E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshoni ligjin “për faljen”

 

Armand Bajrami

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani i rekomandon Kryeministrit të vendit dhe Ministrit të Drejtësisë hartimin e një projekt-ligji të ri “Për falje”. Kërkesa e Dobjanit është dërguar vetëm një ditë pasi Presidenti i Republikës, dekretoi falje dënimi për 37 të burgosur në burgje të ndryshme të vendit. Sipas Avokatit të Popullit, ligji që zbatohet aktualisht “për faljen” është i vjetëruar në kohë. Nga shqyrtimi që ekspertët i kanë bërë ligjit aktual, theksohet se ai përmban gjithsej vetëm 5 nene dhe se “nuk përmban shumë elementë thelbësore që duhet të ketë një ligj i rëndësishëm për legjislacionin shqiptar”. Në rekomandimin e tij, drejtuar Kryeministrit Berisha dhe ministrit Alibeaj, ku u kërkon hartimin e një projekt-ligji të ri, Dobjani ka cilësuar në mënyrë të detajuar elementët që duhet të përmbajë ligji i ri “për faljen”.
Ligji i ri
Rekomandimi që mban datën 7 prill 2009 i shpreh kryeministrit, Sali Berisha dhe Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, propozime konkrete për ndryshimin që i nevojitet ligjit për faljet. “Avokati i Popullit mendon se ky ligj kërkon një ndryshim tërësor dhe cilësor për vetë rëndësinë që ai paraqet. Miratimi i një ligji të ri bashkëkohor do të ishte një hap i rëndësishëm, sidomos për të siguruar transparencën e duhur nga autoritetet përkatëse, për të mos i lënë vend edhe komenteve abuzive të përdorura vitet e fundit”, thuhej në rekomandim. Sipas Avokatit të Popullit, në ligjin aktual për faljen, ligj ky i miratuar në 1981 dhe i ndryshuar në 1993, nuk përcaktohen kriteret që duhet të plotësojë çdo i dënuar për të pasur të drejtën e faljes.
ELEMENTET
Dobjani i ka radhitur në rekomandimin e dërguar të gjithë elementët, që duhet të përfshihen në ligjin e ri. Sipas Avokatit, subjektet që do të kenë të drejtën të bëjnë propozim për faljen e dënimit duhet të jenë nga ata persona që janë më afër problemeve të popullit. Me këtë Dobjani nënkupton Kryetarët e Bashkive dhe Komunave ku ka vendbanimin i dënuari, deputeti i zonës elektorale, Avokati i Popullit, organizatat joqeveritare në mbrojtje të të Drejtave të Njeriut, që ushtrojnë aktivitet human dhe jofitimprurës, shërbimi i provës etj. Në kriteret që një i dënuar duhet të plotësojë për të marrë të drejtën e faljes, AP-ja rekomandon se veç llojit të veprës penale duhen pasur parasysh edhe profili i tij personal, përfshi këtu edhe sjelljen e tij në burg, gjendjen shëndetësore, gjininë, moshën dhe rrethanat familjare. Në rekomandim, Dobjani saktësonte edhe dokumentacionin që duhet të plotësojë organi që ka të drejtën e propozimit të faljes.

Ligji, afat për kthimin e përgjigjes
Në rekomandimin e tij për një ligj të ri “për faljen”, Avokati i Popullit sugjeronte vendosjen e një afati kohor për dhënien e përgjigjes për miratim apo jo të faljes, të përcaktohet shprehimisht në ligj. “Mendojmë që të vendoset një afat kohor i arsyeshëm për dhënien e një përgjigje që mund të jetë jo më shumë se gjashtë muaj nga data e aplikimit”, thuhej në rekomandim. Sipas AP-së, ky afat është parë si mëse i mjaftueshëm edhe për shqyrtimin e kërkesave për informacione shtesë që mund të kërkojë institucioni i Presidencës nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›