E Diel, 1 Nëntor 2026

Neritan Ceka: Ja “sekretet” që mbart Bazilika e Skampinit

Bazilika e Elbasanit ka hyrë në fazë interesante zbulimesh. Gjatë ditëve të fundit janë zbuluar nefi qendror, mozaiku, absida, mure ndarëse dhe konturet e mureve rrethuese si dhe objekte të rëndësishme arkeologjike. Sipas arkeologut të njohur Neritan Ceka, “Bazilika e Skampinit është një nga monumentet më interesante të shekullit VI të e.s. për vetë pozicionin në lidhje me Via Egnatian, por edhe për mozaikun e mrekullueshëm në nefin qendror. Për këtë vit do të vazhdojë projekti për përcaktimin e planimetrisë dhe mbulimi i pjesës qendrore, me qëllim për ta pasur të hapur gjithmonë mozaikun për vizitorët. Kjo gjë do të realizohet në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, Institutin e Monumenteve dhe me fondet e BE-së të përcaktuara për Via Egnatian”,- u shpreh Ceka. Për dy-tre vjet pritet të marrë formë një nga monumentet unike në Shqipëri, ku do të eksperimentohet mbulimi dhe eksplorimi i vazhdueshëm i mozaikut. Projekti pritet të aplikohet edhe në monumente të tjera, si kishat me afresket e Onufrit, stacioni Ad Quintum i Via Egnatias. Riparimi i Via Egnatias do të arrijë deri në dy metra në një segment ku është rruga e vjetër. Në projekt janë edhe rindërtimi i kullave në hyrjen kryesore të Via Egnatias, atë të anës lindore të kastrumit. I pyetur nëse ka ardhur momenti për të ngritur muzeun arkeologjik të Elbasanit, Neritan Ceka u shpreh se “në vitet ‘90 janë zhdukur objekte arkeologjike, porse qindra të tjerë janë në magazinat e institutit të arkeologjisë në Tiranë. Muzeu pritet të ngrihet pas kompletimit të bazilikës”. Ceka ka theksuar se “kjo pasuri e madhe duhet të mos të dëmtohet, por të vihet në shërbim të turizmit kulturor dhe institucionet në Tiranë duhet të mbajnë lidhje e bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor. Punimet do të shtrihen në një sipërfaqe rreth 800 m2 dhe fondet duket se janë të pamjaftueshme për finalizimin e këtij projekti, sipas specialistëve të fushës në Elbasan.

F.Salliu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›