E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet marrëveshja për hipotekimin e banesave

Nënshkruhet marrëveshja për zgjidhjen e problemit të hipotekimit të banesave dhe apartamenteve në Tiranë. Marrëveshja u firmos paraditen e sotme në Bashkinë e Tiranës, nga kreu i saj, Lulzim Basha dhe nga dy ministrat ai i transporteve Sokol Olldashi dhe i drejtësisë Eduard Halimi.
 

Në një prononcim për mediat kryebashkiakuBasha e cilësoi shumë të rëndësishëm një hap të tillë, i cili sipas tij do t`i japë zgjidhje hipotekimit të gjithë banesave të cilat janë të pahipotekuara në 10 vitet e fundit.
 

“Kështu i jepet fund deprivimit të padrejtë nga titulli i pronësisë atyre mijëra familjeve që paguan apartamentet në mirëbesim se ato një ditë do hipotekoheshin dhe do të regjistroheshin si pasuri e tyre. Pas kësaj, 700 milionë euro si shumë kolaterali e këtyre apartamenteve të pahipotekuara, nesër ato do jenë pasuri e qytetarëve por një kolateral i fuqishëm në bankat e Tiranës dhe garanci për rritje ekonomike dhe punësim”- tha Basha.
 

Nga ana e tij ministri Olldashi theksoi se ky memorandum bashkëpunimi do të përshpejtojë më tej procesin e hipotekimit të banesave dhe t`i japë fund problemit që prek mijëra familje në Tiranë. “Ky memorandum do të bëjë të mundur që hipotekimi i pasurisë së mijëra qytetarëve të bëhet në një kohë të shkurtër dhe do të bëjë të mundur zgjidhjen e këtij problemi” ka theksuar Olldashi.
 

Ndërsa ministri i drejtësië Halimi duke vlerësuar memorandumin theksoi se procesi i hipotekimit të banesave bëhet i pamundër nëse nuk do të ketë bashkëpunim mes pushtetit qeverisës dhe atij lokal.  “Memorandumi i hap rrugën edhe hartimit të një sërë aktesh ligjore dhe finalizimin e procesit të regjistrimit të banesave në Tiranë” ka shtuar Halimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›