E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshkruhen në Berlin dy marrëveshje bashkëpunimi ekonomik Gjermani-Shqipëri me vlerë 30 milionë euro

Gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit Berisha në Republikën Federale të Gjermanisë u organizua ceremonia e nënshkrimit të dy marrëveshjeve të bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe midis Shqipërisë dhe Bankës shtetërore Gjermane  për Rindërtim, KfV.

Marrëveshjet u nënshkruan për palën shqiptare nga Ministri i Financave z. Ridvan Bode dhe për palën gjermane nga Presidenti për Europën i Grupit Bankar KfV z. Roland Siller. Këto dy marrëveshje parashikojnë akordimin e një shume prej 30 milionë eurosh, të cilat do të shërbejnë për projekte të financimit të  biznesit të vogël si dhe të kanalizimeve të ujërave të zeza në rrethin e Korçës.

Gjatë kësaj ceremonie Kryeministri Berisha në fjalën e tij shprehu mirënjohjen dhe falenderimin e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që qeveria gjermane po i jep ekonomisë shqiptare dhe siguroi se investitorët gjermanë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare.

Në këtë kuadër Kryeministri theksoi se  qeveria po ndërmerr reforma të thella në ekonomi dhe në sistemin fiskal si dhe një luftë të fuqishme kundër korrupsionit në mënyrë që vendi ynë të ketë një klimë sa më të favorshme për investimet gjermane dhe ato të huaja në përgjithësi.
Z. Siller pas nënshkrimit të marrëveshjeve përshëndeti  suksesin e qeverisë shqiptare me reformat dhe progresin e shkëlqyer të ekonomisë duke u shprehur kënaqësinë që nënshkrimi po bëhet në 20-vjetorin e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim midis Gjermanisë dhe Shqipërisë.
Presidenti për Europën i Grupit Bankar KfV-së shprehu bindjen se ky fond prej 30 milionë eurosh së bashku me fondin prej 90 milionë eurosh që qeveria gjermane i ka akorduar Shqipërisë për projekte në infrastrukturën energjetike  dhe linjat e interkonjeksionit me Kosovën do të sjellin edhe më shumë  ndryshim, zhvillim, punësim dhe ide në Shqipërinë mike.    
    


09/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›