Rexhepi: Brukseli, trysni Beogradit për heqjen e barrikadave

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka raportuar sot në Kuvendin e Kosovës për situatën në veri, pas nisjes së operacionit me 16 shtator, dhe bllokimit të rrugëve nga ana e serbëve lokal.
Në fjalën e tij Rexhepi ka insistuar se barrikadat janë të jashtëligjshme, ndërsa ka shtuar se për momentin është duke u pritur që Brukseli të ushtrojë trysni për Beogradin. Sipas tij në rast se tyrsnia nuk do të ketë efekt atëherë institucionet kosovare në bashkëpunim me ato ndërkombëtare do të jenë të detyruara t`i heqin vetë barrikadat.
“Dhe nëse nuk bën punë trysnia e Brukselit ndaj Beogradit, sepse edhe Beogradi qëndron prapa këtyre barrikadave atëherë ne duhet të koordinohemi me KFOR-in e EULEX-in dhe të mundësojmë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e njerëzve në këto pjesë duke i hequr barrikadat”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi i ka bërë thirrje edhe banorëve të fshatrave të veriut që të mos frikësohen dhe të jenë të qetë pas sipas tij policia e ka gjendjen nën kontroll të plot dhe nuk ka vend për panik.