Nëna sjellë në jetë foshnjën në Urgjencën e Traumës falë ndërhyrjes së ekipeve mjekësore

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Një grua shtatzënë ka sjellë në jetë foshnjën e saj pasi u paraqit në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, nëna iu drejtua Spitalit të Traumës si struktura më e afërt spitalore, ndërsa falë koordinimit mes ekipeve mjekësore të SUT dhe Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, lindja u realizua në kohë dhe me sukses.
Ministria bën me dije se si nëna, ashtu edhe foshnja gëzojnë shëndet të plotë.
“Falë koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimit të ekipeve mjekësore të SUT dhe SUGJ “Koço Gliozheni”, ndërhyrja u realizua në kohë, duke garantuar kujdesin e nevojshëm për nënën dhe të porsalindurin”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
1 nga 3/m.q/j.p/