E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Koruti: “Skena shqiptare më ka falur talentin”



Energjik dhe me një performancë të veçantë është paraqitur gjithmonë në skenë. Altin Koruti, balerini shqiptar që ka emocionuar dhe ka performuar për shumë vite në skenën greke, rrëfen për “Albania Weekend” fillimet në skenën shqiptare dhe largimin drejt shtetit fqinj, Greqisë. Ka 18 vjet që është larguar dhe ka interpretuar me sukses në Greqi, ku është cilësuar si balerin i talentuar i Teatrit të Athinës. I ftuar në rolin kryesor në premierën “Zorba”, që pritet të vihet në skenë në fund të qershorit nga koreografi Arjan Sukniqi, ftesa e bërë nga Zhani Ciko i ka ngjallur një emocion. I pyetur rreth këtij rikthimi ai tha se “e kam pritur shumë i emocionuar pasi që ditën e parë që më kanë bërë telefon u emocionova shumë. Ka qenë ëndrra jonë të kthehemi pas 17 vitesh dhe të interpretojmë përpara publikut që na ka rritur dhe na ka frymëzuar për të ecur në këtë rrugë të bukur arti. Rikthimi për mua është shumë i veçantë, pasi të vish dhe të kërcesh në skenën tende një balet siç është ‘Zorba’ dhe të kërcej aty ku unë hodha hapat e parë të jetës sime, të sjell një kapitull të ri në karrierën tënde. Atë ditë që më ka bërë telefon Zhani Ciko direkt më vajti mendja te publiku. Si do të ishte? Do të ketë ndryshuar apo do të jetë i njëjtë? Gjatë atyre ditëve nuk më ka zënë gjumi nga gëzimi”.
Ishin pikërisht vitet ’90 ku ai spikati si një balerin solist pranë TOB-it. Gjatë këtyre dy viteve interpretoi disa nga rolet më të spikatura të baletit. Ikja drejt skenës greke ishte komplet e rastësishme, për të mos thënë një aventurë mes shokësh, duke braktisur çdo gjë që kishte të bënte me fillimet e një karriere të suksesshme. Mes shumë vështirësive që e ndoqën gjatë atyre viteve, falë punës dhe talentit që e kishte të lindur, arriti të bëhej pjesë e rrethit të artistëve grekë.
Gjatë kësaj interviste kujton me nostalgji duartrokitjet e para që ka marrë në fillimet e karrierës. Me një gamë të gjerë shfaqjesh të vëna në skena të rëndësishme të baletit në Greqi, si në Akropol apo në Teatrin e Operas dhe Baletit të Athinës, Altin Koruti dhe shumë artistë të tjerët me origjinë shqiptare kanë bërë emër falë talentit të tyre.

Kush është Altin Koruti për publikun shqiptar?
Altin Koruti është një kërcimtar balerin që ka mbaruar shkollën “Jordan Misja” në Tiranë në vitet 1990. Më pas konkurrova dhe u bëra pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit si solist i trupës së baletit. Gjatë këtyre dy viteve në Teatrin e Operas kam kërcyer shumë role dhe ato role që kam mbajtur mend janë Toreadore, pjesë nga “Zhizeli” dhe shumë pjesë të tjera nga autorë me famë botërore. Gjatë shkurtit të vitit 1992 unë u largova për në Greqi. Në fillim, kur u shkëputa nga Opera dhe u largova, çdo gjë dukej e lehtë, por nuk ndodhi ashtu, pasi ikja ime në Greqi në fillim ka qenë shumë e vështirë për vetë faktin se nuk gjeja dot punë në mënyrë që të punoja balerin. Gjatë viteve ’92-’93, gjatë kohës që unë përpiqesha të stabilizohesha në Greqi, u njoha me një koreograf, i cili më ndihmoi jashtëzakonisht shumë pasi më prezantoi dhe më hapi rrugën drejt baletit në një vend të huaj. Në vitin 1994, në Teatrin Kombëtar të Operas u bë një konkurs në Athinë për solist balerin. Konkurrova dhe më pranuan. Një rastësi e bukur ishte sepse sa u bëra pjesë e trupës rolet e para që më shfaqën në skenën greke ishin rolet që kisha luajtur dhe në skenën shqiptare. Nga viti 1995 deri në këtë moment unë jam pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit të Athinës si solist balerin. Në atë teatër jemi rreth dhjetë shqiptarë që prekim në çdo premierë skenën me sukses. Para ca kohësh më bëri një telefonatë profesor Zhani Ciko, ku më tha se isha pjesë e kësaj shfaqjeje që po vihej për herë të parë në skenën shqiptare me koreografi të Arjan Sukniqit. Koreografin e njohur të skenës shqiptare e njoh personalisht, pasi gjatë fillimeve të mia kam bërë disa koreografi me të. Është një koreograf i talentuar, e them me bindje, pasi i kam ndjekur të gjitha punët e tij gjatë këtyre viteve dhe shfaqjeve që ka përcjellë nëpër Europë. Premiera “Zorba” vjen në skenën shqiptare me motive ballkanike dhe shpresoj që të ketë një performancë mbresëlënëse për publikun shqiptar.

Çfarë është për Altin Korutin rikthimi në skenën shqiptare pas kaq vitesh?
Këtë rikthim e kam pritur shumë i emocionuar, pasi që ditën e parë që më kanë bërë telefonatën u emocionova shumë, pasi ka qenë ëndrra jonë të kthehemi pas 17 vitesh dhe të interpretojmë përpara publikut që na ka rritur dhe na ka frymëzuar për të ecur në këtë rrugë të bukur arti. Rikthimi për mua është shumë i veçantë, pasi të vish dhe të kërcesh në skenën tënde një balet siç është “Zorba” dhe të kërcej aty ku unë hodha hapat e parë të jetës sime. Atë ditë që më ka bërë telefonatë Zhani Ciko direkt më vajti mendja te publiku: si do të ishte, do të ketë ndryshuar, apo do të jetë i njëjtë?

Jeni në ditët e para të provave për baletin “Zorba”. Sa të vështirë e keni ta sillni këtë rol në skenën shqiptare?
Po bëjmë gati një javë që kemi nisur provat pranë Teatrit të Operas dhe Baletit. Ky rol nuk është hera e parë që më besohet, pasi e kam interpretuar dhe në skenën greke, edhe pse atje ka qenë komplet ndryshe. Ndërsa Arjan Sukniqi e ka trajtuar në mënyrë moderne, i ka vënë dhe karakterin grek. Në fakt, gëzimi im përkoi dhe me rolin që m’u besua, pasi unë e njoh mirë këtë rol, e kam kërcyer edhe në skenën greke. Zorba është një rol shumë i bukur, roli i të moshuarit, është heroi kombëtar i Kretës dhe për mua është një rol shumë i veçantë, pasi atë emocion që provova me këtë rol në Greqi doja ta provoja dhe në skenën ku më dha rrugën drejt këtij arti. Kudo ku kemi shkuar, në Australi, Turqi, Egjipt, ka pasur shumë sukses. Shpresoj që, edhe pse është një vepër që vihet për herë të parë në skenën shqiptare, të ketë një sukses siç ka pasur në skenat europiane.

Sa ka arritur gama e personazheve tuaja gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë viteve?
Gjatë gjithë këtyre viteve kam bërë shumë role. Trembëdhjetë vjet jam pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit të Athinës, kam kërcyer shumë role dhe nuk mbahen mend.

Cili rol ju ka lënë më shumë mbresa?
Në fakt, gjatë karrierës sime kam bërë shumë role që më kanë lënë mbresa. Por një rol që më ka emocionuar më shumë ka qenë te një balet kombëtar, “Karagjozi”, ku interpretova rolin kryesor. Më pas role që unë i kam për zemër kanë qenë: Don Kishoti, Zhizeli, Romeo te “Romeo dhe Zhulieta”, te “Karmen” Ihoze dhe në fund fare, para se të vinim këtu, një koreograf shumë i njohur, Zhanela, i cili ka qenë dhe drejtori i Teatrit të Operas së Gjenevës, erdhi dhe më besoi një rol shumë të veçantë së bashku me kolegun tim Bledi Latifi, i cili ka dhe një rol këtu te premiera “Zorba”. Janë shumë role, nuk mund të veçoj ndonjërin; për mua të gjitha rolet kanë qenë të veçanta.

Cila ka qenë periudha më e bukur për ju gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë viteve?
Periudha më e bukur për mua ka qenë vjet kur koreografi i madh Zhanela më besoi një rol kryesor dhe nuk ishte një shfaqje e Teatrit të Operas. Gjatë kësaj shfaqjeje të pranishëm ishin dhjetë yjet e botës nga Rusia, Parisi, Spanja etj. Kjo përzgjedhje që bëri Zhanela për mua ishte dhe maja e suksesit tim, pasi debutova para çifteve më të famshme botërore në një skenë të magjishme. Por nuk mund të them se rikthimi im pas kaq vitesh në skenën ku u rrita nuk mund të jetë periudhë që mua do të më mbetet mbresëlënëse në kujtesë. Ky rikthim me baletin “Zorba” në vendlindjen time është shumë domethënëse, pasi është një balet i famshëm dhe njëkohësisht dhe muzika është shumë e bukur. Nuk mund të lë pa përmendur dhe pjesët e tjera që e bëjnë të kompletuar këtë shfaqje, siç është kori, solistët e teatrit, kostumografët etj.

Po periudha më e vështirë?
Periudha më e vështirë për mua ka qenë largimi nga Shqipëria dhe fillimet e karrierës sime në Greqi. Kur mbarova shkollën këtu dhe isha pjesë e Teatrit të Operas si solist, mendova se atje do të më prisnin me lule, por në fakt nuk ndodhi ashtu. Dy vitet e para kam punuar lloj-lloj punësh për të jetuar dhe për t’u sistemuar në vazhdimësi. Pas ca kohësh, me shumë vështirësi, u bëra pjesë e rrethit të artistëve derisa hyra si solist balerin në Teatrin Kombëtar të Athinës. Në fakt shkolla jonë ka pasur një bazë shumë të mirë në balet, ka pasur një elitë profesorësh si Agron Alija, Hajdar Tuni, që ka qenë profesori që më ka ndihmuar në fillimet si balerin e shumë emra të njohur të baletit shqiptar; me pak fjalë një elitë e tërë.

Ndërpritni karrierën në fillimet e saj dhe largoheni drejt Greqisë. Kush ka qenë arsyeja e ikjes?
Në fakt nuk e kam menduar ndonjëherë të ikja në një vend tjetër sepse isha shumë mirë këtu. Shkak u bë një shoku im që ishte atje, Altin Nuta, kërcimtar. Kishte ikur përpara meje. Pasi u rikthye nga Greqia u takuam dhe një ditë të zakonshme kur kishim dalë në xhiro më ngacmoi duke më thënë se atje mund të gjesh mundësi më të mira se këtu. Të them të vërtetën në fillim e mendova si aventurë dhe kështu ndodhi në fakt, ika pa asnjë bazë. Kjo ikje ishte tamam një aventurë, pasi nuk ika me vizë, ika si një refugjat i thjeshtë duke braktisur çdo gjë që kisha nisur në Shqipëri.

Çfarë është për ju familja?
Familja për mua është gjithçka. Në Greqi kam krijuar familjen, jam i martuar me një koreografe, kam dy vajza. Jam shumë i lidhur me familje dhe dëshiroj shumë që vajzat e mia të rriten në praninë time, pasi dua t’i përjetoj çdo moment në hapat e jetës së tyre. E gjithë jeta ime është familja ime.

Si ju shikojmë jashtë skenës, jashtë baletit, në një ditë të zakonshme?
Dita ime nis duke u bërë gati për të ikur në punë, në Teatër, prova për disa orë dhe pas provave gjithmonë ndodhem pranë gjirit familjar. Çdo moment të lirë ua kushtoj atyre, pasi jam shumë i lidhur me familjen dhe dy vajzat e mia. Momentalisht po përgatitem së bashku me bashkëshorten time për të hapur një shkollë baleti në Greqi. Gjithmonë kam thënë dhe vazhdoj ta them që përgatitjen time dhe njohurit e mia dua t’i shfaq jo vetëm në skenë si balerin solist, por edhe të edukoj dhe të rris breza të tërë. Kjo është jeta ime; punë, familje një jetë normale.

Çfarë ndryshimi shikoni në skenën ku jeni ngjitur për herë të parë?
Më ka bërë shumë përshtypje pasi që në momentin që hyra këtu m’u duk sikur nuk kam ikur; rikthimi im ishte thjesht një rikthim i pandryshuar përsa i përket skenës, dhomave të zhveshjes, e njëjta sallë baleti, ndërsa salla e dytë ku kërcenim ne djemtë nuk ishte më, pasi e kishin prishur. Ky rikthim më solli shumë vite pas, më krijoj një emocion sepse çdo gjë ishte si në fillim, e pandryshuar dhe në vendin e vet. Me këtë rikthim në këtë skenë u bë një lidhje e çuditshme, një ndjenë e çuditshme. Në fakt, brezi im në përgjithësi janë larguar, por të gjithë këta balerinë dhe balerina të reja ishin shumë të përgatitur dhe mjaft mikpritës për ne.

Do ta shikojmë përsëri Altin Korutin në skenën shqiptare?
Në qoftë se do të ketë tjetër ofertë do të jem i gatshëm ta sjell përpara publikut që më ka duartrokitur për herë të parë. Për këtë ofertë që m’u bë lashë çdo gjë në Greqi pa e menduar dy herë. Gjatë këtij sezoni kisha dy-tre shfaqje jashtë Greqisë dhe menjëherë e pranova këtë ftesë nga Zhani Ciko. Po të kem ndonjë ofertë tjetër, do të vij përsëri. Për mua është një kënaqësi e madhe të jem pjesë e skenës shqiptare.

Kush janë projektet që ju ndjekin gjatë muajve në vazhdim?
Sapo të mbarojmë me shfaqjen “Zorba” këtu, do të jem aktiv në teatrin “Akropoli”, ku do të fillojmë me provat për premierën “Aida”. Gjatë muajt shtator do të marrim pushimet dhe do të jemi në pritje të projekteve të teatrit.

12 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›