Rotacioni politik, mall vendi apo importi?...
Ndonëse Edi Rama nuk e lakoi aq shumë fjalën “rrotacion” në programin “Opinion” të ditës së enjte, duket se shpresa e tij e vetme për të fituar zgjedhjet e nesërme, është tkurrur në kufijtë e rrotacionit. Përballë pyetjeve të gazetarit, ngjante si ai i mbyturi që kapet pas çdo barishteje ose - siç thonë - edhe pas flokëve të vet, që të gjejë shpëtim. Asnjë përgjigje të drejtpërdrejtë, megjithëse pyetjet ishin tepër të drejtpërdrejta. Shmangie degë më degë, nervozizëm, premtime pafund e propagandë. Vetëm propagandë, nën duartrokitjet e mërzitshme të ca çupëlinave të FRESH-it. Kush i ka ndjekur përgjigjet e tij me vëmendje, por edhe me durim e me nerva çeliku, do të jetë bindur se ato s’ishin përgjigje por bla-bla-bla. Të gjithë ata që ia dolën të mos i shmangeshin ekranit të TV Klanit atë mbrëmje, do të kenë vënë re, gjithashtu, se, sa herë Rama ndihej ngushtë përballë gazetarit Fevziu, kthente kryet e sytë e zgurdulluar drejt çupëlinave, të cilat, si të telekomanduara nga buzëqeshja e tij e shtirur, shpërthenin në duartrokitje, sa për të tejkaluar situatën, në mënyrë që lideri i tyre të mblidhte veten e të gjente fillin e premtimeve boshe.
Kjo puna e rrotacionit, mesa duket, ka hyrë si ide me markë importi, i vetmi mall që mund të kalojë edhe ca kohë kontrabandë e të ndikoje sadopak opinionin publik. Zaten, kur ia prenë thonjtë maçokut, ky s’pushonte së mjaullirë që t’u krijonte minjve përshtypjen se ishte ende maçok dhe që ata (minjtë), t’ia kishin frikën... Nuk ka si shpjegohen ndryshe hidh-e-pritet për moshën e Kryeministrit, për përrallat me “autoblind” e “antiplumb” ose pispillosjet e vetë Ramës me trëndafila në xhepin e vogël të xhaketës, me rripka e byzylyçka ngjyra-ngjyra në duar, si femër e përdalë. Ngjan se të gjitha marrin shkas dhe gjejnë shpjegim te rrotacioni, mall importi.
Rrotacioni në politikë nuk vjen për shkaqe biologjike, ca më pak për shkaqe që lidhen me modën. Gjithkush që e nxit këtë ide absurde, e cila s’ka asnjë arsye të merret si shkak për të fituar një palë zgjedhjesh, veç sa lodhet derë më derë si prifti me dragaç. Nuk e beson njeri, përballë realitetit që po përjetojnë shqiptarët anekënd vendit, përballë vitalitetit rinor dhe energjisë së pashtershme të Berishës, përballë vullnetit të tij të hekurt për të punuar e për t’i ndërruar fytyrën vendit, përballë karizmës së tij të pashembullt.
Në fund të fundit, kur kemi përpara modelin e suksesshëm të ndryshimit të prekshëm dita-ditës, përse t’u besojmë premtimeve pafund të Ramës, të cilat as vetë nuk i mban mend, po s’ia kujtove? Nuk ia vlen të përsëris atë çka dihet për masakrën urbanistike që i bëri Tiranës sa kohë ishte kryetar i bashkisë. Ajo është thënë e stërthënë, po thuhet shpesh e më shpesh e do të thuhet sa kohë të shkruhet histori. Ai le të mburret përpara fanatikëve të vet sikur e paska e shndërruar Kryeqytetin e Shqipërisë në një qytet europian. Edhe ata le të besojnë mbroçkulla, kur s’kanë ç’të besojnë tjetër. Është njësoj si të ngopen me lugë bosh. Fshati që duket, nuk do kallauz. Dhe, derisa fshati gjendet pa ndihmën e kallauzit, pse iu dashka vendit rrotacioni politik? Realiteti i sotëm shqiptar flet bindshëm se rrotacion nuk do të ketë për aq kohë sa të majtën tonë ta drejtojë rrotaçilja e politikës shqiptare, i cili do të mbahet mend si politikan ekstravagant që e drejtoi fushatën elektorale të sivjetshme duke udhëtuar me autobusin mavi bash, në ato rrugë e ato tunele që i mallkon çdo ditë, çdo orë.
Një miku im, fizikan nga Vlora, ka shkruar dy libra tepër interesantë, ku, në njërin shpjegon artin muzikor, përmes fenomeneve fizike të tingullit, kurse në tjetrin, duke iu referuar dy gjenive rusë, piktorit Kandinski dhe muzikantit Stravinski, shpjegon përafrimin e ngjyrave me notat muzikore. Si piktor, Rama duhet ta njohë si pakkush parimin fizik të ngjyrave bazë, prej të cilave mund të dalë një pafundësi derivatesh. Jo rastësisht, sipas meje, komunistët kanë zgjedhur të kuqen qysh në lindje të ideve komuniste. Jo më kot edhe liberalët kanë parapëlqyer blunë. Janë që të dyja ngjyra bazë.
Sipas mikut tim fizikan, i cili u referohet studimeve të Kandinskit, bluja është “ngjyrë qiellore që evokon qetësi”, kurse e kuqja “ngjyrë e ngrohtë, e gjallë dhe e shqetësuar në vetvete”. Edi Rama, që të hiqej i moderuar, e zbehu të kuqen e paraardhësve të vet në rozë, duke e shpëlarë me të bardhë. Kur e pa që s’i eci me fanatikët, iu kthye mavisë (vjollcës), e cila duke qenë përzierje e së kuqes me blu, nxit ndjenja të ftohta turbullirë. Mesazhi që ka dashur të japë, është lehtësisht i lexueshëm. Më qartë, s’ka si bëhet.
Më tej, sipas mikut tim vlonjat, gjenitë e ngjyrave dhe të tingujve muzikorë, blunë e krahasojnë me të tretën notë bazë të pentagramit muzikor “mi” (do, re mi, fa...), kurse mavinë, me “si-bemol” (notë “e thyer”). Bash këto më kanë rënë ndërmend gjatë gjithë kësaj fushate elektorale, sa herë që lideri demokrat, Dr. Berisha, e ka zënë në gojë kundërshtarin e vet politik me nofkën “shoku i autobusit mavi”.
Duke qenë se lideri socialist është ca “tironc”, ca durrsak, ca vlonjat, ca mirditor e ca ku e di unë se çfarë tjetër, them se duhet ta dijë që në Vlorë, kur duan të vënë në lojë ndonjë leshko, i thonë “bemol”, çka është e barabartë me “dell”, me “trap” a me të tjerë epitete kësisoj. Unë e mbaj mend mirë këtë, ndonëse kanë kaluar afro pesë dekada që jam larguar nga ai qytet i mrekullueshëm, ku kalova vitet më të bukura të rinisë sime. Si mund t’i harroj shprehjet “është një bemol ai, që...”, “hiqu zgjebe”, “hiqu tartabiqe, mos m’ u afro”. Mëkat, që nipi nga Vunoi nuk ka mësuar më tepër për Vlorën prej të afërmve të vet skelarë. Mbase nuk do të kishte zgjedhur ngjyrën mavi, baras me notën “e thyer” si-bemol. Do Zoti që vlonjatët të mos e hanë këtë herë sapunin për djathë.