Përpjekja e Edi Ramës për t’i trajtuar shqiptarët si minj për eksperimente, duhet të ndëshkohet me votë gjithëpopullore
Opozita shqiptare në përgjithësi, kurse vetë Edi Rama në veçanti, e ka filluar fushatën zgjedhore dhe po e mbyll me një qasje shumë nihiliste, shumë përbuzëse dhe fyese për shqiptarët, sepse nga fillimi e deri në fund u mundua të mohonte gjithçka që shqiptarët kanë arritur, përbuzi kur nuk mundi dot t’i mohonte dhe fyeu shqiptarët gjithandej si analfabetë, si robër dhe si skllevër. Nuk la gjë pa thënë ky Edi Rama, që megjithatë ka qejf shumë, ama tepër shumë, që të jetë kryeministër i këtyre “analfabetëve”, “robërve” dhe “skllevërve”. Dëshirën e tij për t’u bërë kryeministër, e arsyetoi se duhet të bëhet ai kryeministër që “t’i arsimojë”, që “t’i çlirojë”, që “t’i çskllavizojë” sipas modelit dhe qejfit të tij, e që nuk është asgjë tjetër, pos dëshirë që t’i analfabetizojë me të vërtetë, që t’i robërojë me të vërtetë, që t’i skllavërojë me të vërtetë. Është kështu për faktin se Edi Rama këtë ka bërë me Partinë Socialiste, të cilën e ka spastruar nga politikanët e vërtetë, nga intelektualët e vërtetë dhe e ka shndërruar në një kooperativë kafshësh, siç është shprehur vetë, e në të cilën, thuajse të gjithë aty janë bërë robër, skllevër dhe shpeshherë edhe objekt shfrimesh histerike dhe skizofrenike të tij. Modeli i lirisë dhe i arsimimit për të cilin flet Edi Rama, është pikërisht modeli që ka në Partinë Socialiste, sipas të cilit model, nëse nuk pajtohesh me të, përjashtohesh nga partia, shpallesh tradhtar, të cenojnë edhe familjen dhe të bombardojnë me fletërrufe. Dhe kështu do të ndodhë edhe me shqiptarët po iu dha mundësia, sepse ai nuk di ndryshe, sepse ai ka treguar se nuk di se çka do të thotë respekti për tjetrin, nuk di se çka është liria, sepse ai nuk di se çka do të thotë debati, dialogu dhe integriteti moral, njerëzor, qytetar, profesional dhe intelektual i të tjerëve. Ai nuk mund të bashkëveprojë, të bashkëpunojë dhe të bashkëbisedojë me të tjerët si i barabartë, sepse të tjerët janë analfabetë, robër e skllevër. Edhe në takimet e programuara dhe të kontrolluara rreptësisht, Edi Rama ka dëshmuar se të tjerët i konsideron të tillë dhe me ta flet sikurse ata të mos kenë tru për të menduar, sikur të mos kenë sy për të parë, sikur të mos kenë veshë për të dëgjuar, sikur të mos kenë fare aftësi për të gjykuar e vlerësuar si njerëz normalë. Ai flet me një gjyshe sikur ajo të ishte një lypëse, flet me një studente sikur ajo të ishte një çupë që nuk ka pasur kurrë libër në dorë, flet me një ushtarak sikur t’i bënte zbor. Por në fakt, ai po tregon se nuk ka lidhje asgjë nga ato për të cilat flet, prandaj premton gjëra marramendëse, mrekullira të papara, ndërkohë që ua kishte torturuar veshët dhe trurët me lloj-lloj rrëfimi nihilist. Por ai në terren u ballafaqua me një realitet tjetër ngaqë e kishte projektuar vetë, e që është realitet i qytetarëve me dinjitet, me dije, me inteligjencë dhe me kulturë qytetare, politike e shoqërore shumë më të lartë se të vetë Edi Ramës. Dhe këta qytetarë që për Edi Ramën janë analfabetë, robër e skllevër, dhe që gjendjen e vendit të tyre, që sukseset e mëdha, por edhe gabimet e qeverisjes i vlerësojnë shumë më mirë, shumë më drejtë dhe shumë më qartë, refuzuan retorikën nihiliste, refuzuan përbuzjen dhe fyrerjet dhe i kërkuan llogari: me se do i bësh gjithë këto premtime të mëdha, gjithë këtë mrekulli që po thua se do i bësh? Dhe këtu filloi sikleti më i madh i Edi Ramës, sepse e kishte të qartë se shqiptarët nuk do të hanë sapunin për djathë, përkatësisht nuk do i hanë përrallat dhe mashtrimet e tij, sepse secili shqiptar e di se sa është bërë gjatë këtyre viteve, sa mund të bëhet dhe si mund të bëhet në të ardhmen. Prandaj, çfarë t’u thoshte shqiptarëve që e nxorën atë analfabet, rob dhe skllav të interesave të qarqeve të komprometuara biznesi, si dhe të qarqeve kundërshqiptare. Prandaj, u tha: shikoni, unë nuk e di se sa i realizueshëm është programi ynë, por ju besoni se do të realizohet, dhe na e jepni votën, e pas një viti do të shohim se sa i realizueshëm është ky program. Me fjalë të tjera shqiptarëve ua bëri të qartë se ata i trajtonte jo vetëm analfabetë, robër e skllevër, por edhe minj me të cilët do të eksperimentojë sipas qejfit, kurse shtetin shqiptar e konsideron një laborator të madh ku kryen eksperimentet e tij. Dhe kjo është fyerja më e madhe që një politikan mund t’ia bëjë popullit të tij, që mund t’ia bëjë shtetit të tij, sepse të trajtosh njerëzit minj për eksperimente, kurse vendin laborator për eksperimente, do të thotë t’i trajtosh në mënyrën më përbuzëse, më kafshërore dhe më poshtëruese. Por kjo shpreh vetëm personalitetin e çrregullt të vetë Edi Ramës, tregon patologjitë e shumta psikologjike të tij, si dhe shpërfaq reminishenca të një regjimi që shqiptarët i përdori, po ashtu, si minj për eksperimente, me qëllim që të sprovohej dhe të realizohej shpërlarja e trurit, thyerja e personalitetit, e privatësisë dhe e veçantisë ontologjike, gnoseologjike dhe akseologjike, dhe krijimi i njeriut të ri, i njeriut robot, i njeriut që nuk duhet të ketë lirinë dhe aftësinë për të menduar me mendjen e vet, që të mos bëjë atë që do vetë. Prandaj, edhe me trajtimin që ua bën Edi Rama shqiptarëve, sikur mundohet të përsërisë eksperimentin e bërë nga regjimi në fjalë dhe nga e heqë origjinën biologjike dhe ideologjike edhe vetë ai. Por dallimi është se Edi Rama nuk po bëhet dot ai që ishte dikur Enver Hoxha, sepse në fakt, shqiptarët nuk mund të pranojnë të jenë minj eksperimentesh të tij,. Për këtë arsye, u bë e qartë se vetë ai është viktimë e eksperimentit që kanë kryer etërit e tij ideologjikë e biologjikë, por edhe i përpjekjes për të bërë eksperiment me shqiptarët dhe me shtetin shqiptar. Prandaj, kjo fushatë që është në fundin e saj, dëshmoi se politikani më analfabet, më rob dhe më skllav është vetë Edi Rama, kurse shqiptarët dëshmuan se janë njerëz me dinjitet, me integritet dhe me dije, inteligjencë dhe kulturë të lartë qytetare, me kulturë të lartë politike, si dhe të denjë e të gatshëm për t’u ballafaquar me sfida të reja për të mirën e tyre, të kombit dhe të shtetit shqiptar. Këtë e dëshmuan jo vetëm me kërkesën bërë Edi Ramës për faturën financiare dhe të burimeve se nga do të sigurohet pagesa e asaj fature, por edhe me dinjitetin që treguan gjatë kësaj fushate, e cila është më dinjitozja, më qytetarja dhe më pozitivja. Qytetarët shqiptarë kanë dëshmuar se dinë të vlerësojnë të arriturat, dinë të mirëkuptojnë edhe gabimet, por dinë të vlerësojnë edhe mundësitë reale që ka vendi për të bërë më shumë, të vlerësojnë sinqeritetin, seriozitetin dhe konstruktivitetin politik, por edhe dinë të hetojnë, të përçmojnë dhe të kuptojnë hipokrizinë, përbuzjen, fyerjen, rrenën, mashtrimin dhe poshtërimin.
...