E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha po hakmerret politikisht ndaj gazetës “TemA”

Nga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, ka urdhëruar sot ndalimin e botimit të gazetës “TemA”. Dy kordonë të përforcuar policie bllokuan hyrjen e redaksisë, duke bërë të pamundur botimin e gazetës. Gazetarët pritën me orë të tëra para kordonit të policisë, por ata nuk u lejuan të hynin, edhe pse kishin në dorë një vendim të Gjykatës së Tiranës, të datës 6 janar 2009, i cili pezullonte çdo veprim administrativ kundër kontratës 20-vjeçare që gazeta ka me Ministrinë e Ekonomisë. Policia kishte marrë nga Ministria e Brendshme një listë të punonjësve që lejohet të hynin në atë territor, që u përkasin tri kompanive të tjera, dhe kishte hequr nga lista vetëm ekipin e gazetës “TemA”.

Dhjetëra gazetarë të medieve shqiptare iu bashkuan përpjekjeve për të bindur policinë të zbatojë ligjin, por ata nuk pranuan të zbatojnë vendimin e gjykatës. Në këto kushte, gazeta “TemA” nuk mund të botohet dot. Gazetarët nuk kanë më asnjë kontakt fizik me redaksinë ku kanë mjetet e punës, dhe shtypshkronjën ku printohet gazeta.

Redaksia e gazetës “TemA” i bën thirrje drejtësisë shqiptare të vendosë në vend autoritetin e vet, duke penalizuar ata që shkelin brutalisht ligjin për hakmarrje politike.

Gazeta i bën thirrje Presidentit të Republikës, të inkurajojë drejtësinë të bëjë detyrën e saj dhe t’i çojë në bankën e akuzës ata zyrtarë, që iu binden urdhrave të verbra politike dhe jo ligjit.

Gazeta falënderon gjithë gazetarët shqiptarë dhe qindra-mijëra qytetarë shqiptarë që po mbështesin gazetën në këto momente të vështira të saj.

Gazeta falënderon përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Tiranë, për interesin e tyre rreth këtij skandali dhe veçanërisht ndjehet e mbështetur nga reagimi i shpejtë dhe parimor i ambasadës së SHBA në Tiranë.

Gazeta “TemA” do të përdorë gjithë rrugët ligjore për të çuar para drejtësisë ata që po përpiqen ta ndalojnë përmes urdhrave politikë botimin e saj. Ne e dimë se ndëshkimi që kryeministri, Sali Berisha, ka urdhëruar ndaj nesh, pason botimin prej nesh të dosjes kriminale të tragjedisë së Gërdecit dhe lobimit të djalit të tij për këtë kontratë kriminale, historisë së sekserit serbo-boshnjak të familjes Berisha, Damir Fazlliç, historisë së abuzimeve në rrugën Rrëshen-Morinë, si dhe skandalit të privatizimit të ARMO-s. Ky nuk është shantazhi i parë, me të cilin gazeta po ndeshet vitin e fundit. Ky shantazh pason sulme personale dhe familjare deri dhe në cenim fizik të pronës ndaj botuesit të gazetës “TemA”, Mero Baze.

Gazeta “TemA” nuk do të botohet dot sot. Ndoshta, kryeministri, Sali Berisha, mund ta pengojë atë të botohet dhe një ose dy ditë më shumë, por nuk mund ta ndalojë atë. Gazeta do të jetë sërish në treg, sa më shpejt të bëhet e mundur, kurse policët politikë të Sali Berishës dhe vetë ai do të kenë punë me drejtësinë, shtetin ligjor dhe opinionin publik.

Deklaratë e gazetës “TemA”, mbështetur nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Forumi Shqiptar për Mediet e Lira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›