Nëntë vaksinat që janë të detyrueshme për fëmijët
Emanuela Sako
Kryerja e vaksinimit tek fëmijët e vegjël është një domosdoshmëri për të shmangur disa sëmundje që janë të rrezikshme për jetën e tyre. ISHP-ja ka përcaktuar kryerjen e vaksinave për të shmangur 9 sëmundjet që fëmijët janë më të predispozuar për t’u prekur. Specialistët kanë përcaktuar kalendarin shëndetësor, sipas të cilit prindërit duhet të drejtohen në qendrat shëndetësore për të kryer vaksinimin e fëmijës së tyre. Në të kundërt fëmijët rrezikojnë të preken nga sëmundje që janë të rrezikshme për jetën. Vaksinimi për fëmijët e moshave 0-14 ofrohet falas nga shteti, ku çdo fëmijë ka të drejtë dhe duhet të
vaksinohet.
Parandalimi
Vaksinimi parandalon dhe shpëton jetën e fëmijëve nga disa lloj sëmundjesh. Një pjesë e vaksinave bëhen që në muajt e parë të jetës së foshnjave, e më pas ndiqen këshillat e mjekëve për moshën dhe kohën e kryerjes së vaksinave të tjera. Sëmundjet që shmangen nga kryerja e vaksinës janë: Tuberkulozi, me vaksinën BCG; Hepatiti Viral B, me vaksinën Hep.B; Difteria, Tetanozi, Kolla e Mirë, me vaksinën DTP; Poliomyeliti, me vaksinën OPV; Fruthi, Rubeola, Shytat, me vaksinën FRV. Ndërsa në vitin 2009 me futjen e vaksinës pentavalente DTP-Hep B-Hib kemi futjen edhe të vaksinës ndaj infeksioneve të shkaktuara nga Haemofillus Influenca. Të gjitha foshnjat deri në 6 muajsh do të kryejnë vaksinën pentavalente, e cila i mbron nga 5 sëmundje. Kjo vaksinë po kryhet për herë të parë në vendin tonë dhe tashmë i është shtuar programit të vaksinimit.
Vaksina
Vaksina pentavalente, “5 në 1”, parandalon 5 sëmundje: difterinë, tetanozin, kollën e mirë (pertusin), hepatitin B (verdhëzën) dhe infeksionet e shkaktuara nga Haemophilus influenzae tip b (Hib) në veçanti meningjitin e shkaktuar prej tij. Kjo vaksinë kryhet në moshën 2, 4 dhe 6 muaj. Pra, të gjithë fëmijëve që kanë lindur më 1 janar 2009 do t’u ofrohet vaksinimi me vaksinën e kombinuar “5 në 1” (DTP-HepB-Hib). Kjo vaksinë futet në vendin tonë pas një procesi të gjatë të aplikimit pranë GAVI-t (Aleancës Botërore për Vaksinat) që nga viti 2001, kohë kjo kur Shqipëria mund të aplikonte pranë këtij organizmi. Qeveria shqiptare paguan vetëm për komponentin e hepatitit B në këtë vaksinë. Në momentin që përfundon marrëveshja me GAVI-n, pas pesë vitesh, qeveria do të marrë përsipër, ashtu si dhe për të gjitha vaksinat e tjera, financimin e plotë të kësaj vaksine. Kjo vaksinë, ashtu si të gjitha vaksinat e kalendarit kombëtar të vaksinimit, ofrohet falas nga shteti.
Sëmundje Vaksina
Tuberkulozi BCG
Hepatiti Viral B Hep.B
Difteria, Tetanoz, Kolla e Mirë DTP
Poliomyeliti OPV
Fruthi, Rubeola, Shytat FRV
Vaksina pentavalente DTP-Hep B-Hib, kundër infeksioneve të shkaktuara nga Haemofillus Influenca
21 Prill 2009