Rehabilitimi i ish-të përndjekurve politikë, një bazë për rishikimin e Historisë së Shqipërisë
Isha në konfencën e zhvilluar nga Partia e Ballit Kombëtar në një nga sallat e hotel Tirana Internacional, mbi problemet mbi këtë organizatë të njohur dhe qëndrimin e kësaj partie ndaj kësaj çështje. Shtyrë nga zhvillimi i saj, në mendjen time filluan të vijnë rrotull shumë mendime të ndryshme dhe kujtime të lindura vite më parë. Ndonëse kam shkruar edhe herë të tjera për to, ia vlen t’i përmend përsëri.
Isha pothuajse fëmijë, pesëmbëdhjetë vjeçar. Deri në ato çaste, historinë e Shqipërisë e kisha mësuar sipas metodës së asaj kohe, me hymnizimin e figurave komuniste dhe injorimin e atyre nacionaliste. Në sytë e mi çdo nacionalist ishte si ata që paraqiteshin në filmat e kohës të tipit “Kur zbardhte një ditë” apo “I teti në bronx”. Fati e pruri, them fati se qe me të vërtetë një mrekulli, që përfundova në burg për të mësuar historinë e vërtetë të këtij kombi. Në burg pata fatin të njoh disa nga liderët e nacionalizmit shqiptar. Më lejoni të përmend disa prej tyre: Doktor Isuf Hysenbegasi, avokat Xhevdet Kapshtica, Haki Karapici, Fatosh Kokoshi, Jani Ikonomi, Inxhinier Sami Bitincka, Andrea Xega, klerikët Pjetër Mëshkalla e Gjon Shllaku, Agronom Meçan Hoxha dhe plot e plot të tjerë, që i kishin mbaruar studimet në universitetet më në zë të botës dhe që komunizmi i kishte përplasur në humnerat më të thella. Ishin pikërisht këta burra të shquar që më mësuan se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër, ndryshe nga ajo që më kishin mësuar komunistët. Ata më mësuan se organizata e Ballit Kombëtar ishte themeluar qysh në ditët e para të pushtimit fashist dhe kishte shpallur programin e saj demokratik, dekalogun e famshëm, të hartuar nga simboli i nacionalizmit, i pavdekshmi Mit’hat Bej Frashëri. Më mësuan për luftërat e shumta që kishin zhvilluar kundër pushtuesve, në disa raste edhe në bashhkëpunim me forcat e Frontit Nacionalçlirimtar. Më mësuan për forcat e tjera nacionaliste, ato të legalitetit të kryesuara nga Abaz Kupi, apo ato të Muharrem Bajraktarit, Kryezinjve e të tjerë. Më mësuan së fundi për marëveshjen historike të Mukjes, të hedhur poshtë në mënyrë flagrante, pasi e kishin nënshkruar edhe vetë, nga Partia Komuniste, sipas udhëzimeve të udhëheqësve të saj, emisarëve jugosllavë.
Kështu që dola nga burgu me mendime të tjera. Këto mendime ua transmetova fëmijëve të mi, nipërve dhe mbesave të mia. Fundi i viteve ‘90 më ngjalli shpresën se duhej korrigjuar çdo gjë, duhej rishikuar çdo gjë. Por për fat të keq nuk ndodhi kështu. Komunizmi i kishte akoma të forta rrënjët në Shqipëri. Ndaj tij nuk u luftua plotësisht. Para dy vitesh një mbesa ime, nxënëse e klasës së tetë, më afrohet dhe më pyet: - Mor dajë, ti historinë ma ke trgeuar ndryshe, kurse profesori i historisë na i trajton në mënyrë tjetër. Kë të besoj unë? Mbeta keq. Mora librin e historisë, botim i vitit 2003, dhe lexova në fund të kapitullit 13/2: “Një pjesë e nacionalistëve kundërkomunistë nuk e njohën Konferencën e Pezës dhe nuk pranuan vendimet e saj. Ata në nëntor të vitit 1942, krijuan organizatën “Balli Kombëtar”. Në krye të këtij grupimi u vu Mit’hat Frashëri. Në “Dekalogun”, programin politik të Ballit Kombëtar, parashikohej që të luftohej për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike. Një fraksion ballistësh mendonte se Balli Kombëtar do të fitonte simpatinë dhe mbështetjen e popullit vetëm në qoftë se do të luftonte kundër pushtuesit. Mirëpo në gjirin e Ballit triumfoi platforma e shumicës me Mit’hat Frashërin në krye, e cilas ngulte këmbë që, hëpërhë, organizata të mos angazhohej në luftë të armatosur, por t’i ruante forcat për t’i dhënë goditjen vendimtare ushtrisë partizane, pasi ajo të ishte dobësuar nga ndeshja me ushtritë e armikut”.
U skandalizova nga një interpretim i tillë i historisë. Mendova se rinia shqiptare vazhdoka t’u helmoka ende me propagandën komuniste, tani pas tetëmbëdhjetë vjetëve të shëmbjes së sistemit komunist. Nuk u besoja syve të mi. Hodha vështrimin në emrat e atyre që kishin përpiluar këtë tekst. Vura re emra personash të njohur dhe me tituj në fushën e historisë. Të tillë ishin Prof. Dr. Myzafer Korkuti, Prof. Dr. Petrika Thëngjilli, Prof. Dr. Gazmend Shpuza, Prof. As. Dr. Fatmira Rama, Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi, Prof. As. Dr. Ajet Shahu dhe Prof. Dr. Ana Lalaj. Për një çast mendova se si ka mundësi që figura të tilla të njohura të shkencës historike të bien kaq poshtë sa të krijojnë vepra të tilla të cilat vetë historia do t’i hedhë në koshin e plehrave? Si ka mundësi të mohojnë atë luftë të bërë nga nacionalizmi shqiptar kundër pushtueve fashistë? Si mund të harrohen betejat e njohura të Gjormit, Selenicës, Drashovicës, Mogilës, Miricës dhe shumë të tjera të bëra së bashku me forcat partizane? Si mund të harrohet Termopila shqiptare, rënia legjendare e heroit nacionalist Hysni Lepenica, së bashku me tridhjetepese komandantë të tjerë çetash në Grehotin heroik? Në rast se, sipas tyre, ballistat nuk paskan luftuar kundër pushtueve, si ka mundësi që Partia Komuniste pranoi të bisedonte me ta, si të barabartë ndërmjet tyre, në Mukje? Vetëm një i verbër apo një pseudohistorian pa karakter mund t’i mohojë këto. Unë, një qytetar i thjeshtë i këtij vendi, që ka hequr pasojat e atij rregjimi, pres reflektimin e tyre për këto çështje. Në rast se nuk iu mungon kurajoja civile, le të shprehen hapur në shtyp. Ne jemi të gatshëm për debat.
Njoftimet e ditëve të fundit për vendimet e qeverisë për ngritjen e Institutit për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe rishkruarjen e historisë së vendit tonë patjetër na ngjallin shpresën se, më në fund, megjithëse me vonesë, do të dalë e vërteta historike në shesh. Por ne kërkojmë që në këtë institucion të caktohen njerëz kompetentë dhe të përkushtuar për të vërtetën historike, pa marrë parasysh përkatësitë partiake të tyre dhe, detyrimisht, një pjesë duhet të jetë e propozuar nga shoqata e të përndjekurve politik, përfaqësuesja e asaj shtrese që i hoqi mbi shpinën e saj tmerrët e genocidit komunist.
E përshëndes ligjin mbi dëmshpërblimin material të përndjekurve politik, megjithë vrejtjet që kemi për të, ngritjen e memorialit për nder të kujtimit të tyre apo hapjes së muzeumit për këtë genocid, por, për të thënë të vërtetën, ajo që na shqetëson më tepër është vënia në vend e dinjitetit të kësaj shtrese në veçanti dhe nacionalizmit shqiptar në përgjithësi. Mendoj se ky është një nga kushtet kryesore për një paqe sociale dhe barazi midis shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare.
E mbetem në pritje. Është në nderin e autoriteteve përkatëse që të mos e kthejnë në demagogji dhe propagandë elektorale. Ky është mesazhi i ish-të përndjekurve.
Autori është Kryetar i Degës së Tiranës, të Shoqatës Antikomunite të ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë