Nënstacioni i ri nëntokësor në qendër të Tiranës, investimi strategjik i pari në Shqipëri dhe rajon

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Në Tiranë do të ndërtohet nënstacionit elektrik nëntokësor me një kapacitet të instaluar prej 200 MVA, me 3 kate nëntokë dhe sipas projektit, do të jetë i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.
Administratori i OSHEE Group, Mentor Hima ka firmosur pak ditë më parë kontratën e zbatimit për ndërtimin e Nënstacionit të ri Qendër, i cili financohet përmes një kredie nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Kontrata për zbatimin e projektit është nënshkruar me përfaqësuesin e firmës kroate “Dalekovod”, duke i hapur rrugë realizimit të një investimi strategjik për modernizimin e infrastrukturës energjetike në kryeqytet.
Ky hap finalizon të gjithë kuadrin e marrëveshjes së kredisë së nënshkruar më 27 mars 2026, dhe e bërë efektive më 25 shtator të këtij viti.
Kontrata me vlerë rreth 20 milionë euro do të zbatohet brenda një afati prej 22 muajsh nga nisja e punimeve. Nga ky investim do të përfitojnë mbi 40 mijë abonentë që furnizohen prej NST të ri Qendër.
Nënstacioni do të përfshijë 4 transformatorë me kapacitet 50 MVA secili, tri linja kabllore 110 kV dhe 24 fidera dalës 20 kV.
Ky projekt synon modernizimin e infrastrukturës energjetike, rritjen e kapaciteteve të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit, si dhe rritjen e eficiencës dhe besueshmërisë së rrjetit.
Gjithashtu, projekti pritet të kontribuojë në reduktimin e humbjeve teknike dhe të emetimeve të CO₂, duke mbështetur zhvillimin e një infrastrukture energjetike më moderne dhe të qëndrueshme.
Nëpërmjet këtij projekti, OSHEE Group Sh.A, synon t’i përgjigjet më mirë nevojave në rritje për energji elektrike në Tiranë, të forcojë qëndrueshmërinë e rrjetit të shpërndarjes dhe të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.
/k.s/a.f/r.e/