E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu vazhdon të mbajë peng emërimin e gjyqtarëve

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, vazhdon të mbajë peng emërimin e gjyqtarëve të rinj, duke e bllokuar që nga viti i shkuar procesin e emërimit të 10 magjistratëve, në gjykatat kryesore të vendit, pas shpalljes së vendeve vakante.

TIRANE-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ende nuk ka marrë një vendim për emërimin e 10 gjyqtarëve magjistratë në gjykatat e qyteteve të vendit, përkatësisht në vendet vakante dhe kësisoj ky proçes mbetet i bllokuar që nga muaji i fundit i vitit të kaluar. Nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, vazhdon të injorojë kërkesat e vazhdueshme të 10 magjistratëve që presin emërimin e tyre, si gjyqtarë dhe njëherazi lindin pretendimet dyshuese për veprimtarinë dhe respektimin e statutit të institucionit që përfaqëson ky individ. Studentët që kanë përfunduar formimin në Shkollën e Magjistraturës dhe që presin emërimin e tyre si gjyqtarë, nëpërmjet një deklarate i drejtohen Presidentit të Republikës Bamir Topi, ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke shprehur shqetësimin e tyre për zvarritjen e këtij proçesi nga ana e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.
Pavarësisht se emërimi i tyre duhej të ishte bërë që në muajin shtator-tetor 2008, 10 magjistratët ende nuk kanë marrë emërimin përfundimtar, duke qëndruar në pritje dhe në ankth se ç’do të ndodhë, kur do të emërohen dhe ku. Në mbledhjen e fundit të KLD-së, zhvilluar në dhjetor të vitit të kaluar, anëtarë të KLD-ës, që ishin “pro” emërimit të kandidatëve magjistratë, e lidhën këtë kundërshtim të Kreshnik Spahiu, me tendencën e tij për të monopolizuar dhe për ti bërë pjesë të pazareve emërimin e gjyqtarëve. Sipas tyre Kreshnik Spahiu, nuk kishte shpallur” çeljen e tenderit”, për vendet vakante. Ai e di se me emërimin e magjistratëve, i bie vlera vetë atij, si njeriu i rëndësishëm i KLD-ës, sikurse e ka shitur veten, i cili ai dhe vetëm mund të vendosë për emërime gjyqtarësh.
 “Ne 10 Gjyqtarët Magjistratë, s’kemi asgjë në dorë, dhe e vetmja mundësi që kemi është të sensibilizojmë opinionin publik dhe institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë që po ndodh. I kemi kërkuar një takim presidentit në rolin e Kryetarit të KLD për t’i shprehur shqetësimet dhe sugjerimet tona për të zgjidhur problemin e emërimit tonë përfundimtar, por ende s’kemi marrë një përgjigje. Jemi vënë në dijeni nga Kryetarët e Gjykatave të Rretheve Gjyqësore pranë të cilave ne jemi duke ushtruar stazhin profesional se do qëndrojmë në punë dhe do paguhemi edhe për janarin. Kurse në vazhdimësi për muajt e tjerë as nuk do punojmë, as nuk do paguhemi, deri në pritje të emërimit tonë përfundimtar. Sipas tyre, do merret një vendim i tillë, pasi emërimi ynë provizorisht pranë këtyre gjykatave ka qenë me afat 1 vjeçar, deri në muajin tetor të 2008 (pasi ne jemi emëruar në 05.10.2007). Meqenëse ky afat ka përfunduar, sipas tyre ne nuk mund të vazhdojmë të ushtrojmë funksionin tonë si gjyqtarë pranë këtyre gjykatave. Dhe ajo që është më absurdja është fakti që nuk do paguhemi për muajt në vazhdim, derisa të emërohemi”, shprehin në deklaratën e tyre 10 gjyqtarët magjistratë.
Precedenti - ministria e Drejtësisë propozoi 10 vende vakante për gjyqtarë, Spahiu vendos diktatin dhe i hedh poshtë/Në mbledhjen e KLD-së, zhvilluar ditët e fundit të vitit të kaluar, konkretish më 24.12.2008, ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, në përputhje me detyrimin e tij ligjor dhe si organi i vetëm që ka të drejtën ekskluzive të propozojë vendet vakante për gjyqtarë në KLD, propozoi 10 vende vakante për emërimin përfundimtar të studentëve që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Kryesisht, këto vende vakante ishin: 2 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, 2 në Kavajë, 2 në Fier, 2 në Korçë, 1 në Shkodër dhe 1 në Lushnjë. Para se të propozoheshin këto vende vakante në KLD, ministri i Drejtësisë organizoi një takim me studentët për t’u dhënë atyre mundësinë të shpreheshin në lidhje me preferencat e tyre dhe më pas ministri propozoi këto vende vakante në varësi të organikave që ai dispononte. Kjo ishte një procedurë që nuk ishte bërë asnjë vit dhe ishte diçka shumë pozitive, pasi është kusht i çdo procesi të rregullt ligjor, që para se të marrësh një vendim për dikë, duhet t`i japësh atij mundësinë të shprehet dhe të dëgjohet për obsionet e tij. Ministri i Drejtësisë si një ish-magjistrat e respektoi me rigorozitet këtë parim të rëndësishëm të sistemit demokratik. Por në këtë mbledhje, KLD nën diktatin e Spahiut, i rrëzoi vendet vakante për emërimin përfundimtar të studentëve të magjistraturës, të propozuara nga Ministri i Drejtësisë me arsyetimin se Ministri i Drejtësisë kishte shkelur procedurën, pasi paraprakisht duhej të kishte bërë riorganizimin e gjykatave në rang Republike, ku të përcaktohej numri i përgjithshëm i gjyqtarëve për çdo gjykatë. Absurditeti i këtij vendimi ishte se edhe pse sipas KLD të 10 vendet ishin nxjerrë nga Ministri në shkelje të procedurës, për 6 vende kishin qenë dakord ti kalonin dhe konkretisht: 2 në Korçë, 2 në Fier, 1 në Lushnjë dhe 1 në Shkodër, kurse për 4 vendet e tjera të propozuara nga Ministri, 2 në Kavajë dhe 2 në Lezhë nuk kishin qenë dakord. Kjo së pari është një shkelje flagrante, pasi nëqoftëse një akt deklarohet i pavlefshëm për shkelje të procedurës nuk i hyhet thelbit apo përmbajtjes, pra nuk kishte sesi 6 vendet të pranohej të kaloheshin edhe pse kishin dalë në shkelje të procedurës, kurse 4 vendet e tjera jo. Propozimi i KLD për të kaluar një pjesë të propozimeve të bëra nga ministri dhe një pjesë jo, nuk u pranua nga ky i fundit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›