Çingiz Ajtmatov, burri i dashurive
Në vitin 1993 vjen në gjuhën shqipe një nga novelat më të njohura të shkrimtarit nga Kirgiz, Çingiz Ajtmatov. Historia e Xhamiles, një nuseje "të egër fshati", që thyen parimet e një familjeje të fisme, ku i kishte rënë fati dhe vendos të ndjekë pas njeriun që dashuron, rrëfehet në 73 fletët e kësaj novele. Në gjuhën shqipe kjo novelë është përkthyer nga Lili Bare. 15 vjet pas botimit, tashmë këtë novelë mund ta gjesh vetëm në librat që shiten në tezga rrugëve të Tiranës, ose në bibliotekën e dikujt që ruan me kujdes botimet e së shkuarës. Pavarësisht rrugëtimit personal që gjithkush bën për të pasur në dorë këtë libërth të vogël të Ajtmatov, ajo çfarë ka më tepër rëndësi është rrëfimi që gjen brenda tij. Ai rrëfim, që dhe pse endet në një atmosferë fshati, të një mentaliteti të vjetër për kohën, zbërthen aq bukur realitetin e sotëm. Xhamilja, që Ajtmatov ndërtoi më shumë se një shekull më parë, është sot një personazh i ngjashëm me secilin prej nesh. Guximi i saj adhurohet dhe nga femrat e shekullit XXI, që kanë rroba dhe parfume ndryshe nga Xhamilja. Ajtmatov e nis këtë histori nga një pikturë. Në të janë ngjizur nga një djalë fshati dy personazhe të dashuruar, të cilët i ka njohur dikur. Dhe teksa kundron me kujdes pikturën, ku një vjeshtë e zbehtë është zhytur thellë në të, ai risjell në mendje gjithë historinë e Xhamiles, vajzës që e kishte adhuruar dhe që ishte gruaja e vëllait të tij, të cilën e kishte parë dalëngadalë, se si nga një "bishë e egër" ishte kthyer nga dashuria për dikë në një zog të butë. Kujton atë natë gushti, ku ajo u mbështet në krahët e Danjiarit dhe lëshoi gjithë veten e saj. Nuk mund ta harrojë asnjëherë atë histori, ikjen e tyre nga fshati, trishtimin e së ëmës që nusja i braktisi kurorën dhe llafet e dynjasë. Ai i kishte adhuruar ata, aq sa i kishte ngjizur në këtë pikturë që e mbante gjithnjë në një cep të shtëpisë… Duhet të hysh në faqet e librit "Histori dashurie" të Ajtmatov për të kuptuar sesi letërsia e vërtetë dhe nëpërmjet pak faqeve mund të sjellë ndjesi të rralla te ty. Lui Aragon, një nga shkrimtarët e njohur francezë, teksa lexoi këtë novelë i shkruan mikut të tij Alfred Myse. "Për mua kjo është historia më e bukur e dashurisë në botë. O Alfred Myse, o miku im, kije zili këtë natë dashurie gushti të Çingiz Ajtmatovit. Dhe ja këtu, në Parisin e Hygoit e të Bodlerit, në Parisin e mbretërve e revolucioneve në Parisin shekullor të piktorëve, ku çdo gur të kujton një histori a legjendë, ku ka aq shumë të dashuruar. Në Parisin që ka parë gjithçka, ka lexuar gjithçka e ka provuar gjithçka, pra këtu në këtë Paris kur lexova "Një histori dashurie" të Ajmatovit, befas nuk m‘u dukën gjë as ‘Vërteri‘, as ‘Antoni e Kleopatra‘ as "Edukimi i ndjenjave", shkruan Aragon. Aragon kishte të drejtë kur e quante gjatë bisedave me miqtë e tij të letrave Çingiz Ajtmatov si burrin e dashurive. Vetë jeta e Ajtmatov ishte një rrugë e pambarimtë në kërkim të kësaj ndjenje. "Një burrë është gjithnjë vetëm", shkruante ai. "Kjo është arsyeja përse ai gjithnjë rrugëton për të gjetur pjesën tjetër të tij, atë pjesë që dhe kur mendon se e ka gjetur, sheh se nuk është gjë tjetër veçse një shëmbëlltyrë e saj dhe rrugëtimi vazhdon sërish". Çingiz Ajtmatov ka lindur në vitin 1928 në Kirgiz. Është një ndër shkrimtarët më të njohur sot në botë. Veprat e tij më në zë janë "Anija e Bardhë", "Ëndrrat e ujkonjës", "Lamtumirë gulsari", "Mësuesi i parë". Ishte gjyshja ajo që e futi Ajtmatov drejt përfytyrimeve të kulturës Kirgaze. Ajo i tregoi gjithçka nga tradita e vjetër e atyre njerëzve që do të shërbente si burim frymëzimi i vazhdueshëm për veprat e ardhshme që do të shkruante Ajtmatov. Ndoshta kjo është arsyeja përse një pjesë e madhe e romaneve të tij lindin nga legjendat. Dhe kur ishte një burrë që kishte udhëtuar në të gjithë Evropën, Ajtmatov besonte te legjendat. Rruga e tij drejt letërsisë nisi nga përkthimi. Në vitin 1952-1954 ai shkroi historitë e tij të para në rusisht. "Djali i gazetave Dzinio" dhe "Ashim" ishin dy novelat që ai i botoi në një të përditshme ruse. Në vitin 1951 ai botoi novelën "Shiu i bardhë". Ajtmatov i përket brezit të atyre shkrimtarëve që përpara se të studionin në Institutin e Lartë të Letërsisë "Gorki" kishin bërë një sërë punësh të tjera në sistemin socialist. Pas studimeve në "Gorki" ai punoi si korrespodent i "Literaturnyj Kirgizistan". Ka qenë sekretar i parë ose kryetar i Qendrës Kinematografike, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Kirghizia, kryeredaktor i "Foreign Literary Journa". Por puna që ai kujton si tepër frytdhënëse ka qenë koha kur ishte korrespodent. Të jesh korrespodent i një gazete, sipas tij, do të thotë të prekësh çdo ditë histori të ndryshme, histori që në një të ardhme, kur ti vendos t‘i shkruash të duken sikur janë thjesht përfytyrimeve dhe ti si ke jetuar asnjëherë ato. Jeta e terrenit, jeta jashtë zyrave dhe shtëpisë ka qenë një tjetër ves i Ajtmatov. Atij i pëlqenin baret, pijet dhe femrat po aq sa era e lehtë e pranverës në fshat. Pjesën më të madhe të jetës gjatë kohës që nisi të njihej si shkrimtar ai e kalonte në një shtëpi në fshat. Më 15 tetor të vitit 1951, ai martohet me Keres Shamshibaev. Nga kjo martesë ai pati tre djem dhe një vajzë, megjithëse nuk zgjati shumë. Njohja me Maria Urmativ do të ndryshonte sërish jetën e tij. Më 8 gusht të vitit 1981, ai lidh kurorë me gruan që e njohu diku në ato takimet letrare.