E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thank you, America!

Në fund të vitit të shqiptarëve

Viti 2008 është Vit i Shqiptarëve. Ngjarja më e madhe në historinë tonë më të re është shpallja e pavarësisë së Kosovës - 17 shkurt 2008.
Dimension historik për të gjithë shqiptarët ka edhe ftesa e prillit të këtij viti për Shqipërinë për t`iu bashkuar NATO-s.
Për të ndodhur këto data është dashur shumë mund e mend, e durim e trimëri, vetëmohim e vendosmëri e popullit tonë dhe e bijëve të tij më të mirë.
Historia do të mbajë mend se ndryshimet kanë filluar në Kosovë. Së pari rezistenca paqësore e pastaj lufta e armatosur e UÇK-së kundër hegjemonistëve serbë, në krye me Millosheviqin. Këto të dyja asnjëherë nuk i kam marrë të ndara. Janë dy pjesë të të njëjtës tërësi. Janë dy ofshamë të të njëjtës klithje. Njëra lind Ibrahim Rugovën, tjetra Adem Jasharin. Të dyja bashkë, Lirinë, Shtetin e dytë të shqiptarëve. Kështjellën tonë të re.
Por, as Presidenti historik as legjendari tashmë mitik s`do të mund të ndërtonin kështjellën pa ndihmën e instruktorit amerikan. Është dashur t`i qahej halli dikujt, është dashur të joshej dikush, është dashur të gjente interesin e vet dikush për të na ndihmuar në ndërtimin e Kështjellës. Ata të cilët kanë zgjedhur demokracinë më të fuqishme të botës, jo të pasharë, kanë patur të drejtë.
Miqësia shqiptaro-amerikane kishte rrënjët e veta. Atyre duhej t`u jipej ushqim i ri. Vizita e prijësit Rugova në Pentagon, në fillim të viteve ‘90, dhe mënyra e pritjes së tij atje, po tregonin se dikujt i kishte rënë ndërmend kjo.
Asnjë hap më vonë nuk është bërë pa këshillën amerikane. E di këtë nga goja e Presidentit Rugova, me të cilin më ka rënë jo rrallë, të bisedoja, jo vetëm zyrtarisht. Edhe kur miq të caktuar i kanë shkuar atij në Prishtinë, në fillim të viteve ‘90, për ta bindur se ishte koha për të filluar luftën, ai ka pritur këshillën amerikane, duke ia dalur ta mbante popullin me vete dhe duke ditur se lufta do të jetë e pashmangshme.
Vjen më vonë, edhe lufta. Vijnë komandantët, heronjtë, viktimat…. Pa të cilat s`ka themele të reja. Dhe, vjen ndihma amerikane.
Presidenti i kohës i SHBA-së, Bill Klinton, pasi gjaku i ri po topiste tokën e vjetër të Kosovës, në prill të vitit 1999, jep dritë të gjelbër për intervenimin ushtarak të NATO-s kundër Seribës, një intervenim humanitar që prodhon nga Kosova rast sui generis që nuk ka nevojë të merret shumë me anën juridike të aktit.
Pas 80 ditëve bombardime, gjatë të cilave Beogradi donte t`i shihte shqiptarët të vrarë ose të dëbuar, soldateska e Millosheviqit, nën peshën e gjenocidit të bërë, kapitulon dhe lëshon përgjithmonë Kosovën. Marrëveshja e Kumanovës i hapë rrugë hyrjes së forcës ndërkombëtare në Kosovë dhe kthimit të menjëhershëm të shqiptarëve të dëbuar. Asgjë më bindshëm se kthimi i tyre i vrullshëm, menjëherë pas luftës, nuk ka folur për faktin se Kosova është tokë shqipare denbabaden.
Por, pavarësia ende nuk kishte arritur. Nevojitej që edhe pas luftës të vazhdonte veprimi i të gjitha subjekteve shqiptare në atdhe e në diasporë për të ruajtur dhe për të bindur miqtë se Kosova meriton të drejtohet nga shqiptarët dhe se ajo s`do të harrojë ndihmën e tyre në rrugën e zhvillimeve demokratike që do të pasojnë. Prapë, ndihma kryesore pritet nga Amerika dhe prapë ajo nuk mungon.
Në pranverë të vitit 2007, një president tjetër amerikan, George W. Bush, kishte zgjedhur Tiranën si vend nga i cili po jepte porosinë e fundit: Kosova do të jetë e pavarur. Jo vetëm për këtë arsye e kemi pritur me aq dashamirësi, në Fushëkrujë. Asgjë më binshëm se pritja e Bushit nga qytetarët e Fushëkrujës nuk flet për faktin se miqësia shqiparo-amerikane duhet të jetë e përjetshme.
Me amerikanët është bërë ftesa dhe po hapen dyert e NATO-s për Shqipërinë. Me Shqipërinë në NATO, me Kosovën shtet, këshilla amerikane duhet të jetë e pazëvendësueshme edhe për ne në Mal të Zi. Ky autor dhe partia në krye të së cilës është ai këtë e kanë vazhdimisht parasysh. Ata janë sjellë kështu edhe me rastin e dy projekteve që kanë krijuar më së shumti grindje ndërmjet partive shqitpare e që janë realizuar me ndërmjetësimin amerikan. Njëri ka qenë themelet e shkollimit superior shqip në Mal të Zi - Fakulteti i Mësuesisë në Podgoricë dhe tjetri ka qenë themelet e organizimit të ri administrativ të Malësisë - Komuna Urbane e Tuzit.
Shumë themele të tjera mund të projektojmë nesër nëse, duke u bërë pjesë e Europës, nuk e harrojmë Amerikën.
Për ato që i kemi bërë deri më tash, në fund të Vitit të Shqiptarëve, në fund e në fillim të çdo viti duhet të themi: Thank You, America!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›