E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marije Kraja, 100 vjet në Teatrin e Operas

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së sopranos lirike Marie Kraja, Artistes së Popullit, dje në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit është vënë në skenë koncerti homazh “Në flatrat e këngës”. Koncerti u luajt nga solistët dhe orkestra simfonike e TKOB-it, nën dirigjimin e Mjeshtrit të Madh, Zhani Ciko. Në mbrëmjen kushtuar sopranos Marije Kraja u luajtën pjesë nga “Idomeneo”, Ivan Susanin”, “Rusalka”, “Mrika”, “La Boheme”, “Tosca”, Rigoletto” etj.

Për meritat e saj si artiste dhe mësuese, Marije Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Është vlerësuar me titullin “Artiste e Popullit”, mban Urdhrin “Naim Frashri” të Klasit të Parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë. Koncerti “Në flatrat e këngës” vjen si bashkëpunim i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ajo lindi më 24 shtator 1911, në Zarë të Dalmacisë dhe vdiq në Tiranë më 21 nëntor 1999. “Këto koncerte jubile, veçanërisht të brezit që po bëhet 100-vjeçar, shënojnë një moment reflektimi për kulturën shqiptare. Arti shqiptar po daton shekullin e tij. Këto figura janë yjet e plejadës së parë lirike shqiptare”, - tha drejtori Zhani Ciko. Po në këtë 100-vjetor, Arkivi i Filmit shfaq ditën e enjte, ora 12:00, një dokumentar mbi jetën dhe veprimtarinë artistike të sopranos Marije Kraja.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›