E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshtetësia e emigrantëve në Greqi, debat i fortë politik

Gazeta “Tribuna”, Athinë
Ndërsa e ardhmja ekonomike e Greqisë mbetet në pikëpyetje, një tjetër çështje vazhdon të dominojë me të njëjtin intensitet axhendën politike greke. Dhënia e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve, një muaj pas shpalljes së projektligjit përkatës, është vënë në shënjestër nga ana e opozitës së djathtë, përfaqësuesit e të cilës duket se janë vënë në garë se cili do të shprehë qëndrime më të ashpra.
Lideri i partisë më të madhe opozitare, Antonis Samaras, shpalli vendimin e partisë së vet që jo vetëm të mos e votojë projektligjin, por edhe u angazhua që, nëse partia e tij vjen në pushtet, ta shfuqizojë atë. Sipas liderit të opozitës, projektligji është jashtë çdo logjike dhe zbatimi i tij do të inkurajojë valë më të mëdha emigrantësh klandestinë drejt Greqisë. “Projektligji lehtëson hyrjen e emigrantëve të paligjshëm, kështu që të lindin fëmijë në Greqi, në vazhdim ata fëmijë të marrin automatikisht nënshtetësinë greke dhe kështu të legalizohen detyrimisht edhe prindërit e tyre”, - thekson lideri i opozitës.
Në të vërtetë, shqetësimi i zotit Samaras është i pabazë, ngase dispozitat e projektligjit përcaktojnë qatë se njeri prej dy prindërve duhet të ketë të paktën pesë vjet qëndrim të ligjshëm në Greqi, që fëmija të marrë që në lindje nënshtetësinë greke.
Pasi e njoftoi ministrin e Brendshëm për vendimin për mos ta votuar projektligjin, lideri i opozitës iu kthye përsëri kësaj çështjeje. Duke përshëndetur mbledhjen e forumit rinor të partisë, zoti Samaras kërkoi që legjislacioni për nënshtetësinë të adoptojë modele vendesh evropiane, që sipas tij, kanë sanksionuar kritere shumë më të rrepta.
“I sugjerojmë qeverisë që të adoptojë modelin gjerman të politikës së emigracionit, që u reformua nga qeveria socialdemokrate e Gerhard Shrëderit”, - tha lideri i opozitës, duke shtuar se qeveria aktuale greke po legalizon tashmë të gjithë emigrantët dhe po inkurajon të vijnë në Greqi më shumë klandestinë.
Por ministri i bBrendshëm grek, Janis Ragusis, ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp, duke e akuzuar liderin e opozitës se po rrëshqet në qëndrime ekstreme, të papranueshme.
Më tej, në deklaratë nënvizohet se deri më tani Demokracia e Re kërkonte që fëmijët e emigrantëve ta merrnin nënshtetësinë kur të arrinin moshën e maturimit, ndërsa në Gjermani e marrin me lindjen e tyre, ashtu siç parashikon edhe projektligji i qeverisë greke.
Sa i përket kohës së qëndrimit të ligjshëm, para aplikimit për nënshtetësi, Demokracia e Re sugjeron të jetë dhjetë vjet, ndërsa Gjermania e përcakton tetë vjet, nga 15 që e kishte më parë. Projektligji grek tashmë e zbret në pesë vjet periudhën e qëndrimit të ligjshëm.
Ministri i Brendshëm e fton liderin e opozitës që të sqarojë, nëse propozimi i ri përbën një ndryshim të qëndrimit të Demokracisë së Re për këtë çështje, gjë që siç thekson, do të ishte e mirëpritur apo edhe kjo përfshihet në taktikën e dezinformimit dhe të shtrembërimit të iniciativës së qeverisë.
Analistët e shpjegojnë qëndrimin e ashpër të Demokracisë së Re më së shumti me konkurrencën që i bëhet kësaj force nga partia e vogël e djathtë, LAOS, e cila i merr votat e veta nga elektorati i partisë më të madhe të opozitës. LAOS ka kërkuar që të bëhet një interpelancë në Parlament, me argumentin se projektligji për dhënien e nënshtetësisë emigrantëve krijon shumë shqetësime serioze, kombëtare, politike dhe shoqërore. Po kjo parti ka filluar që prej një muaji një fushatë grumbullimi nënshkrimesh me qëllim që të vendoset nëpërmjet një referendumi nëse emigrantët duhet të marrin nënshtetësi dhe të drejtë vote në zgjedhjet lokale.
Por Kryeministri Papandreu ka deklaruar se dhënia të drejtave politike emigrantëve është një obligim i qeverisë greke dhe se nuk shtrohet në referendum.
“Kjo që po bëjmë tani, është një obligim yni dhe një obligim ndaj të drejtave njerëzore të atyre njerëzve që tashmë kanë zgjedhur Greqinë për atdhe të tyre. Dhe të drejtat njerëzore nuk shtrohen në referendum. Të drejtat njerëzore janë të panegociueshme”, - tha javën e kaluar Kryeministri që i është referuar shumë herë gjatë muajve të fundit çështjes së nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve.
Vendosmëria e shprehur nga Kryeministri konsiderohet si një barrierë e fuqishme ndaj reagimeve të shumta negative që ka ngjallur në opinionin vendas ky vendim i qeverisë. Dhe një garanci se qeveria nuk do të jepet ndaj presioneve negative e përfundimisht do ta kalojë projektligjin në Parlament, brenda ditëve të ardhshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›