Një virgjinë e pushkatuar nga gjermanët
Historia e pazakontë e atij mestetori 1944, duket sikur pak kënd ka ngacmuar, përveç Elvira Dones, e cila pak kohë më parë u ngjit e filmoi pllakën e gurit ku ishte shënuar data e vdekjes së virgjinës me emër të Gëziqit, për llogari të një kanali prestigjoz televiziv zvicerian.
Virgjina ka qenë një femomen i përhapur jo pak në Kohët e Kanunit, për shumë arsye, por rasti i Gjela (Gjergja) Bibës, përbën një nga historitë më dramatike që fati i solli jo pse kaloi mbi 20 vite jetë nën petkat burrnore, por se dhe vdekja i erdhi pikërisht se pati veshur e mbathur ato petka kur një togë gjermane e vuri para ekzekutimit së bashku me burra të tjerë të fshatit. Dhe ajo as në ato momente nuk pranoi ta tradhëtonte atë veshje, atë adet mitik që ia kishte mëkuar vetes përmbi 30 vite. Ajo vdiq në moshën 50 vjeçare pikërisht në të quajturën Luftë e Gëziqit, kur thjeshtë po bënte punën si çoban ndërsa gjermanët u hakmorën për vrasjen e një ushtari që u kishin bërë partizanët pak metra poshtë shtëpisë së virgjëreshës Gjergj Biba.
Edhe pse paraqet rast të veçantë në Shqipëri – një grua që ekzekutohet nga gjermanët nën petkat e një burri, ajo (ai) nuk ka mundur të gjejë një vend në varrezat e dëshmorëve, madje dhe pas 60 e kusur vitesh mezi kujtohen për ta shpallur dëshmore të Atdheut. Tashmë ajo prehet në varrezat e fshatit Gëziq, pak metra poshtë kishës së këtij fshati.
Historia e Gjergj(a)s!
Shekulli e ka prekur këtë histori edhe para 6 viteve, një vajzë e zakonshme e derës së Vorfajve në Kalanjan të Gëziqit që u kthye në grua-burrë, për ta harruar njëherë e mirë statusin social të saj si qenie e brishtë femërore.
Ngjarjen na e pat rrëfyer fijë e për pe, në të gjallë të tij 99 vjeçari Ndue P. Biba, duke u shtyrë në kujtesë deri nga vitet 1920. Gjela kishte mbetur jetime me fëmijë të tjerë pasi i kishte vdekur babai dhe më pas, edhe i vëllai. Këto vdekje tragjike ia kishin lëkundur mendimin për të mos e vazhduar më jetën si vajzë e zakonshme që pret të martohet dhe të krijojë familje në derë tjetër sipas zakonit. Thuajse fëmijë, i ishte ngulitur në kokë se duhej tu shërbente jetimëve të tjerë duke e privuar veten nga të qenit grua.
Mbahet mend se ajo kishte qenë e kërkuar nga miq të ndryshëm për tu martuar dhe rasti më i shënuar mbetet ai i një familje nga Ungrej që ishin paraqitur për të kërkuar dorën e saj për martesë me djalin e tyre.
Gjela nuk e dinte se mysafirët e ardhur po kërkonin shkuesi për martesën e saj me një njeri të tyre. Kunata, ose siç thirrej gjyshja e madhe, ishte pjesëtare në atë kuvend mes miqsh, dhe prej saj pritej dhënia e fjalës për Gjelën. Plaka e urtë, para se të thoshte fjalën, nxori një sebep për të zbritur poshtë në katin e parë, në të ashtuquajturën oda e robve, pra vendi ku rrinin gratë e shtëpisë e fëmijët. Gjelë, – i thotë, – ata miqtë sipër kanë ardhur për ty. Si?! u habit Gjela dhe pa një pa dy, u ngrit, shkoi tek një arkë rrobash, nxori që andej veshjet tradicionale të të vëllait, tirq, xhamadan, vuri kapuçin e bardhë në kokë, ngjeshi nagantin 6-sh italian në brez, dhe u ngjit në katin e tretë të kullës tek oda e burrave.
Tungjatjeta!,-iu drejtua miqve. Ju keni ardhë për mue?! Më vjen keq që jeni lodhë, por unë nuk jam nuse për ju dhe për askënd, që sot jam burrë dhe do të rris fëmijët e mbetur jetimë në këtë kullë! Juve ju qoftë rruga e mbarë, nëse mësoni se unë jam martuar, jua kam borxh, dhe plumbin e kam hak.
Kaq tha Gjela-burrë, dhe u largua prej aty.
Miqtë fjetën atë natë aty, pastaj të nesërmen u përshëndoshën me njerëzit e shtëpisë dhe shkuan joprishaqejf në shtëpitë e tyre. Që nga ajo natë për Gjela (Gjergja) Bibën nisi një histori e re, e të qenurit burrë, marrja përsipër e kryerjes së punëve të një burri, me gjithë çfarë njeh tagri i kohës për të. Dhe sigurisht, me një emër të ri, burrëror. Gjergj(a).
Jeta si virgjën
Edhe sot të moshuarit e këtij katundi e mbajnë mend Gjergjan si një punëtor i madh. Që pas veshjes së rrobave burrnore, ajo iu fut punëve të rënda që nuk bëheshin nga gratë. Ngiste qetë dhe lëronte arat, ruante bagëtitë në malet larg dhe shtegtonte me ditë të tëra për në pazare si në Shkodër, Lezhë e gjetkë, conte misrin për ta bluajtur tek mulliri dhe kryente punë burrash pa u veçuar nga ata.
Njerëz të familjes e mbajnë mend mirë atë për të gjitha virtytet, veshjen dhe sjelljen e saj. Gjithnjë vishej si burrë, shkonte nëpër dasma e morte dhe rrinte, kuvendonte me burra në odat e tyre, dhe kurrë nuk guxonte ndonjëri të thoshte emrin e saj të hershëm, por vetëm Gjergja. Një grua e vjetër rrëfen:Po ktheheshim nga Lezha me misrin e blerë, u ulëm të pushonim afër Urës së Fanit, kur njëra nga gratë e fshatit, i thotë a çohena, motërke!. U xhindos, nxorri patllaken dhe i tha të mos e përsëriste më këtë gjë. Burrë tjetër i fshatit nuk guxonte tia thoshte këtë gjë, ishte e sertë, të vriste. Ne të shtëpisë e thërrisnim lalë, ndërsa gratë e fshatit lala Gjergj, burrat i thërrisnin me emrin e saj Gjergj dhe fëmijët lal Gjergji. Pirja e duhanit të fortë në kuti dhe çubuk të vjetër, kishte sjellë trashjen e zërit, ndërsa në fytyrë dukeshin ca rrudha, paçka se tiparet femërore, jo të gjitha i kishin ikur nga nuri i saj i mëparshëm. Dukej me nje gjoks të bëshëm dhe për të mos rënë në sy për grua, dimër verë mbante xhurdi leshi.
88 vjecari Llesh D. Gjergji teksa na rrëfen aty në Kodrat e Gëziqit duke kujtuar mirë luftën e asaj kohe, e mban mend atë tek stani me berre, ishte çobaneshë e shkëlqyer dhe kuvendtare me masë, me një vështrim të kthjellët. Ai thotë se ishte një burrë i pashëm, me flokë të prerë, kësulën e rrasur në kokë, në brez të saj binte në sy naganti i bukur, por dhe një pushkë nepseje, që e mbante vazhdimisht në krah. Ishte tmerri i hajdutëve, dhe askush nuk guxonte të prekte tufën e bagëtive a pronën e kësaj familjeje
Vrasja e Gjergjit nga gjermanët
Dëshmitarë të atyre viteve risjellin në kujtesë tërë skenën e asaj dite tetori. Gjithçka nisi kur në afërsi të shtëpisë erdhën dy partizanë për ti vënë zjarrin urës që ishte poshtë kullës së Vorfajve, urë që lidhte pjesën tjetër me Shpalin, nga ku mendohej të kalonte një autokolonë gjermane.
Sapo mbërritën gjermanët, panë se ura kishte marrë zjarr e u ndalën. Nga një makinë e vogël ushtarake zbriti një oficer madhor, i cili po shikonte vendin se nga ku mund të hapej një shteg për autokolonën. Në këto momente një krismë u dëgjua nga maja e një kodre, ndërsa si pa ndierë oficeri madhor ra përtokë i vdekur. Një prej partizanëve kishte qëlluar në shenjë. Gjermanët, nuk bënë asnjë manovrim, nuk shtinë asnjë pushkë, morën oficerin e vrarë, e vunë në një makinë dhe u kthyen mbrapsht për tu stacionuar 2-3 km më poshtë në një qafë kodre afër shkollës, thuajse në mes të fshatit. Më pas ata filluan masakrën në fshat dhe djegien e shtëpive.
Mbahet mend se një patrullë prej katër gjermanësh vjen nga sipër kullës, dhe zbret në oborr. Ata kishin me vete një fshatar që e kishin zënë rob rrugës, pastaj hynë në shtëpi dhe kur panë virgjinën Gjergja, të veshur me tirq e xhamadan, duke e pandehur për burrë, e morën me vete. Bashkë me kushëririn e saj, Vorf Bibën, dhe të tre i zbritën poshtë, afër fushimit të tyre, duke i futur në një tendë ushtarake. Aty Vorfi, i cili dinte ca fjalë gjermanisht, u tregon se do të na pushkatojnë, sepse u kemi djegur urën. Gjergja u lutet: ju të dy nëse keni mundësi ikni, unë nuk mundem, ndjehem i lodhur!. Disa minuta më pas gjermanët i vënë të tre rrëzë një gëmushe. Dhjetëra plumba derdhen në drejtim të tyre, dy prej tyre arratisen një moment para shkrepjes, ndërsa Gejrgja qendr
