Thagma e deputetes së PS-së: Shqiptarët nuk po pajisen me karta identiteti!
Dade rikthehet në rolin e Kasandrës, parathotë disfata Arta Dade ka rimarrë dje rolin e Kasandrës teksa do të deklamonte me tone triumfale se qeveria aktuale ka dështuar sipas saj në procesin e liberalizimit të vizave me vendet anëtarë të Bashkimit Europian. “Në fund të 2008 Komisioni Europian, i paraqiti vendeve anëtare të BE një raport, lidhur me plotësimin apo përmbushjen e të gjithë detyrimeve që kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor lidhur me lëvizjen e lirë të shtetasve. Për fat të keq, Shqipëria është e grupuar në grupin e tretë sëbashku me Bosnjë Hercegovinën dhe padyshim vendet e tjera të rajonit Maqedonia, madje edhe Serbia, Mali i Zi e kanë lenë pas vendin tonë. Vendi ynë është i çiftëzuar me Bosnjë Hercegovinën, e cila dihet që është një vend me një problemtikë mjaft komplekse dhe serioze, ndërsa Shqipëria e cila e ka nisur procesin e integrimeve shumë më herët se të gjitha këto vende, përveç Maqedonisë, për fat të keq ka mbetur e fundit. Qeveria sikurse ka dështuar në të gjitha premtimet elektorale që i ka paraqitur shtetasve shqiptarë edhe për lehtësimin apo liberalizimin e vizave rezulton e dështuar. Shqiptarët e kanë humbur edhe shansin e presidencës çeke, e cila tashmë ka filluar punën në drejtimin e BE. Presidenca Çeke një nga përparësitë kryesore të saj kishte liberalizimin apo lehtësimin e vizave, pra lëvizjen e lirë të shtetasve të Ballkanit Perëndimor. Ne rezultojmë që edhe këtë vit të mos kemi një lehtësim apo liberalizim vizash me BE”- deklaroi Sekretarja për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Partinë Socialiste. Sipas saj raporti pëmban kapër kapituj kryesore ku Shqiëria nuk ka kryer si duhet detyrimet. “Blloku i parë ka të bëjë me pajisjen e shtetasve me kartat e identietit, pra është një premtim i pambajtur, nuk është bërë progres dhe ka paqartësi”- tha deputetja socialiste në një kohë kur sot fillon zyrtarisht në përputhje me Kodin Zgjedhor si dhe premtimin e hershëm të shumicës, prodhimi dhe shpërndarja e kartave të reja të identitetit. Gjithashtu detyrimet që ka Shqipëria ndaj BE, – vijoi më tej spekullimet zyrtarja socialiste- për administrimin e marrëveshjes së ripranimit, pra në rastet e emigracionit ilegal, duhet që vetë vendi të ketë masat përkatëse lidhur me ripranimin edhe integrimin në shoqëri. “Edhe këtu është bërë shumë pak, lidhur me rendin dhe sigurinë publike. Opinioni publik është tashmë i njohur me atë çka ka ndodhur tre-katër ditët e fundit, pra siguria e shtetasve është e kërcënuar, madje edhe vetë policia është e shqetësuar për ekzekutimet e tipit mafioz. Lidhur me angazhime të tjera, sikurse ka të bëjë me menaxhimin e integruar të kufijve, edhe në këtë ne kemi patur vërejtje. Gjithashtu opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar është i njohur edhe me mungesat dhe me mangësitë serioze me menaxhimin e integruar të kufijve. Përsa i përket angazhimeve lidhur me fushtën e eklektorale, që Sali Berisha ka lançuar tashmë edhe përmes spoteve televizive, më lejoni t’ju them që është një mashtrim i madh. Shqiptarët më mirë se kushdo tjetër e kanë të qartë se çfarë është bërë vetëm për lehtësimin e procedurave dhe barrierave për marrjen e vizave, sepse rradhët e gjata vazhdojnë të mbeten të pranishme në ambasadat dhe konsullatat e vendeve të BE”- theksoi Dade. Përkundër tabllosë pesimiste që paraqiti dje Dade, Praga ka shpehur gatishmërinë maksimale për të përkrahur aspiratat integruese të Europës. Gjatë një takimi që kryeministri Sali Berisha zhvilloi me ambasadoren Çeke në Tiranë zonja Marketa Fialkova me rastin e marrjes së presidencës së radhës të Bashkimit Evropian nga ana e këtij vendi anëtar të unionit, kreu i qeverisë theksoi se integrimi europian është dhe mbetet projekt madhor kombëtar dhe një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare. Në këtë kuadër Berisha i theksoi gjithashtu ambasadores Fialkova se së shpejti, qeveria shqiptare do të paraqesë kërkesën e saj për statusin e kandidatit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryediplomatja Çeke në Tiranë nga ana e saj theksoi se Presidenca Çeke e BE-së do ti kushtojë një vëmendje të veçantë dhe do të mbeshtesë hapat e mëtejshëm për integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Reagim i Ministrisë: “Liberalizimi i vizave, prioritet i padiskutueshëm, BE e vlerëson Shqipërinë për reformat”/Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se procesi i shumë pritur i liberalizimit të vizave Shqipëri-BE, mbetet një prioritet i padiskutueshëm dhe pjesë përbërëse e dialogut politik Shqipëri-BE. Deklarata vjen si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve të Partisë Socialiste se liberalizimi i vizave është një proces që po shkon drejt dështimit. Ministria e Punëve të Jashtme informon publikun e se procesi i liberalizimit të vizave nisi rrugëtimin e tij, sepse qeveria shqiptare gëzon besimin dhe mbështetjen e institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. “BE e vlerëson Shqipërinë si vendin që ka kryer reforma të guximshme të cilat Brukseli i konsideron frymëzuese për vendet e tjera të rajonit. Kjo sepse Shqipëria ka luftuar me sukses krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo sepse Shqipëria është sot një vend me stabilitet të lartë ekonomik, politik dhe social dhe që po përmbush të gjitha detyrimet e saj në rrugën drejt integrimit evropian. Kjo sepse Shqipëria ka luftuar me sukses trafiqet dhe sot disponon një sistem efikas të menaxhimit të integruar të kufijve. Kjo sepse Shqipëria arriti të realizojë prodhimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike me modelin më të përparuar në Evropë dhe javën që vjen nis shpërndarja e tyre. Kjo sepse Shqipëria ka nënshkruar dhe zbaton pa asnjë hezitim marrëveshjet e ripranimit me të gjitha vendet”, thuhet në deklaratën e ministrisë. Arritjet dhe besimi që gëzon Shqipëria tek BE dhe Komuniteti Euro-Atlantik janë konfirmuar nga marrja e ftesës, ratifikimet e protokolleve, dhe anëtarësimi i afërt i Shqipërisë në NATO. Këto arritje dhe përparimi i shpejtë i vendit sollën nënshkrimin e MSA-së me BE-në dhe përmbylljen së shpejti të procesit të ratifikimit të saj të plotë. Kjo mazhorancë që po e fut Shqipërinë në NATO dhe po e afron çdo ditë e më shumë me BE-në, ka sot besimin e Komuniteti Europian dhe qytetarëve shqiptarë, që të përmbyllë me sukses edhe liberalizimin e vizave. Në këtë kontekst, thuhet në njoftimin e ministrisë, i bëjmë thirrje opozitës të pranojë realitetin dhe të mbajë qëndrime më konstruktive në dobi të procesit.
...