E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshkruhet marrëveshja me KfW, Malaj: 50 milionë euro për investime në ujësjellës dhe kanalizime në tri bashki

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka nënshkruar një marrëveshje financimi me drejtoren e zyrës së KfW në Shqipëri, Mara Drochner, për Programin “Infrastruktura Bashkiake V – Faza II”.

Marrëveshja përfshin një kredi prej 47 milionë eurosh dhe një grant prej 3 milionë eurosh, duke e çuar vlerën totale të financimit në 50 milionë euro.

Ky program do të mbështesë investime të rëndësishme në tre bashki: Shkodër, Lezhë dhe Sarandë.

Fondet do të përdoren për rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve dhe zgjerimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, me synimin e përmirësimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe mbrojtjes së mjedisit.

Në një postim nw rrjetet sociale, ministri Malaj theksoi se ky investim është një hap i madh për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe për mbrojtjen e ekosistemeve lokale.

Ai nënvizoi se përfitimet do të jenë të prekshme për komunitetet e përfshira, duke siguruar shërbime më të mira dhe më të qëndrueshme.

KfW, si një nga institucionet kryesore gjermane të financimit të zhvillimit, ka mbështetur prej vitesh projekte infrastrukturore në Shqipëri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›