Blegtorët kërkojnë barazim të TVSH-së në import

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Blegtorët kërkojnë ndërhyrje urgjente në politikën fiskale dhe mbështetje për sektorin e qumështit, duke paralajmëruar se problemet e grumbulluara prej vitesh po e çojnë prodhimin vendas drejt kolapsit.
Në seancën dëgjimore të zhvilluar në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, përfaqësuesi i Shoqatës së Blegtorëve, Gentian Lala, deklaroi se shqetësimet e tyre përsëriten prej 2 vite e gjysmë pa asnjë reflektim institucional.
Ai theksoi se rreth 50-60% e qumështit në vend shitet pa faturë, çka, sipas tij, krijon abuzime nga fabrikat përpunuese dhe çon në çmime të padrejta për blegtorët.
Lala u shpreh se sistemi aktual i TVSH-së nuk i njeh fermerët dhe i detyron të blejnë ushqim të importuar për bagëtitë, duke braktisur prodhimin vendas.
“Nëse TVSH-ja do të njihej për blerjet tona, do të blinim të gjithë produktin vendas,” tha ai, duke shtuar se kjo skemë mund t’i bënte fermerët të vetëqëndrueshëm pa pasur nevojë për subvencione.
Një tjetër problem i rëndësishëm ishte ai i importeve të qumështit pluhur dhe qumështit të freskët nga vendet e rajonit dhe BE-së, që sipas blegtorëve dëmtojnë rëndë çmimin e qumështit vendas.
Po ashtu, ai ngriti shqetësimin se për shkak të kufizimeve ligjore, Shqipëria nuk ka mundur të eksportojë qumësht të freskët, edhe kur ka pasur kërkesë nga Italia.
Përfaqësuesit e blegtorëve thanë se qindra fermerë nuk kanë marrë ende subvencionet e naftës dhe të krerëve, megjithëse viti po mbyllet, dhe kërkuan zgjidhje për fermat që rrezikojnë të humbasin mbështetjen për shkak të vonesave të bashkive në dhënien e lejeve të ndërtimit.
Deputeti i PS-së, Erion Braçe u shpreh se propozimet e blegtorëve janë pa kosto për buxhetin dhe se mungesa e reflektimit nga ministria po e çon sektorin drejt kolapsit. Ai shtoi se kontrollet sporadike dhe masat policore nuk rrisin prodhimin dhe se duhet të mbrohet prodhuesi vendas, jo importi.
Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo e cilësoi situatën si problematikë sistemike që kërkon një axhendë të qartë pune nga komisioni. /j.p/
Komisioni për Ekonominë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 9