Nënat në karrierë, “mali” i problemeve me të cilat përballen
Frustrimi, lodhja dhe shpesh edhe zhgënjimi me të cilin përballen nënat, të cilat janë njëherazi edhe gra në karrierë janë mjaftueshme për të të luajtur mendsh. Ja disa nga vështirësitë më të mëdha, me të cilat ato duhet të përballen gjatë këtij rrugëtimi që zë një pjesë të mirë të jetës.
Ankthi dhe pagjumësia
Janë fenomenet me të cilat gra të tilla mund të përballen në orën 03:15 të mëngjesit. Gjumi del nga shqetësimi për mbledhjen e ditës së nesërme, për faktin nëse do të kujtohet apo jo djali juaj që të marrë me vete në shkollë shishen me dy litra ujë të kripur që i dhatë për eksperimentin në orën e Biologjisë, dhe për faktin se bashkëshorti duhet nxitur sërish për të përcaktuar një plan të saktë për pushimet me familjen.
Rrëmuja e veshjes
Edhe pse mund ta mbani lavatriçen në punë non-stop, fëmijët tuaj do të jenë gjithmonë të papastër, të zhubrosur, vende-vende me rroba të grisura. Shpesh qëllon që të bëhet një rrëmujë e madhe për të gjetur pantallonat apo bluzën e preferuar, që kur gjendet del se është e vogël apo ka një njollë të madhe.
Keqardhjet e mëdha
Është lista e gjatë plot me pishmanllëqet që kanë të gjitha nënat, të cilat kanë zgjedhur familjen dhe punën njëherazi. Janë keqardhje që do t’i marrin me vete deri në shtatin e vdekjes dhe kanë të bëjnë me mungesat e tyre në rastet më të rëndësishme të fëmijëve, si për shembull, në shoqërimin në veprimtari të ndryshme, ne pjesëmarrjen në shfaqjen teatrale, apo mospërgatitjen e një darke të ngrohtë në shtëpi.
E-mail-et e mëngjesit
Shpesh përpiqemi që të bëjmë një pjesë të punës së ditës në orët e para të mëngjesit, për të pasur më shumë kohë të lirë në orët në vijim. Por kjo na e bën ditën më të gjatë e më të lodhshme, dhe si përfundim ngarkesa e punës vazhdon të mbetet ajo që ka qenë.
Mungesa e miqve të duhur
Ah... si nuk ka kurrë të tillë miq që t’ju ndihmojnë, duke ua marrë fëmijët nga shkolla kur ju del papritur e pakujtuar një mbledhje urgjente në orën kur duhej që të dilnit nga shtëpia. Edhe kur ndonjëherë ndodh një mrekulli e tillë, ajo nuk përsëritet më dhe i ngjan një vegimi.
Faji i linjave
Në ato pak minuta që mund të keni në dispozicion për t’u marrë me veten, zakonisht në mëngjes, e vini re se sa jeni shëndoshur pas lindjes së fëmijës së dytë, dhe ndryshe nga rasti i fëmijës së parë, ai “rripi i dhjamit” që nuk po largohet nga beli është vërtet i shëmtuar. Ka shumë mundësi që ky rrip dhjami t’ju shoqërojë gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës, ndaj më mirë të filloni të mësoheni me të.
Të kesh gjithçka
Nënat që janë edhe në karrierë janë mësuar vazhdimisht që të konsiderohen nga njerëzit e tjerë si gra që kanë “gjithçka”. Ato vete nuk janë gjithmonë të sigurta për një gjë të tillë. Sigurisht që ndihen të bekuara nga fëmijët, bashkëshorti dhe puna, megjithatë, sa për informacion të grave të tjera, askush në këtë botë nuk mund të ketë gjithçka.
Injorojeni ngarkesën
Është e njëjta këshillë që vlen për kamerieret. Mos u përqendroni shumë te ngarkesa, sepse mund të rrëzoheni, por shihni drejt përpara tek objektivi. Nëse do të ndërgjegjësoheni më shumë se ç’duhet për “barrën” që keni, mund të qëllojë edhe që të rrezoheni.
Mbretëria e “jo”-së
Është ai vendi magjik, që nuk ekziston askund tjetër veçse në fantazinë tuaj, ku ju nuk ndiheni kurrë në faj kur thoni “Jo”.
Lista e paradokseve
Gjithmonë bëni një listë për t’ju ndihmuar që të ndiheni në kontroll të situatës dhe të ngjarjeve. Megjithatë, ajo mbetet një listë e paplotë, për shkak se nevojat janë shumë më të mëdha dhe mbi të gjitha është gjithmonë një listë që nuk përmbushet kurrë. Një nënë moderne
Për fëmijët e sotëm nuk mjafton që të jeni vetëm një nënë që di të bëjë ushqim, që lexon libra para gjumit, apo që lan rrobat mirë. Që të keni një vlerësim të madh në sytë e fëmijës, duhet edhe që të mësoni përmendesh ndonjë varg nga kënga më e fundit e grupit të preferuar, apo të dini emrin e personazheve kryesore të filmave vizatimore më të ndjekur.
Reformimi i bashkëshortit
Është një proces që zakonisht ndodh para gjumit, apo kur më në fund keni rënë në shtrat me bashkëshortin dhe filloni e i numëroni të gjitha gjërat që ka lënë mangët gjatë ditës në lidhje me detyrimet e tij dhe se si duhet të ndryshojë në të mirë të familjes, duke filluar nga dita e nesërme.
Gardëroba
Për shumë kohë nuk do ta keni mendjen aty, edhe pse mund të keni qenë një vajzë e re me shumë gusto dhe e dhënë pas veshjes. Madje, mund të ketë raste kur miqtë apo kolegët do të rrudhin buzët kur t’ju shohin në mëngjes.
12 Qershor 2010