E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dean Rid, Elvis Presli i bllokut komunist

Lindi në Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por zgjodhi të jetonte në Gjermaninë Lindore. Dean Rid konsiderohej i bukur si Robert Redford, qëndronte mbi kalë si Xhon Uein e këndonte si Elvis Presli. Ishte kjo arsyeja për të cilën më pas u kthye në "Elvisin e kuq", hero në atë pjesë të botës që ndodhej përtej perdes së hekurt dhe në jug të ëndrrës amerikane. Kitarën dhe talentin e vuri në shërbim të lirisë e drejtësisë shoqërore, e shpalli veten marksist, përzjeu revolucionin komunist me muzikën kauntri, ushqeu ëndrra e u zhgënjye. Ky skenar do shërbente për një film të standardeve të larta.

Në fillimin e viteve ‘60, Dean Rid është një djalë i pashëm, me një krifë të dukshme mbi ballë e me zë modest - sipas gjykimit të diskografëve - që provon të arrijë suksesin si këngëtar, por pa kurrfarë rezultati. Pas dështimit të parë zhvendoset në Amerikën e Jugut. Publik tjetër dhe tjetër raport me suksesin: zëri i ndjeshëm e trupi i bukur elektrizojnë publikun femëror. Rid ia del të mbushë stadiumet e Kilit e të Argjentinës, i bën të pranishmit t‘u mbushen sytë me lot me këngën "Venceremos" dhe arrin të shesë miliona disqe.

Njëherësh zbulon edhe varfërinë e padrejtësinë sociale. Tronditet dhe ndërron drejtimin e jetës: zgjedh të impenjohet politikisht e bëhet komunist, pasi "nuk mjafton të këndosh ndonjë këngë të bukur, por duhet të marrësh pjesë aktivisht në luftën për paqe botërore e çlirim të kombeve".

Kështu ndodh që bëhet një aktivist i luftës për paqe e barazi, proteston me të gjitha mënyrat kundër politikës imperialiste të vendit të vet, merr pjesë si i deleguar në Kongresin për Paqe Botërore të mbajtur në Helsinki, nis turne koncertesh në Bashkimin Sovjetik, mbështet aktivisht kandidaturën e Salvadior Aliendes dhe luftën e Arafatit. Në Liban lejon ta fotografojnë me kitarë e kallashnikov në duar, arrestohet në Santiago, pasi merr pjesë në një marshim përpara ambasadës amerikane në këtë vend, duke mbajtur në njërën dorë flamurin amerikan, ndërsa në tjetrën një kovë me ujë "për ta pastruar nga gjaku i civilëve të vrarë në Vietnam".

Nga Berlini në Mongoli është një hapësirë e stërmadhe që e adhuron, ndërsa në Amerikë e hedhin poshtë, duke i vënë damkën e tradhtarit e të oportunistit. Në vitin 1972 - kur Lufta e Ftohtë arrinte kulmin - vendos të shkojë për të jetuar në Gjermaninë Lindore. Në fakt është dashuruar pas një aktoreje gjermane, nga e cila pret edhe një fëmijë. Mund të jenë këto arsyet kryesore për të cilat vendos të shkojë pas bashkëshortes. Është një romantik paksa naiv, por edhe njeri që e kërkon me çdo kusht suksesin. Ka kuptuar më së miri që në këtë vend do ta ketë, madje me bollëk.

Duke mos u besuar syve për këtë fat që u trokiste në derë, një element i mrekullueshëm për imazhin e vendit komunist, krerët e lartë të partisë i krijojnë të gjitha lehtësirat e mundshme, duke ia bërë gjithçka fushë me lule: vilë në bregun e një liqeni të mrekullueshëm, liri të plotë për të udhëtuar, filma, disqe, koncerte. Disku i parë singëll, i prodhuar nën etiketën "Ddr Amiga", ka si kopertinë një foto të tijën, me kapele kauboji e me një ujëvarë në sfond. Në pjesën e prapme shkruhej: "Arti, kënga - duhet të jenë gjithnjë armë".

Ana tjetër e medaljes është instrumentalizimi i plotë i këngëtarit: Rid duhet të përshëndesë me grushtin lart "Ditën e Solidaritetit", të këndojë në festat zyrtare të rinisë komuniste, të bashkëpunojë me shërbimin famëkeq gjermanolindor, Stasi. Është peng i pushtetit, që e përkëdhel po aq shumë sa e përdor. Kur në vitin ‘76, pas një koncerti në Këln këngëtarit Volf Bierman i ndalohet rikthimi në Berlinin Lindor- i përzënë nga Republika Demokratike Gjermane "për shkeljen e detyrave qytetare" - dhe dhjetëra artistë nënshkruajnë një peticion proteste kundër qeverisë, Rid nuk shfaqet fare në skenë. Vazhdon të këndojë këngë mbi vëllazërinë e barazinë socialiste, ndërkohë që disidentët futen në burgje apo humbasin vendet e punës.

Vijnë vitet ‘80 dhe ylli i tij nis të mos shkëlqejë si më parë. Regjimi nuk e ka lejuar të bëjë përpara artistikisht. Tashmë është kristalizuar në këngë të mbetura jashtë hapit të kohës. E ftojnë gjithnjë e më pak, ndërkohë që të pranishmit janë gjithnjë e më të paktë. Stasi e mban nën vëzhgim që nga çasti kur dialogoi ashpër me një polic, i cili e ndaloi në rrugë për kalimin e limitit të shpejtësisë: "Përse e latë të shkonte makinën e zezë që më parakaloi me 160 në orë? Ky është shtet fashist. Po më vjen edhe mua në majë të hundës, njëlloj si 17 milionë banorët e tjerë të këtij vendi".

Rid nisi të ndiente nostalgji për vendlindjen, dëshironte të kthehej e të bëhej senator në Kolorado. E ka humbur dukshëm lidhjen me realitetin. "Nuk na pëlqen që njerëzit tanë të shkojnë jashtë e të flasin keq për ne", thotë sot një mik i vjetër i këngëtarit që mund ta ndihmojë, por nuk e bën. Rid tashmë është 46 vjeç dhe nuk sheh më të ardhme përpara. I trishtuar, nën depresion, pas grindjes së radhës me bashkëshorten, mbledh plaçkat e ikën nga shtëpia. "Do shkoj atje ku më duan", i thotë gruas. Trupi i tij pa jetë gjendet pak ditë më pas, më 31 gusht të vitit 1986, në bregun e një liqeni. Ka vrarë veten, por për shërbimet sekrete bëhet fjalë për një "aksident tragjik". Mirëpo janë të shumtë ata që mendojnë se bëhej fjalë për një komplot ku qenë përfshirë shërbimet e fshehta amerikane, sovjetike e gjermanolindore. Një legjendë që u qartësua vetëm pas hapjes së arkivave sekrete: në dosjen e Dean Rid gjendej një letër lamtumire prej 15 faqesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›