E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Mëhilli: PS, me fytyrë marksiste-leniniste

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, reagoi dje pas deklaratave të deputetit të PS-së, Saimir Tahiri, kundër ngritjes së Agjencisë Kombëtare Bërthamore. Mëhilli deklaroi se PS po shfaq hapur dimensionin e saj antiglobal me një fytyrë marksiste-leniniste. "Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e tjerë të nomenklaturës së vjetër sot shfaqën para publikut dimensionin e tyre antiglobal. Fytyrën e sotme reale të marksizëm-leninizmit. Ata u ngritën kundër krijimit të Agjencisë Kombëtare Bërthamore, e cila përbën një detyrim kombëtar dhe ndërkombëtar për Shqipërinë në procesin e integrimit të saj euroatlantik”, - tha Mëhilli. Sipas zëdhënëses së PD-së: “Agjencia Kombëtare Bërthamore ka si mision shumë të rëndësishëm përgatitjen e një kuadri modern ligjor për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë nga të gjitha format e rrezatimit bërthamor. Kjo agjenci ka për detyrë të përgatisë të gjithë infrastrukturën ligjore për përdorimin më të gjerë të mundshëm të energjisë bërthamore për qëllime paqësore, përfshirë këtu përdorimin e këtij burimi energjitik për prodhimin e energjisë elektrike. Paragjykimi dhe denoncimi i këtij vendimi shumë të rëndësishëm për vendin nga ana e Edvinit dhe bllokmenëve të rinj është thjesht një qëndrim atavist i bazuar në doktrinën e etërve të tyre historikë e biologjikë, por kryekëput i pavlerë në kohët e sotme”. Lidhur me kërcënimin me referendum nga ana e PS-së, Mëhilli tha: “Për sa i përket kërcënimit për referendum, PD e njeh si legjitim dhe mjet demokratik referendumin, por sa mund ta thërrasin atë ata të cilët provuan referendumin në partinë e tyre, por që siç u pa, përfundoi si “Kokoshi një thelë”, ku sipas vetë statistikave të tyre nga 87.000 anëtarë të kësaj partie morën pjesë gjithsej 6735 votues”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›