E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nepali, nga monarki në maoizëm

Pas 240 vitesh sundim, Nepali shfuqizoi këtë javë monarkinë. Ishte monarkia e fundit hindu në botë. Mbreti Gyanendra u shndërrua brenda një nate nga një sundimtar hyjnor në një qytetar të zakonshëm. Ai jo vetëm humbi titullin dhe rrogën e stërmadhe mbretërore, por dorëzoi edhe çelësat e shtatë pallateve të familjes, të cilat thuhet se tani do të shndërrohen në muzeume. Fytyra e Mbretit do të hiqet nga monedha dhe të gjitha referencat e deritanishme me monarkinë, përfshi edhe himnin kombëtar në të cilin kërkohet besnikëri ndaj kurorës, do të ndryshojnë. Por këto ndryshime nuk ndodhën pas përleshjeve mes popullit e monarkut apo përdorimit të gijotinës për t‘i dhënë fund jetës së sundimtarëve të deritanishëm. Gjithçka ka ndodhur pas miratimit të Kushtetutës së re të Nepalit. Detyra e parë e asamblesë së re të vendit ishte nxjerrja jashtë ligjit e monarkisë. Jo keq për ditën e parë të punës të të zgjedhurve të rinj. Po përse ndodhi në këtë moment ky ndryshim rrënjësor? Përmbysja e monarkisë dhe krijimi i një shteti shekullar ishte një pikë kyçe e marrëveshjes së paqes, sipas së cilës rebelët maoistë do të ulnin armët pas vitesh të gjata luftimesh, periudhë gjatë së cilës humbën jetën 13 mijë vetë. Familja mbretërore e kishte humbur me kohë ndikimin e saj. Në vitin 1990, ajo ia dorëzoi pushtetin Parlamentit të vendit. Por edhe pas kësaj periudhe, Mbretit i mbeteshin në dorë disa pika kyçe të drejtimit të vendit, të tilla si e drejta për të shpërbërë Parlamentin dhe të drejtonte Forcat e Armatosura. Për hir të së vërtetës, Mbreti Gyanendra ishte një katalizator për shfuqizimin e monarkisë. Ai zuri fronin mbretëror pasi Mbreti Birendra, i vëllai, u godit për vdekje së bashku me tetë anëtarë të familjes mbretërore nga princi i kurorës në vitin 2001. Në ndryshim nga vëllai i ndjerë, pasardhësi i tij nuk e shihte Parlamentin me sy të mirë dhe pas shumë përpjekjesh vuri në përdorim pushtetin e tij dhe e shpërbeu atë në vitin 2002. Me anë të kësaj lëvizjeje ai shpresonte se do t‘u tregonte të tjerëve se qeverisja e tij ishte e fuqishme dhe se kjo do të kishte ndikimin e saj edhe te maoistët për t‘i mundur ata. Por rezultati i veprimit të tij ishte ndryshe nga sa e priste. Lëvizja nuk u prit mirë nga populli dhe njerëzit dolën në rrugë për të protestuar. Kjo sepse Mbreti dhe familja ishin larguar shumë nga populli, duke bërë një jetë luksoze jashtë çdo lidhjeje me problemet e shqetësimet e vendit. Pakënaqësia ishte në rritje të vazhdueshme.

A kanë më pushtet monarkët absolutë në Azi?

Pavarësisht ndryshimeve në Nepal, Azia është ende vendi ku ekzistojnë e mbretërojnë monarkët më fuqiplotë të planetit. Ndër më të fuqishmit dhe më autoritarët është çmendurisht Sulltani i Bruneit, jashtëzakonisht shumë i pasur. Ai nuk është vetëm kreu i shtetit, por gjithashtu edhe kreu i qeverisë. Ka një pushtet absolut, por kërkon këshilla nga një këshill ministror që përbëhet nga individë që nuk ndodhen në këtë pozitë për shkak të zgjedhjeve, por të vendosjes. Ky lloj mbretërimi është i ngjashëm me ata që kanë ekzistuar në Evropë shekuj më parë. Sundimtari i Bruneit është pasardhës i së njëjtës dinasti që ka qeverisur vendin në shekullin e 15. Por edhe një familje mbretërore me një jetëgjatësi të tillë sundimi ka mungesën e vet të popullaritetit në shtresa të ndryshme. Në vitin 1960, ndaj sulltanit dhe familjes mbretërore pati një revoltë që do të mbahet mend gjatë. Vende të tjera që drejtohen nga monarki absolute përfshijnë shtetet në të cilat monarkët mbështeten nga burimet vendase të naftës, ose gazit. Të tilla shtete janë Omani, Katari dhe Arabia Saudite. Monarkia e Jordanisë, gjithashtu ka një pushtet të konsiderueshëm në duart e saj. Mbreti emëron Kryeministrin e vendit dhe të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar, por vendi ka gjithashtu edhe elementë të një demokracie. Një i tillë është zgjedhja nga populli e Dhomës së Deputetëve.

Po në vende të tjera të botës?

Swazilandi është vendi i monarkisë së fundit absolute në Afrikë. Lideri aktual është Mbreti Mswati III, babai i të cilit, Mbreti Sobhuza II, e hodhi poshtë Kushtetutën parlamentare të vendit të tij në vitin 1973 në favor të rikthimit të vendit në një sistem të bazuar në fuqizimin e liderëve tribalë. Një lëvizje e tillë pati për qëllim edhe pasurimin e madh të vetë Mbretit dhe rrethit të tij të ngushtë. Në këtë mënyrë, Swazilandi, nga një pishtar drite e shprese për ndryshime në Afrikë, u shndërrua thuajse brenda natës në një vend feudal, duke u kthyer shekuj pas. Mbreti Mswati III aktualisht sundon i lumtur e fuqiplotë me gruan e tij të 13.

A duhet që monarkia të ketë një pushtet më simbolik?

I tillë është rasti i monarkive të Evropës me vende të tilla si Belgjika, Suedia dhe Holanda, të cilat kanë monarki kushtetuese. Por edhe monarkët me pushtete simbolike mund të luajnë një rol të rëndësishëm për vendin e tyre. Tajlanda gjithashtu ka një monarki kushtetuese, por Mbreti sundimtar, 80-vjeçari Bhumibol Adulyadej, që është edhe monarku më jetëgjatë në qeverisje me 62 vjet në fron, respektohet shumë dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm për sa i përket unifikimit të vendit dhe drejtimit të politikës shumë të fraksionuar. Në Spanjë, Mbreti Juan Carlos luajti një rol shumë të rëndësishëm në tranzicionin e vendit nga diktatura fashiste në sistemin aktual parlamentar, pasi diktatori Franko e shpalli atë pasardhësin e tij.

Nëse monarkët largohen nga froni, a ka shanse të kthehen sërish?

Është një përvojë e provuar. Në fund të fundit, Anglia ka qenë për pak kohë Republikë, por pas një periudhe 11-vjeçare prove, monarkia britanike u kthye sërish në pushtet në vitin 1660, edhe pse këtë herë jo më me pushtetin absolut që kishte pasur më parë Charlsi I. Edhe Mbreti i Afganistanit u rrëzua nga froni në vitin 1973. Tashmë ai është rikthyer dhe është një figurë e personalitet shumë i rëndësishëm i vendit. Ndonjëherë disa monarkëve u janë rikthyer edhe të drejtat ligjore të humbura. I tillë është rasti i Liechtensteinit dhe princit Hans-Adam II, i cili rifitoi të drejtën për të shpërndarë qeverinë, madje edhe të drejton e vetos për vendimet e marra nga Parlamenti. Pushteti i tij mund të humbasë vetëm përmes një referendumi mbarëpopullor që do të kërkojë përmbysjen e monarkisë. Ndërkohë ka edhe regjime të cilat nuk janë monarki, por sillen si të tilla edhe pse mbajnë emra të tjerë. Kemi familjen Assad në Siri, e cila qeveris vendin që nga viti 1970. Ndërsa në Korenë e Veriut, lideri aktual i vendit komunist, Kilm Jong Il, e trashëgoi pushtetin nga i ati Kim Il-sung, i cili ndodhej në krye të vendit që nga viti 1948.

Çfarë bën një Mbret kur bie nga pushteti?

Disa tërhiqen dhe gëzojnë paratë e mbetura. Të tjerë bëjnë një jetë të larmishme prej njerëzish të thjeshtë. I tillë është rasti i princit Yi Seok, i cili është përpjekur të rikthejë monarkinë në Korenë e Jugut. Ai thotë se ka lidhje me Sunjong, Perandorin e fundit që kishte vendi e që mbretëroi deri në vitin 1910. Princi ka qenë në ushtri, ka dhënë mësime historie në shkolla, madje ka provuar edhe të këndojë. Sipas tij, monarkia duhet të rikthehet në vend vetëm për shkak të turizmit, por kërkesa e tij nuk është dëgjuar nga askush dhe maksimumi që autoritetet e vendit i kanë ofruar është që të japë leksione për monarkinë e vendit. Për sa i përket familjes nepaleze, qeveria ka mundësi që t‘i japë disa financime shtetërore dhe t‘i verë në dispozicion një skuadër me truproje. Për sa i përket familjes mbretërore britanike, edhe pse anglezët kanë idenë se ajo nuk e ka pushtetin e plotë dhe se merret vetëm me aspektin ceremonial e simbolik të detyrave shtetërore, ka disa që thonë se për Britaninë ka më shumë avantazhe të pasurit e një regjimi monarkist sesa një sistem presidencial. Sipas tyre, elita qeverisëse do të ishte njësoj e keqe si nën monarki, pra përse duhet ndryshimi?

A u ka ardhur fundi monarkive? (arsyet pro dhe kundra

Po...

- Pjesa më e madhe e monarkive të dikurshme tani nuk ekzistojnë më. Ndoshta edhe zhdukja e regjimeve të tilla të mbetura është çështje kohe.

- Monarkitë e sotme që janë ende të forta janë regjime që mbështeten nga pasuritë natyrore të vendit si nafta dhe gazi. Kur rezervat e tyre të marrin fund, së bashku me to do të zhduken edhe mbretërit e sulltanët.

Jo…

- Shumë monarki u kanë mbijetuar grushteve të shtetit dhe kohëve të vështira. Si të tilla ato janë institucione shumë elastike.

- Në vendet me monarki absolute është shumë i vështirë ndërrimi i regjimit, të paktën brenda një kohe të shkurtër, por edhe në rast ndërrimi, ai do të jetë shumë gradual dhe nuk presupozon shpërbërjen e monarkisë, por ndërrimin e formës së saj.

- Edhe nëse monarkitë do të zhdukeshin si forma qeverisjeje, ka në botë regjime e familje që sillen sikur të ishin monarkë. Kështu që emri mund të ndryshojë, por stili mbetet i njëjti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›