E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët të magjepsur nga balerinët rus

SHKRUAN: Aida TUCI 13-09-2011 11:32

-Teatri i Operas dhe Baletit nuk kishte parë ndonjëherë dyndje më të madhe se të dielën mbrëma. Salla e madhe ishte mbushur tej kapacitetit me spektatorë që në orën 18.30, ndërkohë që shfaqja fillonte në orën 19.00

Teatri i Operas dhe Baletit nuk kishte parë ndonjëherë dyndje më të madhe se të dielën mbrëma. Salla ishte mbushur tej kapacitetit me spektatorë që në orën 18.30, ndërkohë që shfaqja fillonte në orën 19.00. Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB), Zhani Ciko, ndoshta për herë të parë në jetën e tij artistike i duhej të dirigjonte jo instrumente por njerëz që shtynin për të gjetur një “copë” vend. Kishte mes tyre dhe të dorëzuar përfundimisht nga përpjekja për komoditet, duke zënë vend në këmbë në korridoret e ngushta të sallës. Gjithë stafi administrativ i TKOB-së ishte vënë në lëvizje për të rehatuar publikun më të madh që u kishte zënë ndonjëherë syri në “tempullin” e artit në mes të kryeqytetit. Edhe lozha ndërkohë ishte mbushur tejet kapacitetit normal, që, edhe pse ishte mbyllur për rikonstruksion, u detyruan ta hapnin. Por spektatori tashmë nuk shqetësohej më për komoditetin, por priste me padurim të fillonte shfaqja. Ndërkohë, herë pas here, në mes perdeve të rënda të skenës shfaqej ndonjë kokë e vogël kurioze, e shqetësuar nga zhurma në sallë. Por gjithçka u shua si me magji sapo në sfond nisi një muzikë në fillim e lehtë e gradualisht në rritje: ishin tingujt e Çajkovskit. Asgjë nuk pipëtinte më, thua se në sallë nuk kishte frymë njeriu. Një “Pa de-de-klasike” i dha kështu rrugë mbrëmjes më magjike që syri i spektatorit shqiptar dyshoj nëse e ka parë ndonjëherë më parë. “Sonte do kemi mundësi të shohim pjesët më të mira të baletit botëror, të shijojmë koreografinë moderne dhe klasike. Sonte në skenë do të kemi mundësi të shohim një numër kaq të madh të yjeve të baletit, sa edhe neve rusëve jo shpesh herë na jepet kjo mundësi.” - u shpreh Juri Aleksandroviç, drejtor i sekretariatit të Ministrisë së Kulturës së Rusisë, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Rusia për koncertin “Gala” të solistëve të baletit të tre teatrove më të mëdha të Rusisë: “Marinskij”, “Bolshoj” dhe “P.I.Çajkovski”.

Shpirti rus ringjall kujtimet e nostalgjikëve shqiptarë

Brohoritjet e spektatorit shqiptar nuk e fshihnin dot entuziazmin pas çdo interpretimi dhe thirrjeve “Ju lumtë!” në gjuhën ruse. Lidhja e hershme e shqiptarëve me Rusinë u rikthye për më shumë se 2 orë në skenën e teatrit. Një prej tyre ishte dhe Avni dhe Nina Mula, që herë pas here bënin ndonjë koment në rusisht me sekretarin Juri Aleksandroviç. Koncerti “Gala” me dy akte u çel me muzikën e Çajkovskit. Dy balerinët Akaterina Osmollkina dhe Anton Korsakov dukej sikur “fluturonin” në skenë. Për të pasuar me një fragment nga baleti “Spartaku”, që vinte nën interpretimin e Marianna Rizhkina dhe Mihaill Llobuhin. Pas gladiatorit “Spartak”, publikut i nevojitej një shkundje me tingujt e “Tarantela”-s, që dukej sikur ishte krijuar për këmbët e balerinëve Elena Javsejeva dhe Denis Matvijenko. E në fund një magjepsje në “Liqenin e mjellmave”. Në fillim të aktit të dytë salla ishte me një spektator më shumë; ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Në aktin e dytë të koncertit solistët performuan pjesë nga: “Pirati”, “Ballo e fantazmave”, “Taras Bulba”, “Don Kishoti” etj. Balerinët Anastasia Matvijenko dhe Denis Matvijenko, të dy solistë në teatrin “Marinskij” në Shën Petërburg dhe laureatë të disa konkurseve ndërkombëtare, me baletin “Don Kishoti” kompozuar nga Minkus dhe me koreografinë e realizuar nga Gorski, dalluan për sharmin në lëvizje dhe veshje. “Ndarja” e interpretuar nga Elena Evsejev dhe Juri Smekallov, njëkohësisht dhe koreograf, ishte një tjetër njohje e re e publikut me baletit modern. Ashtu siç nuk mund të mungonte kurrsesi “Liqeni i mjellmave” që, interpretuar nga balerinët Ekaterina Borçenko, Anastasia Kolegova dhe Danilla Korsuncev, të jepnin ndjesinë e asaj puplës së bardhë që era e lëkund në ajër. Gala-ja ishte një ndërthurje me koreografi klasike të shek. XX realizuar nga Grigoroviç, Miroshiniçko, Petit etj., që “gozhdoi” në sallë edhe ministrin Bumçi. Sepse koncerti Gala solli për nostalgjikët e muzikës dhe baletit rus pjesët më të bukura botërore nga Rusia, në një program ku shpirti rus përcillej në gjithë spektrin e tij te publiku shqiptar, që lidhjet me këtë vend i kishte ruajtur si kujtime të bukura të së shkuarës. Regjisorja Ekateirna Gallanova, duke njohur historinë e dy popujve, ishte përpjekur vërtet të sillte pjesët më të mira të baletit klasik dhe modern rus. Pas kësaj shfaqjeje, publiku shqiptar u rizgjua më kritik ndaj baletit shqiptar; krahasimi ishte pashmangshëm, por dhe i pavend, sipas dy ish-balerina të trupës së baletit: “Duhet të shihni kushtet në të cilat balerinët shqiptarë bëjnë prova. Që këtu diskutimi mbyllet” Koncerti Gala çeli Ditët e Kulturës Shpirtërore Ruse në Shqipëri, që do të pasohet nga aktivitete të tjera deri në datën 25 shtator

“Blak Swan” pas kuintave

Perfeksioni ka dhe anën tjetër të medaljes. “Jeta e një balerine është shumë e vështirë”- do të thoshte Natalie Portman, teksa xhironte filmin që i dha çmimin ‘Oskar’, “Blak Swan”, një film psikologjik që tregonte se të kërkosh perfeksionin është e pamundur. Në fakt balerinët tanë rus në Shqipëri nuk kishin ardhur të kërkonin perfeksionin, por kushte minimale për të zhvilluar provat e tyre. Të mësuar me madhështinë e skenave botërore e gjetën veten krejtësisht të papërgatitur kur panë skenën modeste të TKOB-së. “Kërkesat e tyre janë nga më të çuditshmet. Duan 10 vetë në dispozicion”- do të ankohej një nga pjesëtarët e stafit që drejtori Ciko kishte vënë 24 orë në dispozicion të trupës së baletit. “Por sigurisht që e meritojnë, sepse janë vërtet shumë të mirë”- justifikonte në të njëjtën kohë që lëshonte ankesën për “tekat” e balerinëve, por dhe të stafit organizator. “Baleti është i vështirë që në fillim. Pak rëndësi se çfarë shfaqje është vështirësitë ekzistojnë gjithmonë dhe ne duhet t’i kapërcejmë ato që spektatori mos t’i kuptojë dhe të largohet i kënaqur”, - rrwfehet ato pak minuta që solisti i Teatrit “Marinskij” Denis Matvijenko e kthen vëmendjen nga gazetarët. Në fakt, kërkesat e tyre nuk shkonin asnjëherë përtej punës serioze për të qenë perfekt në çdo gjë në mbrëmjen e së dielës përballë publikut shqiptar. E vetmja gjë që balerinët nuk arritën të kuptonin te publiku ishte se përse duartrokitjet shoqëroheshin me fishkëllima. E kur i shpjegoje se fishkëllima në Shqipëri është njësoj si të të thonë “Bravo!”, tundnin kokën dhe buzëqeshnin.

Gjithçka sipas stilit rus

Vetëm skena dhe publiku ishin shqiptare, e gjithë pjesa tjetër organizative vinte nga Rusia. Regjisorja e koncertit “Gala”, Ekaterina Gallanova, e cila kishte përzgjedhur repertorin më të mirë të baletit rus, kërkonte vëmendje maksimale nga të gjithë. Edhe skenografia, që ndryshonte pas çdo pjese baleti me një pulitje sysh, ishte e artistit të merituar të Rusisë, Vjaçesllav Okunjev, që përmes ndriçimit të Aleksandër Naumov-it e çonte publikun herë në një kështjellë e herë në breg të liqenit. Gjithçka vinte nga Rusia, regjisori drejtues i spektaklit: “Artisti i Merituar i Arteve të Rusisë”, Andrej Mellanjin; drejtori i fotografisë, Aleksandër Kibitkin; deri dhe regjisori i zërit, Maksim Terehin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›