E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëntetar Aleksandër Peci nderohet me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”

26-06-2012 / Gazeta 55

Pasdite, në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes është zhvilluar një ceremoni e veçantë dhe shumë mbresëlënëse. Nëntetar Aleksandër Pecit, i cili u plagos në krye të detyrës gjatë misionit në Knadahar të Afganistanit, i është akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi, “Medalja e Artë e Shqiponjës”, me motivacionin: “Për aktin e shquar patriotik dhe qytetar të treguar duke shërbyer me besnikëri, trimëri dhe nder, deri në vënien në rrezik të jetës, në detyrën fisnike të ushtarakut të Republikës së Shqipërisë”.
Në këtë cermoni mori pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, këshilltaria ushtarake e Presidentit të Republikës, kolonele Manushaqe Shehu, drejtor drejtorishë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, drejtues të Batalionit të Forcave Speciale, si dhe familjarë dhe të afërm të nëntetar Pecit, të cilët kishin ardhur enkas për këtë qëllim.
Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, pasi i dorëzoi nëntetar Pecit “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, ka theksuar se ky vlerësim i bëhet jo vetëm dhe thjesht Aleksandrit, por ky është një vlerësim që i bëhet edhe të gjithë efektivave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e në veçanti të gjithë trupave tanë që shërbejnë me mision jashtë atdheut. Duke u ndalur në detyrat dhe përgjegjësitë që ka çdo efektiv i FA, shefi i Shtabit të Përgjithshëm u shpreh se, nga ne kërkohet që të stërvitemi, përgatitemi dhe të jemi plotësisht të aftë për të përballuar situata si kjo që kaluam, pra për të mposhtur edhe vdekjen.
Më tej, gjeneralmajor Gjunkshi nënvizoi konsideratën e tij të lartë për vlerësimet maksimale që kanë shprehur ndaj aktit të nëntetar Pecit edhe vëndet partnere e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ajo që është e rëndësishme është që nëntetar Aleksandri pati vlerësim maksimal të partnerëve tanë, të shokëve, të vëllezërve që ishin së bashku me të në operacion. Po kështu ai pati mbështetjen e veçantë të Forcave të Ushtrisë Amerikane, që vërtetë në këtë rast spikati në mënyrë të veçantë ai vëllazërim i veçantë midis FA Shqiptare dhe FA Amerikane, ku ushtarakët tanë i dhanë gjak ushtarakut amerikan të plagosur, por edhe ushtarakët amerikanë i dhanë gjak Aleksandrit. Kjo është ajo që ne ndajmë së bashku në fushën e operacionit”, - ka nënvizuar gjeneralmajor Gjunkshi.
Më pas, nëntetar Peci shprehu falenderimet e tij të sinqerta për vlerësimin që i bëhet nga Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, z. Bamir Topi, por edhe për vlerësimet që i janë bërë nga qeveria shqiptare, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, si dhe nga të gjithë shqiptarët kudo që janë. “Këtë medalje të lartë do ta mbaj me nder, duke i shërbyer me devotshmëri atdheut dhe popullit tim”, - është shprehur nëntetar Peci.  
Në emër të familjes Peci përshëndeti edhe daja i Aleksandrit, i cili tha se nëntetar Peci dhe familja e tij do të jenë sistematikisht prezentë në të gjitha detyrat dhe në të gjitha nevojat që ka dhe do të ketë atdheu dhe kombi. “Jemi mirënjohës për gjithçka që keni bërë për ne. Po kështu jemi të lumtur dhe me fat që, falë ndihmës tuaj, Aleksandri arriti të shpëtoj, t’a mundi dhe t’a mposhti vdekjen, duke qenë tashmë prezentë mes nesh. Le të mbetet ky një shembull i mirë për ushtrinë shqiptare, për shokët dhe për të gjithë pasardhësit tanë”.
 Nëntetar Aleksandër Peci, pjesëtar i Forcave Speciale të FA Shqiptare që veprojnë në Afganistan, mbeti i plagosur rëndë më 20 mars 2012, gjatë kryerjes së misionit në zonën e Kandaharit, ndërsa kapiten Feti Vogli ra heroikisht dhe është shpallur “Dëshmorë i Atdheut”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›