Nëse godet Izraeli, nis lufta me Iranin

Analizë
Barak Obama nuk do të bombardojë Iranin, jo pse është liberal, por për faktin se nuk dihet ku ndodhen instalimet bërthamore të Teheranit. Për më tepër, nuk dihet nëse një sulm i tillë mund të ndalojë në pak muaj programin bërthamor të Iranit, shkruan në numrin e sotëm Washington Post.
Nga ana tjetër, përgjigjja kërcënuese e Iranit kundrejt Izraelit dhe trupave
amerikane, në saje të Aleancës Iraniane në Irak, Afganistan, Palestinë dhe
Liban, nuk është ajo me të cilën duhet të merret Uashingtoni në këtë moment, vë
në pah kjo gazetë dhe shton se askush nuk do rritjen e çmimeve të naftës, gjë
që mund të ndodhë.
Sipas Washington Post, asnjë president amerikan, i cili bën llogaritje të
matur, nuk zgjedh luftën, sa kohë që trupat amerikane janë aktivisht të
angazhuara në dy frontet, pasi në këtë mënyrë ai nuk mund të presë mbështetjen
e publikut.
Por, thuhet më tej në shkrim, nëse Obama nuk e bombardon Iranin, kjo nuk do të
thotë se askush tjetër nuk do e bëjë.
Në këtë moment, kur Uashingtoni po merret me çështjet e kujdesit shëndetësor
dhe implikimet e Masacusetsit, duket sikur gjëja më e rëndësishme për Obamën,
pozitive apo negative, janë çështjet e brendshme.
Më tej, autorja e shkrimit thotë se momenti përcaktues i presidencës së tij
mund të vijë një ditë, kur ai do të ngrejë telefonin dhe kryeministri i
Izraelit ti thotë: Izraeli sapo ka kryer një sulm në bazat bërthamore të
Iranit. Dhe, çfarë pastaj?
Sipas autores së shkrimit, ky është një skenar krejt i paevitueshëm.
Izraelitët janë dyshues si çdokush për efikasitetin e sulmeve, ndaj ata janë
përqendruar në sabotimin e fshehtë dhe madje jashtë spektrit diplomatik, edhe
pse nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Iranin, me shpresën se do të
ngadalësojnë procesin e zhvillimeve bërthamore.
Në Washington Post thuhet se izraelitët kanë studiuar qetësish mënyrat ku
Irani mund të tërhiqet, duke e ditur për avantazhin që do të kenë në
teknologjinë bërthamore për dy dhjetëvjeçarët e ardhshëm.
Sipas autores, Izraeli, edhe pse i ka të gjitha opsionet në tavolinë, ka
konkluduar se sulmet me bomba nuk sjellin pasoja të mira.
Në disa drejtime ky konkluzion mund të ndryshojë, thuhet në Washington Post,
pasi shumë izraelitë e shikojnë programin bërthamor iranian si një çështje për
jetë a vdekje.
Kjo duhet kuptuar në kontekstin e sulmeve provokuese të presidentit iranian
ndaj së drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe mbështetjes që ai u jep
mohuesve të Holokaustit.
Nëse doni ti bëni izraelitët paranoikë, u thoni se mund të jenë objekt i
sulmeve të vrasjeve në masë dhe pikërisht këtë është duke bërë Mahmud
Ahmedinexhad, shkruan Washington Post.
Autorja thotë më tej në shkrim se nuk beson se Obama mund të rimëkëmbë
presidencën e tij duke bombarduar Iranin, si karakteret në filmin Të
përkundësh qenin.
Autorja thotë se ajo shpreson që kjo administratë është e gatshme, ushtarakisht
dhe psikologjikisht, jo për luftërat e zgjedhura, por për luftërat e diktuara.
Kjo është jeta reale në fund të fundit dhe jo histori e Hollivudit, konkludon
Washington Post. /RFE/