikush tjetër, që
nuk është anëtar i PS-së, Olldashi nuk do e kish
paditur, pra puna nuk qenka te shkrimi, por te
partia ku jam unë. Gabimi nuk qenka te ç‘shkruhet
në artikull, por te partia e artikullshkruesit. Nuk
besoj të ketë gjykatë në Evropë që të pranojë
gjykimin me një arsyetim të tillë akuze.
Po në fakt, ju u qëndroni akuzave që i
bëni zotit Olldashi në shkrimin e akuzuar?
Shiko, shkrimi nuk ishte investigim, por analizë.
Unë merrja shkas nga dalja mburravece e Olldashit
dhe analizoja fenomenin, duke përfshirë
aty edhe ministra të tjerë të qeverisë, edhe organe
të qeverisjes vendore, madje duke e shtrirë analizën
në një hark kohor shumëvjeçar dhe,
"shumëvjeçar" e kupton ç‘do të thotë. Këtë e them
jo për t‘u justifikuar, por për të bërë të kuptueshme
se padia nuk ka fare lidhje me shkrimin
e as me shkruesin, por me partinë tek e cila shkrojtësi
ka gabuar të anëtarësohet.
Pra ju nuk e mohoni se…
T‘i lëmë stërhollimet e teorirat dhe t‘i biem në
kokë muhabetit. Në një vend, ku me ç‘pamë ditët
e fundit, shiten edhe ditët e lejes së të burgosurve,
ku korrupsioni është deklaruar si një gangrenë
nga publiku; ku vetë qeveria e përdor kohë
e pakohë anti-korrupsionin si kalë beteje, që i
hipën e i zbret sipas të përpjetave a tatëpjetave;
ku zhduken miliardat dhe të gjithë thonë se, "po,
janë zhdukur, po s‘dihet ku vanë"; ku Kontrolli i
Shtetit s‘arrin të mbyllë një raport dhe ka gati
tjetrin mbi shkeljet, abuzimet e aferat; ku s‘ka
javë që të mos plasë nga një dava miliardash korrupsioni;
ku Fazliçi del e kërkon që Kryeprokurorja
t‘i kërkojë falje publike; ku s‘ka muaj të mos
pritet ndonjë kokë ministri, o zv/ministri, o drejtori
për punë korrupsioni; ku vetë Olldashit i
kanë arrestuar zv/ministrin dhe drejtorin e
Përgjithshëm të Rrugëve, pikërisht për korrupsion
tenderësh; e pra, në mes të gjithë kësaj, të
jesh në gjyq për artikull ku ke folur për korrupsionin,
kjo s‘ka ku të rrijë.
Aktualisht ç‘po ndodh?
Aktualisht po ndodh ajo që ndodh në çdo gjyq
të këtij lloji, që me thënë të drejtën kishte ca vjet
që nuk ndodhnin dhe uroj që ky i imi të mos jetë
preludi i një vale të re gojë-mbylljeje. Pikërisht për
këtë iu përgjigja me dëshirë kërkesës suaj për këtë
intervistë, për të tërhequr vëmendjen jo mbi veten,
por mbi fenomenin dhe mbi dëshirën e pashuar
të pushtetit që, sa herë ulet vëmendja, aq
herë është po ai që ka qenë gjithmonë dhe ngado,
me ata që e bezdisin: i pabesë dhe i ashpër. Merre
me mënt pastaj, kur këtyre karakteristikave u shtohet
edhe ligësia e një kategorie pushtetmbajtësish,
si puna e këtyre që kemi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›