E Diel, 1 Nëntor 2026

Nepravishta: Pas prillit, jo më faturime aforfe

08/04/2010 Kreu i ERE-s raportoi në Kuvend për gjendjen në sektorin e energjisë

Në të ardhmen leximi i energjisë do të realizohet me skaner

Pas muajit prill të këtij viti nuk do të pranohet asnjë faturim aforfe për energjinë e konsumuar. Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, gjatë raportimit mbi gjendjen e energjisë në vendin tonë, në komisionin parlamentar të Bujqësisë, evidentoi si një prej problematikave në këtë sektor pikërisht mungesën e matësve të energjisë elektrike. Në bazë të garancisë të marrë nga OSSH-ja, Nepravishta deklaroi se ky problem do të zgjidhet brenda muajit prill. “Nga informacionet e fundit që kemi marrë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pajisja e qytetarëve me matës do të realizohet brenda muajit prill. Kjo duhet të realizohet medoemos, pasi pas këtij muaji nuk do të pranojmë asnjë faturim aforfe”, theksoi kreu i ERE-s. Për sa i takon mbifaturimit të energjisë gjatë muajit dhjetor me çmimin i cili hynte në fuqi në muajin janar, Nepravishta rrëzoi akuzat e deritanishme për vjedhje. “Dua të sqaroj se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me vjedhje të energjisë, por me një shkelje të vendimit të ERE-s. Faturimi i bërë nga OSSH-ja më 15 dhjetor të 2009-ës, cikël që vijon deri më 15 dhjetor 2010, nuk është praktikë e nisur nga OSSH-ja, por e vjetër. OSSH-ja, në shkelje të vendimit të ERE-s, ka pranuar sipas kërkesës tonë të kompensojë qytetarët për mbifaturim”, tha ai. Numri një i ERE-s bëri publike edhe objektivat e OSSH-së për të ardhmen, veçanërisht për ato që lidhen me transparencën e faturimit të energjisë. Ai sqaroi se në të ardhmen leximi i aparateve matëse do të bëhet në mënyra bashkëkohore. “OSSH-ja ka marrë parasysh që kapakët e kutive të jenë me xham, në mënyrë që qytetarët të shohin matësit e tyre. Po ashtu, OSSH-ja mendon të bëjë në të ardhmen leximin me skaner, në përputhje me sistemet satelitore. Aktualisht po punohet për dixhitalizmin e sistemit në të gjithë Shqipërinë, pasi në disa rrethe, Gjirokastër dhe Sarandë, fatura mbushet me dorë”, nënvizoi Nepravishta.

Rezoluta

Komisioni parlamentar, pasi dëgjoi përgjigjet e kryetarit të ERE-s, miratoi rezolutën mbi vlerësimin dhe detyrat që Kuvendi kërkon për këtë ent të realizojë gjatë këtij viti. Sipas propozimit të kryetarit të komisionit, Jemin Gjana, në objektivat e ERE-s u përcaktua kontrolli për ecurinë në çështjet koncesionare dhe atë për investimet e kompanisë “CEZ”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›