E Diel, 1 Nëntor 2026

Nenshtetesia kontribuon per paqen e stabilitetin ne Ballkan

Në konferencën e përbashkët për shtyp me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, kryeministri Sali Berisha u ka dhënë përgjigje mediave lidhur me deklaratën për dhënien e nënshtetësisë çdo shqiptari, që sipas tij do t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit në Ballkan

“Përsa i përket nënshtetësisë, jam i bindur se kontribuon më shumë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Maqedonasit nuk kanë probleme për zgjedhje identiteti me shqiptarët. Secili ka identitetin e vet. Por Bullgaria mike u jep shtetësinë atyre qytetarëve që duan shtetësinë bullgare. Nuk e ka bërë këtë as për pretendim territorial ndaj Maqedonisë, por për qëllime historike”- theksoi kryeministri, i cili i kujtoi medias që të lexojë dekretin e vitit ‘92 në kohën kur ai ishte president i vendit.

Ish-kryeministri Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi se është e drejtë e bashkëkombasve, kudo që jetojnë, të mund të marrin shtetësinë shqiptare.

Në takimin me kryetarin e AAK-së kryeministri njoftoi se diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe konsolidimin e mëtejshëm të pavarësisë së Kosovës, në interesin jetik të shqiptarëve. Por ai theksoi se përpjekjet për bashkim kombëtar janë ideali udhëheqës dhe vullnet politik për t’u bashkuar në Europë.
“Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën”- u shpreh Berisha.

Kryeministri Berisha ka vlerësuar rolin dhe kontributin e Haradinajt për lirinë e shqiptarëve dhe atë kombëtare dhe e cilësoi pafajësinë e tij si ngjarjen më të madhe për shqipatrët, pas çlirimit të Kosovës, ndërsa shprehu vlerësimet për Gjykatën e Hagës, ecila nuk pranoi ndikime politike, por e shpalli dy herë të pafajshëm ish- komandantin e UÇK-së.

Nga ana e tij lideri i AAK-së Ramush Haradinaj vlerësoi rolin e kryeministrit Berisha dhe të Shqipërisë në rrugëtimin e Kosovës si shtet.
“Në rrugëtimin tonë si shtet shpresa jonë ka qenë te Shqipëria”- theksoi ai.

I deklaruar në kuvend si një parti e qendrës së djathtë, lideri I aak-së vlerësoi partneritetin me Partinë demokratike të Shqipërisë dhe deklaroi se aleanca për ardhmërinë e kosovës nuk bën llogari në të mirë të një partie, por në interes të të gjithë shqiptarëve të Kosovës. 

Shkëmbime dhuratash dhe premtime bashkëpunimi kanë shoqëruar vizitën e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, njeriut që pushtoi jo vetëm mediat shqiptare, por dhe ato të huaja duke u shpallur ipafajshëm për të dytën herë nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës në 29 nëntor të këtij viti.

Ramush Haradinaj po zhvillon një viztë zyrtare në Tiranë me ftesë të kryeministrit Berisha.
Pjesë e axhendës së tij është edhe takimi me kreun e shtetit Bujar Nishani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›