E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liqeni i Prespës jep alarmin “SOS”, bie niveli i ujit me 8 metra



Nën kujdesin e Universitetit të Tiranës, u zhvillua dje në sallën e senatit të Rektoratit të UT-së, seminari shkencor “Menaxhimi i qëndrueshëm i ujërave ndërkombëtarë: Liqeni i Prespës”, ku u paraqitën rezultatet e një studimi katërvjeçar nga profesorë shqiptarë, grekë, maqedonas dhe britanik, mbi Liqenin e “Prespës”. Studimi në fjalë ka nxjerrë rezultate shumëdisiplinore, duke treguar mbi rrezikun që i kanoset Liqenit të Prespës, nga rënia e nivelit të vazhdueshëm të ujërave. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, e cilësoi si mjaft të rëndësishëm këtë studim. Ai theksoi se si një ekosistem që prek tre shtete, Liqeni i Prespës duhet të jetë në vëmendjen tonë, por jo të veçuar, sepse së bashku shkencëtarët nga vendet tona mund të arrijnë rezultate shumë herë më të kënaqshme dhe produktive, duke vlerësuar edhe institucionet kërkimore në vend, që ishin nën varësinë e Akademisë së Shkencave, e që tani janë në varësinë e universiteteve. Dy profesorët shqiptarë Prof.Dr. Sokrat Amataj dhe Prof.Dr. Molnar Kolaneci parashtruan rezultatet e studimit katërvjeçarë shumëdisiplinorë dhe me bashkëpunim mes katër shteteve, të cilat mund t’i gjeni bashkangjitur.
Palët pjesëmarrëse në projekt
Projekti “Menaxhimi i qëndrueshëm i ujërave ndërkombëtare: Liqeni i Prespës” ka nisur në vitin 2005 e përfunduar në fund të vitit 2009. Ai është realizuar në kuadrin e me mbështetjen e programit “NATO, Science for Peace and Security”. Veç zgjidhjeve me interes shkencor e ekonomik, ky program dhe, konkretisht, projekti në fjalë kishte për synim afrimin e bashkëpunimin e institucioneve akademike kërkimore shkencore dhe të specialistëve përkatës të Shqipërisë, Greqisë dhe FYRO Maqedonisë, që ndajnë mes tyre sistemin liqenor Ohër-Prespë, si një mundësi për trajtimin e problemeve të përbashkëta me forca të përbashkëta dhe, për pasojë, për implementimin e paqes dhe të sigurisë në rajon. Palët pjesëmarrëse në projekt ishin FYROM e Shqipëria, si partnere të NATO-s, dhe Greqia e Mbretëria e Bashkuar, si anëtare të saj. Sipas rregullave të menaxhimit të këtij programi, drejtori i përgjithshëm i projektit u caktua nga këto të fundit, dhe pikërisht nga Britania e Madhe. Pjesëmarrësit nga vendeve të tjera në projekt, kishin statusin e bashkëdrejtorëve të tij, nga një për secilin vend, me përjashtim të Shqipërisë, që kishte dy të tillë.
Problemi, ulja drastike e nivelit të ujit
Problemi në qendër të projektit lidhet me uljen drastike të nivelit të ujit në Liqenin e Prespës, që ka nisur nga fillimi i viteve 1980 e që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në këto dy-tre dekada të fundit, ky nivel është pakësuar me rreth 8 metra, gjë që përbën një shqetësim të madh për të tre vendet tona, po të mbajmë parasysh se 8 metra është thellësia maksimale e liqenit të Shkodrës dhe se kjo thellësi në vet liqenin e Prespës është afro 50 metra. Pasojat e këtij fenomeni duhen konsideruar në tri aspekte:
1. Në vet Liqenin e Prespës pakësimi i vëllimit total të ujit në liqen favorizon rritjen e përqendrimit në ujërat e tij të pesticideve, herbicideve e ndotjeve komunale që krijohen në veprimtaritë bujqësore, komunale e turistike të zonës. Kjo do të çonte në pakësimin e kapacitetit biologjik të sistemit, duke dëmtuar gradualisht florën dhe faunën e tij, si dhe veprimtaritë komunitare të peshkimit e tw turizmit, ndërkohë që shumë investime që janë bërë në këto sektorë, shkëputen ndjeshëm nga liqeni e ndahen prej tij nga zona që dikur mbuloheshin prej ujërave të tij, tashmë të papërshtatshme dhe aspak atraktive për turizmin.
2. Në një aspekt tjetër, proceset e degradimit të Liqenit të Prespës mund të gjenerojnë një zinxhir pasojash në burimet sipërfaqësore të Tushemishtit, Drilonit, e Zagorçanit – në territorin Shqiptar, si dhe të Shën Naumit – në territorin e FYRO Maqedonisë, apo dhe në burimet nënliqenore të Ohrit, me origjinë po nga Liqeni i Prespës, që nuk janë studiuar ende. Këto burime, përveçse si atraksione turistike, përdoren në një pjesë të mirë të tyre edhe si burime uji të pijshëm, apo si furnizime për teknologjitë e industritë e zonës, kultivimin e peshkut, etj. Në një shtrirje më ekstreme të pasojave të procesit që ndodh aktualisht në Prespë, vet Liqeni i Ohrit mund të ndikohet në një periudhë më afatgjatë, e kjo të pasqyrohet edhe në basenin e Lumit Drin, deri në Liqenin e Shkodrës.
3. Së fundi, duhet kujtuar që sistemi liqenor Ohër-Prespë është unik për nga vlerat që ka në shumë drejtime, jo vetëm për vendet tona e rajonin, po akoma më gjerë. Proceset që ndodhin aktualisht në njërën nga komponentet e tij, nuk mund të mos ndikojnë mbi këto vlera, duke rrezikuar një ekuilibër ekologjik të krijuar e vendosur qindra e mijëra vjetësh. Shkaqet që duket se qëndrojnë në themel të këtij fenomeni mund të jenë të ndryshme, por më kryesoret e tyre janë: ndërhyrjet njerëzore; ndryshimet e mundshme të kushteve klimatike e hidrometeorologjike të zonës; intensifikimi i lidhjeve nëntokësore të supozuara midis liqeneve të Prespës e atij të Ohrit, për arsye që lidhen me tektonikën e zonës apo ndonjë faktor tjetër. Nga kjo paraqitje e problemit dhe sistemit, gjithsesi e shkurtuar e në nivel informativ, del se kemi të bëjmë me një diapazon shumë të gjerë problemesh e situatash, që duhen trajtuar përmes angazhimit të institucioneve përkatëse nga të tre vendet pjesëmarrëse në projekt.
Institucionet pjesëmarrëse në projekt
Veprimtaritë dhe rezultatet kryesore të institucioneve kërkimore shkencore shqiptare në kuadër të projektit:
1. Qendra e Fizikës Bërthamore të Zbatuar kishte detyrë të projektonte, drejtonte e organizonte studimin e komunikimeve hidraulike nëntokësore mes Prespës e Ohrit me anë të gjurmuesve fluoreshentë. Në këtë kuadër, Prof.Dr. Sokrat Amataj, përveç detyrës si bashkëdrejtor i projektit në veprimtaritë përkatëse të palës shqiptare në territorin e saj, u caktua dhe si koordinator e drejtues i projektit për gjithë veprimtaritë e këtij drejtimi në të tre shtetet.
Specialistët e qendrës kryen disa ekspedita për njohjen e sistemit në studim, qëllimi i të cilave ishte identifikimi dhe lokalizimi i zonave me humbje uji në liqenet e Prespës së Madhe e të Vogël, si dhe i hinkave karstike në kurorën e Malit të Thatë e masivin ndarës mes dy liqeneve të Prespës, ndërkohë që në këmbët dhe në shpatet e Malit të Thatë e në brigjet e liqenit të Ohrit, që nga Ujësjellësi i Pogradecit (Tushemisht), deri në pikën kufitare të Tushemishtit, u bënë për herë të parë rikonjicione sistematike për të zbuluar burime të reja ujore e vlerësuar intensitetin e tyre. Rezultatet e gjetura prej tyre u përdorën për evidencimin e pikave të mundshme të kampionimit e të injektimit të gjurmuesve, që, përveç nevojave të studimit konkret, përbëjnë një bazë e plotë për të gjitha studimet e ardhshme në këtë zonë. Krahas kësaj, ata hartuan e përpunuan një numër metodikash analitike në Laboratorin e Gjurmuesve në Qendër, në funksion të detektimit e matjes së gjurmuesve në mostra ujore e të karbonit aktiv, etj. Studimi me gjurmues fluoreshent vazhdoi me injektimin e një sasie Uranine në Zaver, në fshatin Goricë të Prespës, e me mbledhjen e mostrave, analiza e matje, përpunimin e rezultateve të marra e interpretimin e tyre. Specialistët e qendrës përgjithësuan të dhënat nga studimi për gjithë sistemin, duke përfshirë edhe pjesën e tij në territorin FYROM, hartuan raportin teknik të studimit me gjurmues, trajnuan kolegët e tyre të Universitetit Kirili e Metodi (Shkup) në përdorimin e metodave spektrofluorometrike, dhe i ndihmuan ata për kalibrimin e instrumentit të tyre për analiza të Uraninës. Së fundi, specialistët e kësaj qendre dhanë një ndihmesë të spikatur në diseminimin e rezultateve të studimit të tyre e të projektit, në përgjithësi, si në Qendrën Kërkimore Shkencore Joanneum (Graz, Austri), në seminarin shkencor të Podgoricës, Mali i Zi, në takimet me end-user të projektit, apo në konferenca shkencore ndërkombëtare, si ajo e shtatorit 2009, në Maltë, etj. Në fushën e kualifikimit shkencor e të përgatitjes së shkencëtarëve të rinj, specialistët e qendrës ndihmuan shkencëtarët e rinj shqiptarë në përgatitjen e mbrojtjen e tezave për Master në Filozofi pranë Universitetit të Wales (UK), që ishin ndërtuar mbi bazën e rezultateve e të nevojave të studimit. Instituti i Energjisë, Ujit e Mjedisit, pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës (ish Instituti Hidrometeorologjik) kishte për detyrë kryesore të monitoronte elementet hidrometeorologjike në rajonin e Prespës. Kjo parashikonte hartimin e një programi monitorimi, që përzgjidhte objektet ujore dhe elementet meteorologjike që duheshin monitoruar, si dhe përcaktonte frekuencat e monitorimit e formatin e database-it që nevojitet për llogaritjen e bilancit ujor. Në këtë kuadër, Prof.Dr.Molnar Kolaneci, përveç detyrës së bashkëdrejtorit të projektit për veprimtaritë përkatëse të palës shqiptare, u caktua të koordinonte e drejtonte monitorimin hidrometeorologjik në të tre shtetet gjatë një viti të plotë hidrologjik (2007). Monitorimi përfshinte vrojtime të nivelit të ujit në Liqenin e Prespës, matjen e prurjeve në burimet e Drilonit e Tushemishtit, matjen e reshjeve dhe temperaturave në stacionet Liqenas e Goricë, etj. Informacioni hidrometeorologjik i mbledhur në sistem në këtë periudhë iu nënshtrua një kritike e analize të detajuar, duke e bërë të përdorshëm për gjithë pjesëmarrësit në projekt në fazën përfundimtare të tij - llogaritjen e bilancit ujor të liqenit. Rezultatet e monitorimit e llogaritjes së bilancit ujor çuan në përfundime të vlefshme për kuptimin e fenomenit të rënies së nivelit të ujit në Prespë dhe për administrimin e kësaj pasurie kombëtare. Një prej tyre ishte përfundimi që ky fenomen është ciklik, me periodë shumë më të madhe se periudha e vrojtimeve të dokumentuara të Liqenit të Prespës. Të dhënat e bilancit ujor treguan se një pjese e ujërave të Liqenit të Prespës dalin në Liqenin e Ohrit si burime nënujore (përveç burimeve të dukshme të Drilonit dhe Tushemishtit), fakt, ky, që sugjerohet të studiohet më hollësisht në të ardhmen.

12 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›