Nepravishta: ERE cakton rritjet e çmimit të energjisë për pesë vitet e ardhshme
17/12/2009 Sipas deklaratës rregullatore janë tre periudha rregullimi të tarifave
Enti Rregullator i Energjisë ka hedhur poshtë deklaratat e OSSH-së se energjia duhet të rritet çdo vit me 15 për qind. Kryetari i ERE-s i vetmi institucion që është përgjegjës për caktimin e politikës së rritjes së çmimit të energjisë, Bujar Nepravishta, gjatë një deklarate publike ka theksuar se nuk është e vërtetë që tarifat do të rriten për pesë vite rresht. Sipas tij, zyrtarët e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes e kanë keqinterpretuar deklaratën rregullatore. Ky dokument, sipas Nepravishtës, nuk ka në asnjë vend të shkruar që energjia të rritet çdo vit. “Nuk ka asnjë deklaratë, asnjë kontratë apo marrëveshje të nënshkruar për rritjen e energjisë elektrike deri në vitin 2014, sipas një sasie të përcaktuar. I vetmi institucion që ka ekskluzivitet për të përcaktuar vlerën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike është Enti Rregullator”, - deklaroi Nepravishta. Në deklaratë është përcaktuar se ERE-ja ka vendosur që periudha 1 janar 2009 - 31 dhjetor 2009 të jetë një periudhë tranzitore gjatë së cilës nuk do të ketë ndryshim në tarifat ekzistuese, të përcaktuara në shkurt 2008. Në këtë mënyrë do t’i jepet mundësia investitorit të vlerësojë situatën brenda OSSH-së dhe të përgatisë aplikimin për rishikimin e këtyre tarifave të reja, të cilat do të jenë efektive duke filluar nga data 1 janar 2010. Sipas deklaratës, janë tre periudha të rregullimit të tarifave, ku periudha e parë e rregullimit do të jetë nga 1 janar – 31 dhjetor 2010, periudha e dytë e rregullimit do të jetë 1 janar - 31 dhjetor 2011, periudha e tretë e rregullimit do të jetë 1 janar 2012 – 31 dhjetor 2014. Gjithashtu, sipas deklaratës rregullatore, jo më vonë se data 30 qershor 2014, ERE-ja do të miratojë një tjetër deklaratë rregullatore për periudhat e rregullimit që vijojnë pas vitit 2014, e cila nuk do të ndryshojë ndjeshëm në metodologji nga ajo ekzistuese. Për të mënjanuar çdo dyshim, Deklarata Rregullatore e re do të vazhdojë të përmbajë mekanizmin e kompensimit. Pak ditë më parë, vetë drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë deklaruar se marrëveshja përcakton rritjen e energjisë deri në 15 për qind plus normën e inflacionit çdo vit deri në 2014. Rritja e kërkuar nga OSSH-ja për vitin 2010 dhe 2011 ishte 43 për qind, ku 23 për qind do të ishte rritja e tarifës për vitin 2010. Ndërsa vendimi i Entit Rregullator të Energjisë ishte për një rritje jo më shumë se 13 për qind, një shifër kjo e cila me sa kuptohet do ta detyrojë kompaninë OSSH të ankimojë vendimin. Shtrenjtimi i energjisë elektrike është kundërshtuar nga ekspertë të fushës si dhe përfaqësues të komuniteteve të biznesit. Më të prekurit duket të jenë bizneset, si ato të fushës së industrisë, tregtisë dhe shërbimeve. “Bizneset janë goditur më rëndë se sa kategoritë e tjera. Goditja që u bëhet bizneseve në këtë kohë krize nuk është normale. Në të gjithë Evropën çmimet e energjisë po ulen nuk po ngrihen, te ne po ndodh e kundërta”, – është shprehur Pajtim Bello. I të njëjtit mendim është edhe administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, sipas të cilit kjo rritje e energjisë nuk përkthehet veçse në kosto shtesë për bizneset dhe për konsumatorët.