E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tingëllon flauti

Festivali Muzikor Ndërkombëtar ‘Tingujt e flautit’, i cili sivjet shënon edicionin e pestë, do të sjellë në Prishtinë flautistë dhe muzicientë të shumtë nga vende të ndryshme të botës. Nga Alfred Beka më 15 shtator 2011 në ora 08:52

Edicioni i pestë i Festivalit Muzikor Ndërkombëtar ‘Tingujt e flautit’ sivjet do të sjellë në Prishtinë tinguj muzikor nga vende të ndryshme të botës.

Emra të njohur të muzikës artistike vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht asaj franceze, do të marrin pjesë në këtë festival, i cili do të hapet sot (e mërkurë) dhe do të zgjasë deri më 19 shtator.

Në një konferencë për media, e cila u mbajt të martën në hotel Prishtina, Emine Valla, menaxhere e festivalit, tregoi se hapjen e festivalit do ta bëjë Kuarteti Frymor francez ‘Le Concert Impromptu’. Ajo shtoi se festivali ‘Tingujt e flautit’ është festival kryesisht i muzikës, ku dominon flauti.

Ndërkaq, Erëmira Çitaku, drejtoreshë e festivalit, u shpreh se në këtë edicion kanë eksploruar mjaftë në zhanre skajshmërisht të ndryshme.

“Vet fakti që kemi ftuar edhe një ney-flaut nga Turqia, duke e kombinuar me poezi të Rumit, është një risi që nuk e kemi pasur deri më tash. Kemi eksploruar shumë në formën orientale, ku paraqitet familja e gjerë e flautit e jo vetëm flauti në formën klasike”, tha Çitaku. Gjithashtu, ajo shtoi se kanë përfshirë edhe frymorët tjerë që janë oboja, fagoti, klarineti etj. “Do të thotë, përveç stileve i kemi zgjeruar edhe frymorët si instrumente”, shtoi ajo.

Çitaku e çmoi lart kontributin e Ambasadës franceze për këtë festival, ndërsa sipas saj koncerti vazhdimisht do të jetë shumë interesant dhe është një mundësi e mirë që artistët nga mbarë bota të marrin pjesë në këtë festival.

“Jemi shumë të lumtur që do ta hapim me kuartetin francez. Ambasada franceze gjithmonë ka qenë përkrahëse e festivalit kështu që këtë herë ne do ta hapim me koncertin e tyre. Programi do të jetë mjaft interesant, kurse ne do të vazhdojmë me studentët e flautit që është motivi kryesor që ne si organizator, e gjithashtu si profesionistë në këtë lëmi, t`i thërrasim njerëzit prej tërë botës që të marrin pjesë”, tha Çitaku.

Edicioni i pestë i festivalit ‘Tingujt e Flautit’, përgjatë gjashtë ditëve sa do të zgjasë, do të përmbajë një laramani paraqitjesh artistike të artistëve vendor dhe të huaj, derisa më karakteristikja do të konsiderohet paraqitja e artistit Shaqir Hoti me instrumente frymore folklorike nën përcjelljen e sopranos Besa Berberi.

Çitaku shtoi se risi tjetër është se në mbrëmjen e bendit The Valerie Solanas nga Belgjika do të ketë edhe stand up komedi.

“Po mundohemi të ofrojmë sa më shumë variacione në program në mënyrë që ashtu siç e përjetojmë ne profesionistët ashtu edhe kënaqësinë tonë ta ndajmë me publikun”, deklaroi Çitaku.

Festivalit ‘Tingujt e Flautit’ i kanë dalë në ndihmë sponsorë të shumtë, prej të cilëve duhet përmendur Zyra zvicerane për zhvillim, IPKO, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ambasada e Francës dhe Alliance Francaise, Komuna e Prishtinës etj.

14.09 e mërkurë ora 20:00 Salla e Kuqe
Kuarteti Frymor ‘Le Concert Impromptu’ (Francë)
Yves Charpentier - flaut, Michaela Hrabankova - obo, Jean-Christophe Murer - klarinetë, Vincent Legoupil - fagot

15.09 e enjte ora 20:00 Salla e Kuqe
Studentët e klasës së flautit, Fakulteti i Arteve Prishtinë (Kosovë)

15.09 e enjte ora 21:30 Hamam Jazz Bar
The Valerie Solanas (Belgjikë)
Muzikë nga zhanre të kombinuara të acid jazz, pop dhe swing: Michael Brijs - flaut dhe vokal, Tom Tiest - kitarë, Filip Vandebril - bas kitarë dhe Diederik Van Remoortere - bateri

16.09 e premte ora 20:00 Salla e Kuqe
Performancë me koreografi orientale dhe poezi nga Rumi
Vallëzim dervish nga Valentina Lacmanovic (Kroaci/Francë), ney-flaut nga Burak Malçok (Turqi) dhe muzikë e improvizuar nga Visar Kuçi, Liburn Jupolli, Astrit Stafa, Mohamed-Al Khazali, Avni Krasniqi e të tjerë

16.09 e premte ora 21:30 Hamam Jazz Bar
The Valerie Solanas (Belgjikë) dhe stand-up komedi me Lulzim Bucolli (Kosovë)

17.09 e shtunë ora 20:00 Biblioteka Kombëtare
Duo koncert me flaut dhe piano (Poloni dhe Shqipëri)
Iwona Brosz - flaut dhe Amir Xhakoviq - piano

18.09 e diel ora 20:00h Qendra për Art Bashkëkohor - Stacion
7 Ninullat
Besa Berberi - soprano, Shaqir Hoti - instrumente frymore folklorike, dhe të tjerë

19.09 e hënë ora 20:00 Salla e Kuqe
Ansambli “Rexho Mulliqi” (Kosovë)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›