“Nëndetsja” mbyt Vllazninë ne Shkoder

Kjo Dinamo është për kampion. Jo më e brishtë, por agresive. Blutë e Canaj duket se kanë fituar një temperament tjetër. Shumë agresiv. Tepër rezultativ. Në gola dhe në lojë. Edhe ndaj shkodranëve tregoi një pjesë të karakterit të saj. Zgjuarsinë për të fituar, në një fushë, ku një vit më parë, kishte humbur thellësisht 3-0. Vllaznia goditi shtyllën, por golin e shënoi Dinamo. Mbrojtësi gjigand senegelaz Pape Diop u bë heroi i ndeshjes më të rëndësishme ta javës së dytë të Superligës, Vllaznia-Dinamo, të përfunduar me fitoren e cmuar 1-0 të "Bluve" të Agim Canajt, pavarësisht se skuadra nga kryeqyteti luajti për më shumë se 25 minuta me dhjetë lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të sulmuesit Eleandro Pema. Dinamo arriti të përballojë me profesionalizëm vrullin e minutave të pjesës së parë të realizuar nga shkodranët e Mirel Josës, teksa pas pushimit të ndeshjes, arriti të shënojë golin e vetëm të takimit, në minutën e 56 me anë të Diop. Vllaznia përjetoi caste nervozizmi, të cilat u reflektuan edhe në dështimin e sulmuesit kryesor të saj, Vioresin Sinani, por dhe Xhevair Sukajt. Me fitoren ndaj Vllaznisë në "Loro Borici", Dinamo rikonfirmoi se është e përgatitur plotësisht për të qenë një nga favoritet kryesore për titull pas startit të shkëlqyer, teksa kryeson edhe tabelën e klasifikimit me gjashtë pikë, po aq sa Partizani dhe Flamurtari, por me goleverazh me të mirë, 5-0. Vllazninë e pret një tjetër sfidë e vështirë në javën e tretë përballë Partizanit në Tiranë (dy fitore të "demave" në javët e para), ndërsa Dinamo do të presë në shtëpi Kastriotin, që arriti një fitore bindëse me Elbasanin.
VLLAZNIA-DINAMO 0-1
Stadiumi "Loro Borici", Shkodër
Gjyqtarë: L.Jemini, S.Avdo-E.Bicaku
Bilanci: 118 ndeshje, 33 fitore Vllaznia, 39 barazime, 46 fitore Dinamo. Golat: 114-157
Kategoria Superiore
Java 2
Sot
TIRANA-SHKUMBINI 2-0
VLLAZNIA-DINAMO 0-1
FLAMURTARI-SKËNDERBEU 3-1
KASTRIOTI-ELBASANI 2-0
BESËLIDHJA-PARTIZANI 1-2
Neser
TEUTA-BESA, 16:30
Renditja
Dinamo 6
Flamurtari 6
Partizani 6
Tirana 3
Besa 3
Teuta 3
Kastrioti 3
Elbasani 1
Vllaznia 1
Besëlidhja 0
Shkumbini 0
Skëndërbeu 0