Tre të vdekur, një i plagosur nga aksidentet në vend
Në Fushë-Krujë, një 26-vjeçar humbi jetën nga shpejtësia, ndërsa në Shkodër një makinë doli nga rruga, ku humbi jetën një person e u plagos pasagjeri
Tre persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos si pasojë e tri aksidenteve të ndodhura ditën e djeshme në vend. Aksidenti i parë ndodhi në Durrës. Rreth orës 7:45 të mëngjesit të ditës së djeshme në periferi të qytetit bregdetar, një person rreth të 50-ave është përplasur nga një automjet. Sipas burimeve nga policia, viktima po ecte në një nga rrugët e lagjes 17 të qytetit bregdetar, kur autovetura me targë DR 2347 D e ka përplasur atë duke i shkaktuar vdekjen. Me gjithë ndihmën e dhënë, 50-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e plagëve të marra. Identiteti i viktimës ende nuk është zbuluar, pasi atij nuk i është gjetur asnjë dokument me vete, ndërkohë që është shoqëruar në komisariat drejtuesi i mjetit me inicialet A. D., që shkaktoi aksidentin.
Aksidenti i dytë ndodhi rreth orës 01:30, në aksin rrugor Krye Bushat – Mjedë, në rrethin e Shkodrës. Një automjet tip Mercedes Benz , me targa SH 7265 E ka dalë nga rruga në vendin e quajtur Mjedë dhe ka rënë në një kanal vaditës. Makina i drejtohej nga 42-vjeçari Astrit Demaj, lindur dhe banues ne Lagjen “Qemal Stafa” të qytetit të Shkodrës.
Si pasojë e aksidentit ka gjetur vdekjen e menjëhershme vetë drejtuesi i automjetit, ndërsa është plagosur 49-vjeçari M. Y., pasagjer në mjet, lindur dhe banues ne lagjen “Manush Alimani” të qytetit veriperëndimor. Ndaj tij është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar në spitalin e qytetit, ku pas ndërhyrjes së mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e aksidentit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë mosrespektimi rregullave të qarkullimit rrugor. Aksidenti i tretë ndodhi në aksin rrugor Fushë-Krujë - Milot në mbrëmjen e djeshme. Sipas burimeve nga policia, viktima është 26-vjeçari me inicialet L. E. Ai po udhëtonte me një automjet tip Honda me targa italiane CE 7030 HY, kur është përplasur me një fadromë të parkuar, duke humbur jetën. Me gjithë ndihmën e dhënë, plagët e marra nga përplasja i kanë marrë jetën të riut. Në vendngjarje shkoi edhe policia. U ngrit një grup hetimor për të hetuar ngjarjen. Sipas policisë, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia me të cilën lëvizte mjeti. I riu nuk ka mundur që të manovrojë duke i dalë makina nga kontrolli e duke humbur jetën. Viktima kishte vetëm dy javë që ishte martuar.